LAJMI I FUNDIT:

Arra ime… si një mit i Ahmet Osjes

Arra ime… si një mit i Ahmet Osjes

Nga: Frano Kulli

Në cepin e oborrit të shtëpisë sonë në breg të detit, një oborr i yni i përbashkët i katër shtëpive në dy kulme, unë kam mbjellë një arrë. 16 a 17 vjet më parë e kam mbjellë. Në fillim në një vazo të madhe , me dhé të përzjerë me pleh organik. E pastaj, diku pas nja dy vjetësh, pata hapë një gropë nja një metër me një metër dhe arrën, megjith bukëdheun e vet që kishte pasë në vazon e madhe e futa në gropë…Tani arra është aq e madhe sa, në verë mbulon me hijen e saj një pjesë të mirë të oborrit. Se, në fillim, ashtu si për hije e pata mbjellë. A ndoshta më tepër si falënderje për sjellësin e kokrrës së arrës -farë. Për Ahmet Osjen e miqësinë me të.

Profesor Ahmeti, miku i mrekullueshëm i miqve të panumërt, atë kokërr arre e kishte sjellë nga Amerika. E mbaj mend si tani, ditën kur ma dha; një arrë me një formë gjashtëkëndëshe, aspak e ngjashme me frutin që kishim njohur deri atëherë. Nuk u zgjat me këshillat se si mbillet e ç’fruta bën…a ndoshta m’u duk mua kështu, se mbase iu shfaqa shpejt kurreshtjeshuar e menjëherë kaloi në bisedat për librat e për historinë tonë. Pa harruar ritualin e përsëritjes së ditëve me diell, në Shqipëri për faunën dhe florën, për mundësitë e pakufishme të bimësisë së shumëllojëshme që mund rritej e zhvillohej tek ne. Po edhe për vendin e dytë që zëmë në Europë për rezervat ujore. Si shenja begatije të paanë e mundësi prosperiteti pacak. Ky ishte rituali i çdo bisede që profesori bënte. Me secilin prej miqve kështë, si kur takohej veçmas a në tavolina në bare ku pinte veç kafe.


-Nuk di a ta kam thënë se im atë ka punuar në shtypshkronjën e dom Ndocit. Dom Ndoc Nikajt. Vinte prej Pulajve të Velipojës… – e biseda vijoi pastaj me pasionin për librin e dijen, lindjen e të cilit e lidhte me fëmininë. Këtë e dëgjoja për herë të parë e, natyrisht më bëri më shumë kurreshtar se shumë herë të tjera.

Po nuk është kjo arsyeja pse unë ndala në këtë ndodhi krejt të përveçme ndërmjet dy miqve, njëri prej të cilëve ende se ka bërë vitin që është ndarë këso jete. E gjitha do të përbënte fare pak interes publik nëse nuk do të ishte fjala për Ahmet Osjen, profesorin ditunar e gjithpamës, me një oratori fantastike e, familjar prej së vërteti me mjaft fusha të dijes. Përposë asaj të agronomisë, që ishte profesioni, të cilit i ishte dedikuar, po kështu plot pasion, qysh në rininë e herëshme…

Në fundin e rregjimit, profesor Ahmetin e patën bërë edhe ministër të bujqësisë. Kund nja dy muaj ndejti ministër. Taman në atë kohën në kapërcyell të sistemeve, kur Ramiz Alisë i duheshin ca penelata për me e bojatisë disi rregjimin e tij të ndryshkun fort, deri në të këputun. Nuk është se bëri shenjë në atë post edhe Ahmeti, mbasi atyre ditëve postet ministrore ishin. , si me thënë, të “shkruara në akull”. Vinin e iknin më shpejt se sa kishin ardhë dhe shërbenin vetëm si amortizatorë të trandjeve të tranzicionit të ndërrimit. Por edhe në këto rrethana ai e la një shenjë. Ahmet Osja mbahet mend e do të mbahet gjatë , mesa duket, si i vetmi ministër shqiptar që udhëtonte me tren. Qyshse ishte krijue shteti shqiptar e deri sot ai ishte i pari dhe i vetmi, i papërsëritshëm…Si pikë referimi përballë nevojës shungulluese për ti parë ministrat tanë atëhere e sot e përgjithmonë, si njerëz që dinë edhe të udhëtojnë si njerëz…E jo si qenie të neveritëshme, që posti i transplanton.

