LAJMI I FUNDIT:

ATK, bizneseve: Paguani tatimet në të kundërtën do të mirren masa

ATK, bizneseve: Paguani tatimet në të kundërtën do të mirren masa

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka njoftuar të gjitha veprimtaritë ekonomike se janë të obliguara të mbajnë librat dhe regjistrimet konform legjislacionit tatimor.

ATK , në këtë njoftim ka potencuar se të obliguara të mbajnë regjistrat janë edhe veprimtaritë ekonomike që nuk kanë dokumentacion në rregull, si mos – lëshimi i kuponëve fiskal, mos dokumentimi i mallit pa origjinë dhe të ngjashme.

“Administrata Tatimore e Kosovës, rikujton të gjitha veprimtaritë ekonomike se janë të obliguara të mbajnë librat dhe regjistrimet konform legjislacionit tatimor”.

“Veprimtaritë ekonomike, të cilat krijojnë dhe mbajnë dokumentacione jo në rregull, si: shitje pa destinim-personave fizikë, blerjet nga personat fizikë, mos-dokumentimi dhe dokumentimi fiktiv, malli pa prejardhje-origjinë, fryrja e shpenzimeve, lëshimi i kuponëve fiskal nga distributorët, nënvlerësimi i çmimeve nga importi, mos-lëshimi i kuponëve fiskal, mbajtja e stoqeve dhe saktësia e tyre, dokumentimet tjera jo-reale, kreditimi dhe humbja e vazhdueshme, do të jenë në fokusin e ATK-së, derisa të arrihen objektivat për krijimin e një klime të volitshme për të gjitha bizneset”, njofton ATK.

ATK, gjithashtu ka bërë të ditur që të gjithë tatim paguesit që nuk i përmbushin këto detyrime do të merren masa ndaj tyre.

“Në identifikimin e rasteve të tilla, ATK, në bazë të kompetencave është e autorizuar që të ndërmarrë veprimet e nevojshme me qëllim të verifikimit të librave dhe regjistrimeve të tatimpaguesve dhe përcaktimit të drejtë të detyrimeve tatimore. Vetëm tatimpaguesit, të cilët vullnetarisht mbajnë dhe prezantojnë librat dhe regjistrimet në harmoni me legjislacionin tatimor, nuk do të bëhen objekt ndëshkimi nga ana e ATK-së.”/ Telegrafi/