LAJMI I FUNDIT:

ATK: Vazhdon trendi rritës i të hyrave tatimore, 356.5 milionë euro të hyra vetëm për periudhën janar-prill 2024

ATK: Vazhdon trendi rritës i të hyrave tatimore, 356.5 milionë euro të hyra vetëm për periudhën janar-prill 2024
ATK (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Administrata Tatimore të Kosovës përmes një komunikate drejtuar mediave thotë se po vazhdon me trendin rritës të të hyrave, ku vetëm për periudhën janar-prill 2024 ka arritur të mbledhë 356.5 mil euro, apo 38.9 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, apo shprehur në përqindje 12.3 %.

ATK thekson se në raport me planin kanë tejkalim të planit për 7.9 milionë euro apo 2.3%.


“Përmbushja vullnetare e obligimeve tatimore vazhdon të mbetet prioritet kryesor, duke u siguruar që tatimpaguesit të paguajnë shumën e saktë tatimore, dhe duke ndërmarrë veprimet e duhura ligjore ndaj tatimpaguesve mospërmbushës”, theksohet në komunikatë.

Tutje, në njoftim thuhet se reformat e realizuara vitet e fundit, ofrimi i shërbimeve ndaj tatimpaguesve, rritja e përgjegjësisë dhe llogaridhënies, janë disa nga faktorët që kanë ndikuar në rritjen e të hyrave.

“ATK iu bënë thirrje të gjithë tatimpaguesve që t’i kryejnë obligimet tatimore, në mënyrë që mos të bëhen objekt i gjobave dhe ndëshkimeve të parapara me ligj, gjithashtu falënderon të gjithë tatimpaguesit, të cilët i kryejnë saktë dhe me kohë obligimet tatimore”./Telegrafi/