Ahmetin e morën dhe e bënë ministër nga Institutii Misrit dhe i Orizit në Shkoder. Aty ka pasë qenë krijuar asokohe një mit…Miti i studiuesve agronomë akademikë si Hysen Laçej e profesor Ahmeti e të tjerë, që e kishin ngritur atë institut me farëra të sjella “ilegalisht” nga Europa. Rrëfimet vinin ndër veshët e njerëzisë në formën e legjendës. “Heronjtë e legjendës”, agronomët e atyshëm, shkolluar kush këtu e kush jashtë, në vendet e Eurpës lindore ishin kthyer prej vizitave të kufizuara nga jashtë me kokrra farnash nëpër xhepa e me pastaj kishin krijuar aty në qendrën e tyre studimore asohibridesh, kultivarë që kishin arritë prodhimtari të lartë, përtej kufinjve të ëndërrës për bujqit shqiptarë e bujqësinë e deriatëherëshme. Deri në 150 kuintalë misër për një hektarë të mbjellë. Në të vërtetë ai mit përrethonte Hysen Laçejn, që ishte edhe drejtuesi i atij Instituti dhe perceptohej e transmetohej, në mënyrë orale taman si një mit, ndoshta edhe për rrethanat e Shqipërisë së mbyllur…Nuk e di. Porse ja, që “legjenda” përmendet e kujtohet edhe sot.

Madje përsëritet. Në trajtë e në formë disi të përngjashme. Më tregonte një ditë Altini i “Mrizit”. Altin Prenga, kreatori i mrekullisë “Mrizi i Zanave”, që e ka ende një akt të parealizuar, me shku në gjendje civile e me formalizue mbiemrin e dytë. (ndjesë i dashur Altin, nëse të dogonisi (bezdisi)me këtë shaka). Altini ka krijuar një orizore në fermën e “Mrizi…)-t. Mbjell aty orizin, një kulturë bujqësore edalun fare, prej më se tridhjetë vjetësh. Dhe në restorantin e Mrizit , prej dy vjetësh, të tijtë, guzhinierët e “Mrizit…”gatuajnë orizin e fermës së vet. Si shumçka tjetër, që i ka sjellë famën Altinit e të tijëve. Këto ditë, ai po përgatiste një si dhuratë të çuditëshme e befasuese për t’jua monstruar në tavolinë klientëve të vet. Nga një kalli orizi. Një prej aso suprizash të shpeshta që ai ua monstron atyre. Po edhe si dëshmi se risoto-ja që konsumonin aty ishte e gatuar meoriz vendi. Të mbjellë e të korrë këtu. Në Fishtë poshtë, diku ndërmjet Krajnit e Fishtës në Zadrimë. Por edhe si kujtesë se kjo kulturë e harruar ka pasë qenë kultuvue ma parë edhe këtu ndër ne.

-Ku e ke gjetë farën ?- e pyes.

-Një mik i imi në Itali, Filip Haxhari, më ka ndihmuar.

Unë buzëqesh, ai hesht. Dhe pezull i rri pyetja për mua:a e njeh ? I them se jemi miq e se ime shoqe e ka kushëri…

Edhe Filipi ka punuar nëInstitutin e Misrit e të Orizit dikur. Agronom i ri, asokohe. Pas studimeve ekselente e çojnë për një specializim për orizin në Kore (se me Kinën kishim kohë të prishur). Më pas një tjetër specializim i dytë në Verçeli, në Piemonte Itali. Fati i tij. Verçeli është i dalluar, jo vetëm në rajonin e Piemontes, por edhe në Itali për kultivimin e orizit. Nëntëdhjeta e gjen atje. Kthehet, por… Instituti po shprishej, orizoret do të hynin në pragun e harresës…Rikthehet atje në Verçeli e, tani jeta e karriera i ka marrë për mbarë. Aq për mbarë sa mos me iu ba me e kthye kryet mbrapa…Por ja që pikëtakohen përvojat e fatet njerëzore. Filipi, tash mbas tri dekadash e ka realizuar plotësisht vetveten. Edhe Altini pas nja pesëmbëdhjetë vjetësh në emigracion është kthyer e ka themeluar perandorinë e së mirës e të dobishmes. Forca tërheqëse e atdheut, është një instinkt i njeriut. Ajo ekziston si e tillë edhe atëherë kur ta ndyjnë e ta neverisin sa s’ka, atdheun. Ata që ti i ke zgjedhë bash për atë tjetrën, për zhvillimin e prosperitetin. Se ajo është si gravitacioni i tokës…