LAJMI I FUNDIT:

ATK i porosit bizneset: Mbajeni dokumentacionin sipas legjislacionit tatimor

ATK i porosit bizneset: Mbajeni dokumentacionin sipas legjislacionit tatimor

Administrata Tatimore e Kosovës, rikujton të gjitha veprimtaritë ekonomike se janë të obliguara të mbajnë librat dhe regjistrimet konform legjislacionit tatimor.

Veprimtaritë ekonomike, të cilat krijojnë dhe mbajnë dokumentacione jo në rregull, si shitje pa destinim-personave fizikë, blerjet nga personat fizikë, mos-dokumentimi dhe dokumentimi fiktiv, malli pa prejardhje-origjinë, fryrja e shpenzimeve, lëshimi i kuponëve fiskal nga distributorët, nënvlerësimi i çmimeve nga importi, mos-lëshimi i kuponëve fiskal, mbajtja e stoqeve dhe saktësia e tyre, dokumentimet tjera jo-reale, kreditimi dhe humbja e vazhdueshme, do të jenë në fokusin e ATK-së, derisa të arrihen objektivat për krijimin e një klime të volitshme për të gjitha bizneset.


“ATK, vlerëson se numri i tatimpaguesve, të cilët krijojnë dhe mbajnë dokumentacionin jo në rregull është i konsiderueshëm, i cili shkakton efekte negative në aktivitetet biznesore, krijon klimë jo konkurruese dhe jo lojale për vet operimin e biznesit dhe njëkohësisht krijon humbje për buxhetin e Kosovës. Në identifikimin e rasteve të tilla, ATK, në bazë të kompetencave është e autorizuar që të ndërmarrë veprimet e nevojshme me qëllim të verifikimit të librave dhe regjistrimeve të tatimpaguesve dhe përcaktimit të drejtë të detyrimeve tatimore. Vetëm tatimpaguesit, të cilët vullnetarisht mbajnë dhe prezantojnë librat dhe regjistrimet në harmoni me legjislacionin tatimor, nuk do të bëhen objekt ndëshkimi nga ana e ATK-së. Tatimpaguesit të cilët nuk kanë përmbushur vullnetarisht detyrimin e tyre – mbajtjen dhe prezantimin e librave dhe regjistrimeve, i ftojmë që vullnetarisht të bëjnë korrigjimet e nevojshme për të reflektuar gjendje reale mbi afarizmin e tyre, sepse në këtë mënyrë Ligji për Administratën Tatimore dhe Procedurat, ju ofron lehtësira për tatimin shtesë të/pa deklaruar me kohë”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Në fund, ATK thotë se inkurajon bizneset që të përmbushni detyrimet tatimore në mënyrë që të mos bëheni objekt i ndëshkimeve. /Telegrafi/