LAJMI I FUNDIT:

Banka e Anglisë: Rritja e ngadaltë ekonomike e përkohshme

Banka e Anglisë: Rritja e ngadaltë ekonomike e përkohshme
626932588

Banka e Anglisë mbajti normën bazë të interesit të pandryshuar dhe bëri të ditur se rritja e ngadaltë ekonomike gjatë fillimit të 2018-ës do të jetë e përkohshme. Megjithatë, institucioni deklaroi se kërkon të shohë një përshpejtim të ekonomisë përpara se të rrisë kostot e huamarrjes.

Duke thyer pritshmëritë e forta për një rritje të normës bazë të interesit disa javë më parë, politikëbërësit votuan 7-2 për të mbajtur normën në 0.5%. Ekonomia e Britanisë u rrit me një normë më të ngadaltë krahasuar me homologët në vitin e kaluar, ndërkohë që rritja e inflacionit prej Brexit uli shpenzimet konsumatore dhe vonoi investimet e bizneseve.


Ekonomia u ngadalësua më tepër në tremujorin e parë të 2018-ës, për shkak të motit të pazakontë dhe trazirave në lidhje me negociatat me Bashkimin Europian. Pritshmëritë janë shtyrë tashmë për muajin Gusht, ku Banka e Anglisë do të përditësojë edhe projeksionet për ekonominë.

Banka e Anglisë deklaroi pas takimit se inflacioni ka rënë më shumë se ç’pritej, por që kjo erdhi prej zbehjes së impaktit të zhvlerësimit të paundit në çmimet e importit, ndërkohë që presionet e brendshme në çmime vazhdojnë të rriten.

Inflacioni pritet të bie me 2.1% në një periudhë 1-vjeçare dhe të kthehet në objektiv më shpejtë se sa pritej. Banka deklaroi se ekonomia e Britanisë do të rritet me 1.4% këtë vit, në rënie nga 1.8% që projektoi në Shkurt.

Për dy vitet e ardhshme, institucioni projektoi një rritje të PBB me 1.7%, në rënie nga 1.8% që priste më parë. Paundi ra ndjeshëm pas përfundimit të takimit të Bankës së Anglisë, duke prekur 1.3513, nga 1.3618 që ishte përpara vendimit. /Telegrafi/