Oficeri i Shërbimit Korrektues, Argjend Behramaj thotë se në 2014-ën kur kishte ndodhur rasti i arratisjes së Sami Lushtaku, Sahit Jasharit dhe Ismet Haxha, një turmë njerëzish i kishin kërkuar të largohej nga dera e dhomës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) të të arratisurit Sahit Jashari.

Këtë deklaratë Behramaj e ka dhënë të hënën në cilësinë e dëshmitarit, gjatë seancës së rigjykimit ndaj të akuzuarave Emrush Thaqi dhe Nexhib Shatri për arratisjen e tre të paraburgosurve, Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha, që si pacientë ishin duke u trajtuar në QKUK.

Ai duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores speciale, Florie Shamolli, ka thënë se për rastin konkret ka qenë i vetëm nga zyrtarët korrektues duke e mbikëqyrur ish të paraburgosurin Sahit Jashari.

Ai po ashtu ka deklaruar se në ditën kritike nuk ka qenë i pajisur me mjete mbrojtëse, të cilat sipas tij janë të obligueshme për çdo zyrtar korrektues.

Sipas tij, përderisa ishte duke e mbikëqyrur Sahit Jasharin kishte ardhur një turmë prej me shumë se 10 njerëzve dhe se fillimisht ai ka thënë se ka tentuar të rezistojë, por që ka qenë e pamundur.

Ndryshe, gjatë kësaj seance janë dëgjuar edhe dëshmitarët Sokol Zogaj dhe Zyrafete Imeraj, e cila tani është zëvendësuese e drejtorit të Qendrës Korrektuese në Dubravë.

Në vazhdimin e dëshmisë së tij para trupit gjykues, dëshmitari Zogaj ka thënë se kishin komunikuar me drejtorin e Qendrës së Paraburgimit në Dubravë, Milan Radojeviq ,për ta pyetur këtë të fundit për sigurinë në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë.

Ai ka thënë se Radojeviqi iu kishte treguar se nuk është në gjendje të ofrojë siguri adekuate për të paraburgosurit në Qendrën e Paraburgimit në Dubravë.

Kur është fjala për rastin e tre ish të arratisurve Sami Lushtaku, Ismet Haxha dhe Sahit Jashari, dëshmitari Zogaj ka thënë se me të drejtë kishin reaguar, pasi që sipas tij në mënyrë të njëjtë edhe i ndjeri Oliver Ivanoviq ishte transferuar nga Qendra e Paraburgimit në Prishtinë në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë.

Sipas dëshmitarit Zogaj, ana profesionale ka munguar në këtë rast të arratisjes, pasi sipas tij kur akuzohet edhe drejtori i Qendrës së Paraburgimit ne Prishtinë, nuk ka vend për përgjegjësi për arsye se kushtet e sigurisë nuk kanë qenë nivelin e duhur.

Ndërsa, dëshmitarja Zyrafete Imeraj gjatë dëshmisë së saj ka deklaruar se si kompetencë e saj ka qenë siguria e të burgosurve dhe të paraburgosurve në Dubravë.

Lidhur me trajtimin në Qendrën e Paraburgimit në Dubravë, dëshmitarja ka thënë se të burgosurit fillimisht trajtohen në Dubravë ,por në rast se kjo qendër nuk e ofron një trajtim që i nevojitet të paraburgosurit, atëherë ai dërgohet në QKUK apo në spitalet regjionale.

Tutje, ajo ka thënë që pasi mjeku jep udhëzimin, udhëzimi vie te drejtori e më pas merret leja nga gjykata e deri te njësia e transportit.

“Në momentin që mjeku jep udhëzimin, udhëzimi vjen te drejtori, atëherë drejtori e ka për obligim me marr lejen prej gjykatës, pastaj e ka për obligim me bo kërkesën te njësia e transportit për transportimin e tyre. E nëse aprovohet leja nga gjykata, atëherë drejtori duhet me u siguru që me i pas dokumentet e nevojshme sikurse aktvendimin apo aktgjykimin, pakon e arratisjes me te dhënat dhe foton e te burgosurit, edhe drejtori e nënshkruan daljen për destinacionin e caktuar”, tha dëshmitarja Imeraj.

Sipas dëshmitares, mbikëqyrjen e të paraburgosurve në rastin konkret e ka pasur Drejtoria për Siguri dhe Operativ dhe e njëjta ka deklaruar se nuk ka qenë e njoftuar se sa oficer kanë qenë duke e ruajtur një oficer.

Ajo edhe pas pyetjes nga trupi gjykues, ka theksuar faktin se sigurimi i të paraburgosurve Lushtaku, Jashari dhe Haxha ka qenë në kompetencë të Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuqi ka thënë se për seancën e radhës do të ftohen dëshmitarët Besa Sahiti dhe Ismajl Avdimetaj.

Seanca e radhës është caktuar më 15 nëntor 2021, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, ky rast më pare është gjykuar nga gjykatësi Shashivar Hoti, por pasi ka ndërruar jetë, rasti ka kaluar tek gjykatësi Agim Kuçi.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 4 prill 2020 kishte shpallur aktgjykimin në rastin e arratisjes së ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtakut dhe të tjerëve nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), e cila kishte ndodhur në vitin 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.

Për këtë arratisje nga QKUK, gjykata e kishte liruar nga akuza Lushtakun, por e kishte dënuar me 12 mijë euro gjobë për dy arratisje të tjera që kishin ndodhur me 21 gusht 2015 dhe më 22 shtator 2015.

Përveç Lushtakut, me nga 1,000 euro gjobë ishin dënuar edhe gardianët të cilët kishin qenë në përcjellje të Lushtakut, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena.

Ndërsa të gjithë të akuzuarit tjerë, përfshirë edhe djalin e Lushtakut, Mërgim Lushtakun si dhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj, ishin liruar nga akuza.

Por aktgjykimi ndaj të akuzuarit Thaqi dhe Shatri është anuluar nga Gjykata e Apelit.

“Gjykata e Apelit e ka anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë sa i përket pjesës liruese për pikat 1 dhe 2 për të akuzuarin E.Th. për dy vepra penale “keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, dhe për të akuzuarin N.Sh. në pikën 14, për vepër penale “keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, “falsifikim i dokumentit” dhe “lehtësim i arratisjes së personave të privuar nga liria”, dhe për pikën 15 për vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”. Çështja penale për këto pika është kthyer ne rigjykim”, thuhej në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

Për dy raste të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar po akuzohet i pandehuri Thaqi, ndërsa për një vepër të kësaj natyre po akuzohet i pandehuri Shatri, i cili po dyshohet edhe për kryerjen e veprës penale “falsifikim i dokumentit” dhe veprës penale “lehtësim i arratisjes së personave të privuar nga liria”.