LAJMI I FUNDIT:

Banka Botërore përkrah përmirësimin e të dhënave dhe shërbimeve të kadastrës në Kosovë

Banka Botërore përkrah përmirësimin e të dhënave dhe shërbimeve të kadastrës në Kosovë

Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore ka miratuar Projektin për Patundshmëri dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore (REGIP), i cili ka për qëllim rritjen e cilësisë dhe disponueshmërisë së administrimit të tokës dhe të të dhënave dhe shërbimeve gjeohapësinore në Kosovë. Përkrahja financiare për projektin është 14.6 milionë euro (16.5 milionë dollarë).

“Sigurimi i të drejtave pronësore është thelbësor për përmirësimin e rritjes dhe zhvillimit të Kosovës, pasi të drejtat e mirë-përcaktuara janë gur themeli i një ekonomie dinamike tregu”, tha Marco Mantovanelli, menaxher i Bankës Botërore për Kosovën.


“Ky projekt do të ndihmojë në rritjen e qasjes në financa dhe në zvogëlimin e informalitetit në ekonomi, duke ndikuar pozitivisht në tregjet e kreditit dhe në sektorin bankar komercial, çka nga ana tjetër, mund të rezultojë në më shumë investime dhe më shumë vende pune”, shtoi ai.

Investimet nga REGIP-i do të fokusohen në përmirësimin e disponueshmërisë dhe saktësisë së informacionit kadastral, avancimin e TIK-ut dhe infrastrukturës gjeo-hapësinore, si dhe në zbatimin e nismave për ndërtimin e kapaciteteve. Nga përmirësimet e planifikuara për sistemet e TI-së dhe lansimi i shërbimeve elektronike do të përfitojnë të gjithë qytetarët dhe bizneset e Kosovës, duke pasur më shumë informacion dhe shërbime të disponueshme online. Nga shërbimet elektronike të orientuara drejt përdoruesve të specializuar – si bankat tregtare, noterët dhe inspektorët privatë – jo vetëm që do të përfitojnë këta përdorues, por dhe do të përmirësohet shpejtësia, cilësia dhe saktësia e ofrimit të shërbimeve.

“Pa një kadastër të plotë dhe të përditësuar dhe pa të drejta të përcaktuara qartë për burrat dhe gratë, ekziston rreziku i madh për investimet nga sektori privat dhe qytetarë. Prandaj, përmirësimi i të dhënave dhe shërbimeve kadastrale rrit mundësinë e qasjes në toka për investitorët vendas dhe të huaj, si një faktor i rëndësishëm i prodhimit, dhe rrit efikasitetin e ekonomisë”, tha Aanchal Anand, specialiste e Administrimit të Tokës në Bankën Botërore dhe Udhëheqëse e Ekipit të ngarkuar me projektin.

Projekti REGIP financohet me një kredi nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA) i Grupit të Bankës Botërore. Financimi për këtë projekt ka maturitet prej 25 vjetësh. Projekti do të zbatohet për pesë vjet nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, e cila vepron nën ombrellën e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës. /Telegrafi/