LAJMI I FUNDIT:

Babai im gjeni, një fëmijë yll: Çmimi i famës dhe traumat e fëmijërisë

Babai im gjeni, një fëmijë yll: Çmimi i famës dhe traumat e fëmijërisë

Si një mrekulli, Joel Kupperman (i lindur më 1936) u mbulua nga fama dhe merrte 10,000 letra tifozësh në javë. Djali i tij Michael ka ilustruar memoaret “All the Answers” (“Të gjitha përgjigjet”), ku eksploron historinë që babai kurrë nuk ia tha. Më poshtë është bashkëbisedimi i botuar në Guardian, i realizuar nga gazetari Seamas O’Reilly, transmeton Telegrafi.

“Nuk ishte interpretues”, thotë për babanë e tij, shkrimtari dhe ilustruesi Michael Kupperman. “Pas një kohe nuk do të ishte personalitet popullor televiziv. Nuk e kishte atë lloj lehtësie me kamerën. Ishte shumë simpatik si një fëmijë, por si u rrit…”, pushon për të gjetur fjalët e duhura. “E di si, është njeri shumë i thatë”!

Më duket e vështirë të imagjinoj babanë tim si sensacion mediatik, ndaj është lehtë të pëlqesh vlerësimin e Kuppermanit. Por, si anëtari kryesor i programit shumë të pëlqyer në radio, “Quiz Kids” (“Fëmijët e kuizit”), Joel për një kohë ishte fëmija më i famshëm në SHBA.

Me nofkën “Euklidi xhuxh” për shkak të aftësive të tij të pabesueshme në matematikë, Joel bëri për vete audiencën nga mosha pesëvjeçare, të rriturit dhe figurat publike. “Matemagjistari” Joel u adhurua nga masat që dëgjonin.

Fëmijëria interesante e babait të tij është tema e romanit të ri grafik të Kuppermanit, “Të gjitha përgjigjet”, një tregim i çuditshëm, i trishtuar dhe i bukur për kohën kur babai i tij ishte në qendër të vëmendjes. I njohur kryesisht për tregimet e tij surreale dhe qesharake në stripa dhe ilustrimet ironike për New Yorker, stili i Kuppermanit është ideal për të dokumentuar të kaluarën. Me mbi 200 faqe, ai shfaq tregimin për të cilin babai i tij nuk foli: ylli që merrte 10,000 letra tifozësh në javë në kohën kur ishte shtatë vjeç.

“Ishte yll për një kohë”, thotë ai. “Pranonte poezi të çuditshme dhe njerëzit shkruanin për të si për një dashnor potencial. Pra, hyri në një territor të çuditshëm. Unë besoj se kjo ndodhë në çdo kohë kur dikush bëhet i famshëm”.

“Të gjitha përgjigjet” dokumentojnë jetën e tij, takimet e tij me Orson Wellesin dhe Jackie Gleasonin, si dhe përmendjen e emrit të tij në veprat e Philip Rothit, JD Salingerit dhe Nora Ephronit. Libri fillon me një pranim të çuditshëm dhe befasues që Joel dikur ia tha djalit: si fëmijë iu dhurua një qen nga ikonat e komedisë, dueti Abbott dhe Costello.

“Kjo në fakt është hera e parë dhe vetme që ndau diçka nga kujtesa e shoubizit”, thotë Kupperman. “Asnjëherë, para apo pas kësaj, ndaj ishte një tronditje e madhe. Mua më pëlqejnë gjërat nga shoubizi i vjetër dhe kënaqem të di me kë takohej dhe me kë kalonte kohën… por, asgjë nga kjo”!

Kupperman shpresonte se do të gërmojë këtë të kaluar të babait të tij: “Mendova se ndoshta truri ishte si një ajsberg i madh. Teksa shkrihet, kujtimet e vdekura do të dalin papritmas”.

Por, ai kuptoi se Joeli, i cili tani ka demenca, kishte harruar ose shtypur pothuajse të gjitha ngjarjet e spikatura të asaj kohe.

“E kam menduar hipnozën në një moment”, thotë Kupperman, “por zbulova se kujtesa e shtypur nuk vlen më asgjë… Kurrë nuk do të dalë gjë dhe të gjitha tentimet e mia për të marrë diçka dështuan”.

Shpëtimi i Kuppermanit ishin pesë libra shënimesh që mbante gjysha Sara, nëna e Joelit, që ishte forca shtytëse prapa famës së djalit. Sara është një karakter interesant në këtë histori. Motivimi i saj për ta mbajtur fëmijën në qendër të vëmendjes duket intrigues edhe sot.

“Ky nuk është portretizimi më simpatik në libër, por më i sakti. Në vitet 1940 ajo doli haptazi në shtyp si nëna e të gjitha nënave skenike”, thotë Kupperman.

Joeli qëndroi në program deri në adoleshencë, kohë kjo kur emisioni kishte kaluar në televizion, një medium për të cilin ai ishte i papërshtatshëm. Dikur ishte i bukur, por tash ishte shndërruar në të zgjuarin me pak sharm. Konsiderohej i pamundshëm nga shumica. Stresi për mbetur brenda kuizit, i kombinuar me faktin se njihej publikisht, kishte efekt dëmtues. Ai “diplomoi” nga kuizi në moshën 16-vjeçare dhe la SHBA-të për të marrë doktoratën e tij në Oksford. Iu kthye jetës së qetë në Universitetin e Connecticutit më 1960, ku punoi si profesor i filozofisë për shumicën e fëmijërisë së Michaelit.

“Gjithçka u trajtua keq nga prindërit e tij dhe nga vet ai”, shton Kupperman.

Te “Të gjitha përgjigjet” është edhe tentimi i Kuppermanit për të kuptuar se si fëmijëria e babait ka ndikuar te ai.

“Shumë prindër të asaj kohe nuk arritën t’u japin fëmijëve ndonjë udhëzim. Duke qenë në atë shfaqje prej moshës pesëvjeçare kjo ka bërë të formësojë modelet përtej mundësisë për t’i ndryshuar”, shton ai. “Tash si baba e shoh të vështirë prindëroren. Gjithçka që bën ka pasoja. Ky ishte problemi me gjeneratat e mëparshme. Nuk e kuptonin se ajo që bënin do të kishte pasoja”. /Telegrafi/