Leicester City, klubi që realizoi një nga mrekullitë më të mëdha në historinë e futbollit anglez duke fituar Ligën Premier para dhjetë vjetësh, ka përjetuar një rënie të fortë sportive dhe ka zbritur në nivelin e tretë.

Megjithatë, pavarësisht dështimit në fushë, “Dhelprat” do të kenë kushte që shumë skuadra të elitës vetëm mund t’i ëndërrojnë – falë njërës prej qendrave stërvitore më moderne në botë.


Një vizion që kushtoi rreth 100 milionë euro

Planet për qendrën e re stërvitore u prezantuan për herë të parë në fillim të vitit 2018, dy vjet pas titullit historik. Projekti u pa si trashëgimi e periudhës më të artë të klubit dhe si realizim i vizionit të pronarit të ndjerë Vichai Srivaddhanaprabha, i cili synonte të ndërtonte një Leicester që do të ishte konkurrues në majën e futbollit anglez në mënyrë të vazhdueshme.

Punimet në Seagrave, në zonën e ish-fushës së golfit Park Hill, nisën në pranverën e vitit 2019. Në projekt u investuan mbi 85 milionë funte – rreth 100 milionë euro – duke e shndërruar kompleksin në një nga objektet sportive më të avancuara në botë.

Kompleks gjigant: 185 hektarë, 7 ndërtesa, 21 fusha

Qendra stërvitore, që shtrihet në 185 hektarë, është në funksion që nga dhjetori i vitit 2020. Vetëm pesë muaj pas zhvendosjes, Leicester fitoi edhe FA Cup, trofeun e parë të atij lloji në histori.

Kompleksi përbëhet nga shtatë ndërtesa dhe 21 fusha stërvitore, 14 prej të cilave janë me përmasa standarde. Aty ndodhen gjithashtu ambiente moderne të mjekësisë dhe shkencës sportive, palestra të përshtatura sipas nevojave të skuadrës dhe pishina hidroterapie.

Në qendër të kompleksit është ndërtesa Vichai Srivaddhanaprabha, e emëruar në nder të presidentit të ndjerë. Ajo strehon ambientet e ekipit të parë, zyrat, hapësira private, restorant dhe zona rekreative, ndërsa një ballkon i madh ofron pamje direkte nga fushat stërvitore. Vizioni u realizua pas vdekjes së Vichait nga djali i tij Aiyawatt Srivaddhanaprabha (Khun Top).

Ndër ndërtesat më mbresëlënëse është edhe King Power Centre, me një kupolë të veçantë të integruar në peizazh, që mbulon një fushë me bar artificial të kondicionuar. Brenda saj ndodhet edhe një qendër mediatike me sallë konferencash, dhoma transmetimi televiziv dhe zona shërbimi.

Akademia, infrastruktura dhe “luksi” i një klubi të nivelit të tretë

Kompleksi përfshin edhe një fushë me tribunë prej 499 ulësesh, e përdorur për ndeshje të akademisë, ekipit të femrave dhe grupmoshave të tjera, si dhe hapësira të përshtatshme për zhveshje dhe mbulim mediatik.

Një veçori e rrallë është edhe Sports Turf Academy (STA) – institucioni i parë i këtij lloji në botë, i dedikuar trajnimit dhe edukimit të profesionistëve për mirëmbajtjen e fushave. Qëllimi i saj është të përgatisë breza të rinj specialistësh dhe të shërbejë si qendër kërkimi e inovacioni në menaxhimin e barit sportiv.

Edhe stafi i klubit gëzon kushte të shkëlqyera: mëngjesi dhe dreka ofrohen me çmime të subvencionuara në restorantin e ndërtesës kryesore, ndërsa në dispozicion janë edhe tre kate me zyra.

Prona e madhe ofron parkim të bollshëm, ndërsa standardi i pajisjeve – nga mobilimi te dizajni i brendshëm – është i nivelit më të lartë. E gjithë kjo e bën Leicesterin një anomali: klub me infrastrukturë elitare, por me realitet sportiv në ligën e tretë. /Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com

telegrafi sport app