LAJMI I FUNDIT:

Arsimi në grevë, nxënësit në parqe

Arsimi në grevë, nxënësit në parqe

Në shumicën e shkollave në vend po vazhdon greva në sektorin e arsimit. Këtë situatë nuk po e vlerësojnë pozitive njohësit e arsimit të cilët po thonë se kësaj situate i duhen pesë vite rikuperim. prindërit e kujdestarët e fëmijëve po thonë se ata po presin me padurim ndryshimin e kësaj gjendje.

Në ndërkohë, Ministria e Arsimin nuk ka dhënë ndonjë zgjidhje të re për gjithë këtë situatë, e ndërsa shumë nxënës shumë pranë e kanë shkollën, por në bankat e tyre nuk mund të ulen. Por  pjesët rekreative të institucioneve  mësimore po shfrytëzohen nga fëmijët.


E Azem Azemit i cili doli pranë shkollës me nipin e tij, nuk po i pëlqen situata e krijuar.

“Në vend që të shkojë në shkollë, po duhet me i qitë tash me shëtitë nëpër këto kënde që i kanë fëmija. Mjerisht shumë keq me u mbyllë shkollat në fillim të vitit shkollor. Mbase edhe sindikalistët kanë të drejtë por edhe ata duhet me kuptojnë situatën politike si është”, ka theksuar Azem Azemi – gjysh.

Azem Azemi – gjysh

Disa prindër po angazhojnë edhe kujdestare për fëmijët e tyre.

Fatime Bllaca, ka thënë se dëshirë e fëmijëve është të kthehen në shkollë.

Jasharaj flet për intervistimin nga policia, shprehet i habitur se si arriti qytetari që e sulmoi të hyjë në sallën ku po mbanin mbledhje
Lexo po ashtu Jasharaj flet për intervistimin nga policia, shprehet i habitur se si arriti qytetari që e sulmoi të hyjë në sallën ku po mbanin mbledhje

“Fëmija shumë po kanë qejf, shikoje ky po i vogël është edhe po thotë pse nuk po shkoj në kopsht e le më kjo tjetra që e ka pritë shumë gjatë me hy në klasë të parë. Grevën nuk po e dinë çka është por po e dinë që diçka nuk është në rregull”, ka thënë Fatime Bllaca – kujdestare.

Fatime Bllaca – Kujdestare

Si situate aspak të mirë për t’i vazhduar ato, po konsideron njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj.

“Në këtë kontekst, duke e ditur që kemi dy vite që kemi humbur për shkak të pandemisë ateherë kuptojmë që gjendja e tanishme nuk lejon luksin e vazhdimit të çfarëdo grevë në sistemin arsimor kosovar”, Ka thënë Xhavit Rexhaj – Njohës i Arsimit.

Greva mund të vazhdojë nëse nuk ka dakordim ndërmjet BSKP-së dhe Qeverisë, kanë thënë nga SBASHK-u.

Xhavit Rexhaj – Njohës i Arsimit

E për këtë Ministria e Arsimit, në një përgjigje për Dukagjinin tha se i është përgjigjur kërkesave të Sindikatës.

“Janë ngritur koeficientet në të gjitha kategoritë e mësimdhënësve dhe stafit tjetër të shkollave. Kemi eliminuar padrejtësitë e shumë punonjësve të sektorit të arsimit si bibliotekist, psikolog, pedagog dhe sekretar në raport me ligjin e kaluar. Pra, nuk ka asnjë shqetësim të mësimdhënësve që nuk e kemi adresuar”, ka theksuar Ministria e Arsimit.

Ministria tutje ka apeluar që të mos humben orët e mësimit dhe mësimdhënësit të kthehen në shkolla.

Greva në arsim ka filluar zyrtarisht nga data 25 gusht. Sindikalistët po kërkojnë nga 100 euro shtesë në pagë, deri në implementimin e Ligjit të Pagave./RTV Dukagjini/