Shumë banorë të Fushë Kosovës dhe fshatrave përreth ka vite që përballen me mungesë të ujit të pijes. Shpëtim për ta është bërë një krua në mes të qytezës.

Ka vite qe me  dhjetëra qytetar çdo ditë mbushin ujë, pa u penguar nga pronarët të cilët kanë në zotërim atë krua.

Muharrem Nimani ka tre vite që vazhdimisht mbush ujin për pije në këtë krua. Kjo pasi ai dhe një pjesë e banorëve të Fushë Kosovës, përballen me mungesë të ujit të pijes.

“Kemi tri vite që çdo të tretën ditë mbushim ujë për pije. Kemi ujë nga çezma por ai nuk është i pijshëm”, thotë për RTV Dukagjinin Muharrem Nimani.

Banori Ibrahim Shala pa dashur te flas para kamerës tregoi udhëton nga fshati Henc për të mbushur ujë këtu.

“Prej se është hapur Bau-Market mbushim ujë këtu. Një kohë kemi mbushur ujë në Krushevc të xhamia”, thotë qytetari Ibrahim Shala.

Brenda ditës dhjetëra qytetarë të Fushë Kosovës, mbushin ujë krejt në mënyrë humanitare, nga  kompania “Bau Market” e cila ka në zotërim këtë krua.

Zëdhënësi i Komunës së Fushë Kosovës, Ali Topalli tha se zgjidhja e problemit të ujit të pijes do të bëhet me ndërtimin e gypit prej katër kilometrash. Projekt ky, i cili sipas tij ishte dashur të përfundojë në nëntor të këtij viti.

“Ne kemi marrë informacionin shumë të sigurt se edhe publikisht e ka thënë ministri se ky problem do të zgjidhej brenda nëntorit. Sipas disa informacioneve që ne kemi tani, projekti është në fazën e tenderimit”, tha Topalli.

Ndërkaq drejtori teknik në Ujësjellësin Rajonal “Prishtina”, Sokol Xhafa, përmes telefonit tha se faza e implementimit të punimeve në ndërtimin e gypit janë  vonuar për shkak të  vonesave në sigurimin e fondeve.

Ai tha se javën e ardhshme do të nis puna në realizimin e projektit, i cili parashihet të përfundojë brenda 90 ditësh./RTV Dukagjini/Telegrafi/