Subvencionimi i linjave ajrore për mërgatën, Kurti sqaron masën 2 milionëshe

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka sqaruar lidhur me vendimin e qeverisë që t'i subvencionojë linjat ajrore që lidhin Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” me destinacionet nga të cilat vjen mërgata kosovare.
Sipas Kurtit, kjo masë është marrë me qëllim lehtësimin e udhëtimeve të bashkatdhetarëve gjatë sezonit veror, si dhe për të shmangur anulimet e mundshme të fluturimeve si pasojë e rritjes së kostos së karburantit.
Ai theksoi se praktika të ngjashme zbatohen nga shumica e shteteve në rajon dhe më gjerë, me synim nxitjen e turizmit dhe lidhjen me diasporën.
“Me mërgatën tonë të mrekullueshme që nuk humb asnjë vit pa ardhur në vendlindje, kemi edhe një arsye më shumë për ta bërë këtë. Rreziku i anulimit të fluturimeve gjatë korrikut dhe gushtit do të kishte pasoja për qytetarët dhe ekonominë e vendit,” ka deklaruar Kurti.
Ai bëri të ditur se për këtë çështje ka angazhuar ministrat Hekuran Murati dhe Dimal Basha për të shqyrtuar dhe realizuar masën mbështetëse.
Sipas tij, vendimi i fundit prej 2 milionë eurosh do të zbatohet për periudhën e mbetur të sezonit veror të aviacionit, deri në fund të muajit tetor, dhe do të shërbejë për subvencionimin e linjave ajrore që lidhin Kosovën me qytetet kryesore ku jeton mërgata.
Kurti gjithashtu hodhi poshtë interpretimet se masa ka lidhje me proceset zgjedhore, duke theksuar se bëhet fjalë për një skemë të zakonshme mbështetëse ekonomike./Telegrafi.







































