Atletico ndërron hotel në Londër përpara ndeshjes me Arsenalin - Simeone befason me përgjigje

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, do ta udhëheqë skuadrën e tij të martën nga ora 21:00 në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Arsenalit. Takimi i parë në Madrid u mbyll 1-1, ndërsa në Londër pritet të vendoset finalisti.
Në prag të duelimit vendimtar, Simeone konfirmoi se Atletico ka ndryshuar hotelin ku do të akomodohet në Londër. Në ndeshjen e fazës së grupeve në tetor, kur Arsenali i mposhti spanjollët, Atletico kishte qëndruar në Marriott pranë Regent’s Park, ndërsa këtë herë ekipi është vendosur në një hotel në zonën Shoreditch.
Mediat spanjolle kishin raportuar se ndryshimi lidhej me supersticion, por Simeone e mohoi një gjë të tillë dhe e shpjegoi thjesht.

“Po bëjmë më mirë sesa në tetor dhe e ndërruam hotelin sepse ky është më i lirë. Duhet qetësi, jo pasivitet”, tha argjentinasi.
Simeone theksoi se Atletico duhet të hyjë në ndeshje me qetësi dhe kontroll emocional, duke nënvizuar se fati i kualifikimit do të varet nga paraqitja në fushë.
“Ne trajnerët mendojmë për atë që mund të ndodhë, por në fund gjithçka varet nga lojtarët. Duhet t’i menaxhojmë emocionet dhe të luajmë sa më mirë. Nuk është pasivitet, është qetësi – dhe kjo na duhet në një ndeshje të tillë”, u shpreh Simeone.
Ai shtoi se do të dëshironte që skuadra të përsërisë paraqitjen e pjesës së dytë nga ndeshja e parë, por pranoi se nuk është gjithmonë e thjeshtë.
1.000 partidos como entrenador!!
Agradecido a todas las personas que me han acompañado y me han ayudado a llegar a esta cifra (jugadores, colaboradores, dirigentes, aficionados…) desde que empecé a dirigir en 2006.
GRACIAS por todos los momentos, por todos los aprendizajes y… pic.twitter.com/MAxhzNQUtV
— Diego Pablo Simeone (@Simeone) May 2, 2026
“Nëse do të ishte kaq e lehtë, do të ishte shumë mirë. Nëse luajmë mirë, do të kemi më shumë shanse për ta fituar ndeshjen. Do të përpiqemi të shfrytëzojmë avantazhet tona, ashtu siç do të bëjë Arsenali”, përfundoi ai. /Telegrafi/



















































