SHBA-ja bëhet eksportuesi më i madh i naftës në botë


Shtetet e Bashkuara janë bërë eksportuesi më i madh i naftës në botë, duke e kaluar Rusinë dhe Arabinë Saudite, në një ndryshim të madh në rendin global të tregut të energjisë.
Ky zhvillim vjen në një periudhë tensionesh të larta gjeopolitike, përfshirë luftën në Ukrainë dhe konfliktet në Lindjen e Mesme, të cilat kanë ndikuar ndjeshëm në furnizimet globale me energji.
Sipas të dhënave të tregut të transportit detar, eksportet amerikane të naftës dhe karburanteve kanë arritur rreth 10.5 milionë fuçi në ditë gjatë muajit maj, duke tejkaluar eksportet ruse, të cilat janë rreth 7 milionë fuçi në ditë, si dhe ato të Arabisë Saudite, raporton reuters.
Analistët theksojnë se kjo rritje e rolit të SHBA-së është nxitur nga prodhimi i lartë i naftës nga formacionet shale, si dhe nga ndërprerjet e furnizimeve globale të shkaktuara nga sanksionet ndaj Rusisë dhe trazirat në rajonet prodhuese të naftës.
Sipas raportit, ky ndryshim përfaqëson një kthesë historike për SHBA-në, e cila dikur ishte e varur nga importet e naftës nga Lindja e Mesme, ndërsa sot po shndërrohet në një nga aktorët kryesorë që përcakton çmimet dhe rrjedhën e tregut global të energjisë.
Ndryshe, Arabia Saudite eksportoi rreth 8.1 milionë fuçi në ditë (bpd) në vitin 2025, ndërsa eksportet ruse qëndruan në rreth 5.8 milionë fuçi në ditë, sipas të dhënave të Vortexa-s. /Telegrafi/




































