LAJMI I FUNDIT:

Astera Tuhina, model para vajzave të Kosovës

Astera Tuhina, model para vajzave të Kosovës

Një nga basketbollistet më të talentuara të Kosovës padyshim është Astera Tuhina.

18 vjeçarja ka qenë pjesë e të gjithë grupmoshave të Kosovës, ndërsa ka luajtur me Kosovën A te femrat në dy Kampionate Evropiane për Shtete të Vogla, ku së fundi kishte hyrë në Top 5 të turneut.


Astera ka debutuar edhe në elitën spanjolle të basketbollit me vetëm 16 vjet, kurse më pas u transferua në SHBA, duke fituar trofe me Washington State Cougars, përkatësisht duke u shpallur kampione në PAC 12, që ishte turneu i parë për skuadrën nga Uashington te femrat në këtë garë.

Si një nga basketbollistet më të talentuara ajo do të vizitojë shkolla fillore në Kosovë dhe të motivojë vajzat e reja të merren me basketboll. Tuhina do të tregojë si ka arrit suksese në karrierën e saj dhe çfarë duhet të bëhet për të ndjekur ëndrrën e tyre.

Astera së bashku me përfaqësuesit e FBK-së të enjten dhe të premten do të vizitojnë shkollat fillore në Prizren, Prishtinë dhe Pejë.

Vizita zhvillohet në kuadër të kampanjës “Her World, Her Rules”.

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) është pjesë e projektit FIBA Europe Girls’ Program, tash e pesë vite dhe është duke e implementuar me mjaft sukses këtë projekt.

“Her World, Her Rules” është një projekt unik dhe fushatë në mediat sociale, e udhëhequr nga FIBA Europe që ka për qëllim ta promovojë basketbollin e femrave dhe vajzave nëpër Evropë nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme që realizohen në partneritet me Federatat Nacionale. /Telegrafi/