LAJMI I FUNDIT:

Asnjë lajm nga ‘luftëtarët tanimë të zhdukur të Azovstal’ të Ukrainës – rrëfimet e familjarëve të shqetësuar për fatin e tyre

Asnjë lajm nga ‘luftëtarët tanimë të zhdukur të Azovstal’ të Ukrainës – rrëfimet e familjarëve të shqetësuar për fatin e tyre

Dy javë më parë, qindra luftëtarë ukrainas përfunduan përpjekjet e tyre për mbrojtjen e fabrikës së çelikut Azovstal.

Dhe deri tani, disa nga të dashurit e tyre thonë se ende kanë dëgjuar pak ose aspak informacion mbi vendndodhjen e tyre.


“Unë nuk kam qenë në kontakt me burrin tim ose nuk kam marrë ndonjë informacion për të kohët e fundit”, ka thënë Anna Ivleva, gruaja e Anton, një marinar i cili u plagos rëndë gjatë rrethimit në fabrikën në Mariupol.

“Hera e fundit që folëm ishte më 13 prill. Dhe pastaj vëllezërit e tij më dërgonin mesazhe se ai ishte ende gjallë”, ka bërë të ditur Ivleva, përcjell Telegrafi.

Kush janë luftëtarët ukrainas 'të bllokuar' në fabrikën e çelikut në Mariupol?
Lexo po ashtu Kush janë luftëtarët ukrainas 'të bllokuar' në fabrikën e çelikut në Mariupol?

Megjithëse zyrtarët e qeverisë ukrainase kanë qenë në kontakt, ajo nuk ka “asnjë informacion” se ku po mbahen luftëtarët e Azovstal dhe në çfarë kushtesh, tha ajo për CNN.

Megjithatë, ajo shpreson se burri i saj është ende gjallë, edhe nëse është në robëri.

“Ne të gjithë – familjet, gratë dhe nënat e marinsave, po qëndrojmë afër njëri-tjetrit, ne jemi gjithmonë në kontakt me njëri-tjetrin 24/7”, ka treguar më tej ajo. “Ne shkëmbejmë gjithmonë çdo lajm të disponueshëm, jemi si një familje”.

Pas një rrethimi të gjatë, qyteti port ukrainas i Mariupol ra nën kontrollin e plotë rus në fillim të këtij muaji me dorëzimin e Azovstal, vendi i fundit i qytetit ku qëndruan forcat ukrainase.

Sidoqoftë, është e paqartë se sa trupa ukrainase janë tani në paraburgimin rus, por ushtria ruse ka pohuar se mbi 2,000 anëtarë të shërbimit ukrainas janë dorëzuar atje.

Ndryshe, propaganda shtetërore ruse i ka demonizuar mbrojtësit e Azovstal si “nazistë”, duke ngritur shqetësime serioze se si mund të trajtohen në robëri.

Ndërkohë një grua tjetër e quajtur Yana – i dashuri i së cilës është një marinar që ishte në Azovstal – foli për CNN.

Dikur qytet shumë i zhvilluar, sot vetëm rrënoja – si është jetuar në Mariupol para pushtimit rus në Ukrainë?
Lexo po ashtu Dikur qytet shumë i zhvilluar, sot vetëm rrënoja – si është jetuar në Mariupol para pushtimit rus në Ukrainë?

“Unë nuk kam dëgjuar nga ai apo asgjë për të”, citohet të ketë thënë ajo. “Hera e fundit që kemi qenë në kontakt ka qenë më 11 maj”.

Qeveria ukrainase nuk ka dhënë asnjë informacion se ku mund të jetë i dashuri i saj, tha ajo.

“Nëna e të dashurit tim u kontaktua nga [Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq – ICRC], nuk e mbaj mend kur saktësisht. Ata i thanë vetëm se ishte gjallë, kaq”.

ICRC është përfshirë në regjistrimin e luftëtarëve që largohen nga uzina Azovstal që nga 17 maji – pjesërisht për të ndihmuar të burgosurit e luftës të mbajnë kontakte me familjet e tyre.

Organizata ka punuar në Ukrainë që nga viti 2014, kur filloi lufta në rajonin e Donbasit të Ukrainës.

Veç këtyre, edhe një grua tjetër e një mbrojtësi të Azovstal, Tetiana, tha se burri i saj arriti ta telefononte nga një numër i panjohur pas dorëzimit dhe tha se disa nga shokët e tij po mbaheshin në një qytet në rajonin e Donjeckut të kontrolluar nga separatistët.

"Asgjë nuk ka mbetur": Mariupoli 'mbledh copat' pas luftimeve të ashpra për disa javë – rrëfimet e atyre që kanë mbetur aty
Lexo po ashtu "Asgjë nuk ka mbetur": Mariupoli 'mbledh copat' pas luftimeve të ashpra për disa javë – rrëfimet e atyre që kanë mbetur aty

CNN pranoi të mos raportonte mbiemrin e saj për të njëjtat arsye.

“Zëri i tij ishte i qetë”, ka treguar ajo. “Ai tha se kushtet që po mbaheshin ishin në rregull. Ai tha se mund të jetë e mundur që në të ardhmen të lejohen të marrin disa pako”.

Tetiana tha se foli me burrin e saj për rreth dhjetë minuta dhe se burri i saj tha se do të përpiqej të telefononte përsëri.

Por që atëherë, edhe ajo nuk ka dëgjuar asgjë.

“Kjo është ajo që ndodhi, nuk ka më telefonata apo lajme”. /Telegrafi/