Arsenal ka nisur punën për një ristrukturim të thellë të skuadrës përpara afatit kalimtar veror.

Pas një sezoni të shoqëruar me ndryshime të rëndësishme në repartin ofensiv, klubi londinez po shqyrton largimin e dy prej sulmuesve më të njohur: Kai Havertz dhe Gabriel Jesus.


Të dy lojtarët kanë humbur terren në rotacionin ofensiv, sidomos pas ardhjes së Viktor Gyokeres, i cili është shndërruar në pikën kryesore të sulmit.

Shfaqja e sulmuesit suedez ka qenë vendimtare në qasjen e re të Arsenalit. Gyokeres ka sjellë gola, lëvizshmëri dhe prezencë fizike, duke u bërë shumë shpejt një element kyç në sistemin e trajnerit Mikel Arteta.

Si pasojë, Havertz dhe Jesus kanë kaluar në plan të dytë. Të dy, që kishin role të rëndësishme në sezonet e kaluara, kanë parë rënie të minutazhit dhe ndikimit në lojën e ekipit.

Me vendimin për të hapur derën e largimit për të dy futbollistët, Arsenali ka vendosur edhe vlerat përkatëse. Për Havertz, klubi pret të arkëtojë mes 70 dhe 80 milionë euro, një shifër që reflekton cilësinë dhe eksperiencën e tij në nivelet më të larta.

Ndërkohë, për Jesus është vendosur një çmim minimal rreth 40 milionë euro. Sulmuesi brazilian, pavarësisht një sezoni jo të qëndrueshëm, mbetet një profil i kërkuar për shkak të punës së madhe në fushë dhe fleksibilitetit në sulm.

Në total, shitja e të dy lojtarëve mund t’i sjellë Arsenalit rreth 120 milionë euro, një shumë e rëndësishme për të financuar afrimet e reja gjatë verës./Telegrafi/

telegrafi sport app