LAJMI I FUNDIT:

Bajram Mjeku i QIK-ut, për LDK-në dhe Alma Lamën: Partia pa kauzë, gjithçka me agjenda personale

Bajram Mjeku i QIK-ut, për LDK-në dhe Alma Lamën: Partia pa kauzë, gjithçka me agjenda personale

Aktivisti i LDK-së dhe bashkëthemeluesi i Qendrës për Informim të Kosovës, Bajram Mjeku, përmes një shkrimi të tij në Facebook, ka shprehur mllefin ndaj lajmit se deputetja e LDK-së, Alma Lama, do të jetë ambasadore e Kosovës në Itali.

“Kur vështron origjinën politike të deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, gati gjysma e tyre janë ardhacakë nga partitë tjera. Ata nuk mbrojnë kauzën politike të LDK-së, e cila edhe ka mbetur pa kauzë. Ata kanë kryekëput agjendë personale”, shkruan Mjeku.


Postimin e tij, mund ta lexoni të plotë më poshtë:

“LDK dhe agjenda personale e Alma Lamës

Mediat sot kumtuan lajmin aspak befasues, të cilin e kemi pritur nga muaji shkurt i këtij viti. Alma Lama me shtetësi të dyfishtë dhe standarde të dyfishta propozohet për ambasadore të Republikës së Kosovës në Itali! Është pazari i radhës nën rrogoz i deputetes Lama dhe mjerimi politik i partisë më të vjetër në Kosovë.

LDK shkoi larg duke i përbuzur rreth 200 mijë votues të saj. Jo vetëm ‘zhvati’ deputetë nga partitë tjera, por edhe importoi një deputete të Lëvizjes Vetëvendosje me origjinë nga Republika e Shqipërisë.

A mund të dëshmojë dikush se cili biznes nga Kosova pati sukses në Republikën e Shqipërisë dhe a mund të imagjinojë dikush një shqiptar nga Kosova të zgjidhet deputet në Parlamentin shqiptar?! Personalisht, unë e njoh vetëm një. Është fjala për një mik timin, këshilltar politik i presidentit shqiptar, Bujar Nishani, dhe asnjë tjetër me origjinë nga Kosova.

Kur vështron origjinën politike të deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, gati gjysma e tyre janë ardhacakë nga partitë tjera. Ata nuk mbrojnë kauzën politike të LDK-së, e cila edhe ka mbetur pa kauzë. Ata kanë kryekëput agjendë personale.

Vetëm pak orë para se të zgjidhej presidenti i Republikës së Kosovës, Alma Lama thoshte me pompozitet se do ta them qëndrimin tim aty ku duhet, pra në Parlamentin e Kosovës. Ditën ‘kritike’ nuk nxori as edhe një fjalë të vetme nga goja. Një ditë më vonë denjoi të gënjente gjithë elektoratin e LDK-së duke thënë: ‘Dje kam votuar kundër Thaçit!’.

Është Alma Lama e cila pa u konsultuar asnjëherë me Grupin parlamentar, sulmonte anëtarët e Kryesisë së LDK-së për kinse rrezikun e sjelljes së islamit politik në Kosovë. Puna shkoi aq larg sa për t’ia rritur vetes namin dhe pazarin, deklaronte se është e kërcënuar nga këta të fundit!

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës duhet të ndalojë përbuzjen ndaj strukturave të saj, të cilat tash 26 vjet kanë luftuar për kauzën e shqiptarëve në Kosovë dhe për agjendën politike të kësaj partie. LDK duhet të ndalojë përbuzjen ndaj themeltarëve të saj, të cilët për kauzën e kësaj partie shkatërruan ekonomitë familjare. Disa nga ata e paguan edhe me kokë. Ata që luajnë me ndjenjat e themeltarëve dhe shkelin mbi gjakun e atyre, të cilët themeluan këtë parti dhe luftuan për pavarësinë e Kosovës i pret fund i keq…

Dita e zgjedhjeve do të caktohet më së largu vitin tjetër. Kjo ditë për udhëheqjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të jetë si Dita e Gjykimit për të vdekurin.

Kam lexuar për një situatë tragjikomike prej nga e ka origjinën Alma Lama. Kur në vitin 1949 u nxor në gjyq me akuzën si agjent jugosllav, Koçi Xoxe, ish-ministër i Brendshëm i Republikës Popullore të Shqipërisë, në çastin kur kryeprokurori famëkeq Aranit Çela i kumtonte gjykimin me vdekje në emër të Kushtetutës së popullit, Koçi Xoxe pyeti prokurorin:

– Në emër të Kushtetutës së cilit popull më dënoni shoku prokuror?!

– Në emër të Kushtetutës së popullit shqiptar, – u përgjigj i ngrefosur prokurori Çela.

– Më fal shoku prokuror, por unë jam bullgar!, – u përgjigj plot krenari ministri Koçi Xoxe!”, ka shkruar Mjeku. /Telegrafi/