Arrestohet një 65-vjeçar për kanosje me armë zjarri në Brezovicë

Një person është arrestuar të mërkurën në Brezovicë, pasi dyshohet se ka kanosur me armë zjarri tre persona pas një mosmarrëveshjeje në një shteg malor.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 5 gusht 2026, rreth orës 16:30, në afërsi të qendrës së skijimit në Brezovicë. Policia në Shtërpcë ka pranuar informacion për një rast të kanosjes me armë zjarri dhe ka nisur hetimet.
Hetimet fillestare tregojnë se tre persona, të cilët po lëviznin me kuajt e tyre në një shteg të ngushtë malor, janë përballur me një person tjetër, i cili dyshohet se kishte lënë kalin e tij në rrugë dhe kishte refuzuar ta largonte për t'u mundësuar kalimin.
Pas një mosmarrëveshjeje verbale, i dyshuari, N.H., 65 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, dyshohet se ka nxjerrë një pistoletë dhe ka kanosur tre personat, duke përdorur njëkohësisht edhe fjalë fyese.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti është duke u hetuar.
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në trajtimin e çdo rasti që cenon sigurinë publike dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo veprim të kundërligjshëm në numrin emergjent 192 ose përmes aplikacionit "Lajmëro Policinë". /Telegrafi/




































