LAJMI I FUNDIT:

Anjeza Maja: Biznesi, dashuria e re

Anjeza Maja: Biznesi, dashuria e re

Audienca e duartroket sa herë ajo shfaqet në ekran, mediat e kanë protagoniste në studio televizive apo kompeticione të ndryshme artistike, me kolegët ruan raporte të mira, me fjalë të tjera ajo është një nga vajzat më të ekuilibruara që njohim në jetën publike në vend. Por, edhe tejet ambicioze!

Ajo ka mbërritur këtu falë ideve të qarta në kokë, punës së palodhur ndër vite dhe dëshirës për të qenë në maja, aty ku gjithherë ka dëshiruar të jetë. Me shumë gjasë do të na marrë malli që ta rishohim sërish në ekran, sepse angazhimi i saj i ri profesional nuk ka fare lidhje me botën mediatike.


Tjetërsoj është profili i ri, me të cilin Anjeza Maja do të shfaqet shumë shpejt! Për herë të parë, këtë projekt ajo e ka rrëfyer ekskluzivisht për Class, ku siç rrëfen ajo do të jetë pjesë e stafit kryeministror në një projekt ambicioz të Endri Fugës.

Biznesi është sipërmarrja e saj e re, e gjitha e fokusuar në një SPA Medical. Ky është angazhimi që i “rrëmben” Anjezës gjithë paraditet, për të vrapuar më pas në provat për spektaklin e emocionit dhe kërcimit në Tv Klan “Dance with me”.

Një ditë perfekte për ju si duhet të nis?
Me diellin, e dua shumë kohën me diell dhe mëngjese kur njerëzit që takoj qeshin. Kur ulem të marr kafenë time dhe nuk kam shumë impenjime. Këtë periudhë jam aq e ngarkuar sa nuk kam kohë ta shoh bukurinë, por kjo është e bukura jetës që ajo ndodh pa e pasur vëmendjen tonë në çdo detaj.

Si u përfshive në spektaklin e kërcimit “DWM”?
Vera, më telefonoi një ditë vere. Isha jo fort në humor, dhe zëri i Verës përtej telefonit me energjinë e saj më fshiu çdo gjë. Ajo fliste, dhe më thoshte gjërat që doja të dëgjoja atë ditë, sigurisht që i thashë “PO”. A refuzohen njerëzit që veç na japin fat, respekt e dashuri?!

Çfarë mendon për çiftet e tjera pjesëmarrëse në këtë edicion të pestë të “DWM”? E kishte menduar ndonjëherë veten në një garë të tillë konkurruese?
Janë të gjithë të mirë. Gati mërzitem nëse fitoj vetë, se kështu jam unë. Dua mundësisht të fitojnë të gjithë. E di që duket e pabesueshme, por kështu është.

Më mirë kërcimi apo prezantimi?
Nuk mund të vendosim krahasim! Pastaj si mund të vendos në peshore një emocion me atë që e kam profesion. Prezantimi, duket i lehtë dhe sikur s’të fal ndonjë emocion, por më beso është si të këndosh një këngë të vështirë e t’ia dalësh.

Në fakt, duket se televizioni është ‘toka jote e sigurt’ aty ku prej vitesh të kemi parë në rolin e moderatores. Pse u largove nga Top Channel?
Tokë e sigurt nuk është për askënd televizioni. Televizioni është një tokë e minuar dhe që kërkon të jesh gjithmonë i vëmendshëm, mos vritesh. Sigurisht e kam simbolikisht, sepse nga ana tjetër do thoja që është edhe më i thjeshti, nëse beson tek vetja dhe ecën afër njerëzve të duhur. Nëse nuk të bëhet familje një ekran, më mirë të ikësh. Në bankë mbase nuk është e nevojshme. Besoj ta dhashë përgjigjen!

Ke projekte konkrete për në ndonjë televizion tjetër apo do shkëputesh për disa kohë nga ekrani?
Unë në fakt mendoja që dua të tërhiqem, por sikur vijnë projekte. Tani jam tek “Dance with me”, por nuk i dihet më vonë. Nuk e kam lejen të flas tani, nga vetja ime sigurisht.

Përflitet fakti që do të përfshihesh në një biznes gastronomie, të tipit restorant, kuzhinë. E vërtetë?
Jo, është një Spa Medical e cila merr gjithë paraditet e mia. Edhe kjo ideja jote po më pëlqen. Mundet ta konsiderojmë (qesh)

Pse të pëlqen kaq shumë gatimi?
Se ju pëlqen të gjithëve.

Receta jote e preferuar dhe çfarë ti gatuan më shpesh?
Nuk kam një pjatë fikse, boll mos të jetë e komplikuar dhe me sasi të mëdha. Dua ushqimin e freskët dhe që të jep besim se është gatuar me cilësi.

E konsideron veten një mjeshtre e artit të gatimit apo thjesht eksperimenton ende?
Aspak një mjeshtre se për këtë ka shefa në këtë vend edhe në botë. Por, bëj pjesë tek njerëzit që ia gjej nepsin vetes dhe di të porosis në një meny të madhe, pjatën që ma kanë gjithmonë zili në tavolinë. Duhet ta kem një talent të vogël në këtë pikë.

Flasim pak për fizikun dhe pamjen tënde të jashtme! Lëkura jote është kaq e mrekullueshme: janë gjenet e arta apo kujdesi?
Gjenet besoj. Unë shumë vonë kam nisur të mendoj për ndonjë krem, masazh, apo trajtim. Por besoj që me Spa-në që do të hap do të jem edhe më e vëmendshme.

Cili është kujdesi që tregon për veten tënde? Trajtime fytyre, palestër, dietë?
Dietë dhe palestër. Kam shumë frikë të shëndoshëm.

Sekreti yt për të qenë në super formë?
Unë gjithmonë kam gjëra që s’më pëlqejnë tek vetja. Se njeriu është i çuditshëm. Por, kur i thashë një ditë shoqes time, që më dukej trupi im jo dhe aq gjë, ajo më tha: Merr timin, po deshe e më jep tëndin.

Pesha trupore aktuale?
Nuk peshohem asnjëherë.

Kur ke qenë më shumë e shëndoshë në jetën tënde?
Para disa vitesh, por zgjati veç 6 muaj.

Si i ke raportet me udhëtimet? Ku pushove këtë verë?
Isha në Amerikë. Udhëtimet më pëlqejnë dhe sidomos me makinë!

Vendi më i bukur në botë që pret ta vizitosh?
Se them dot. Vendet varen me kë shkon, si je ti, dhe ndonjëherë edhe një fshat diku në një cep të botës mund të më duket më i bukuri në botë.

Raportet me meshkujt si i ke?
Nuk thuhen këto sekrete se pastaj e lexojnë meshkujt!

Je shprehur se po hap një kapitull të ri në çështjen e dashurisë. Për çfarë e ke fjalën konkretisht?
Që jam e dëshiruar për të krijuar familje.

Cilat janë tiparet e burrit që do të rrëmbente zemrën tënde?
Zemrën tani ma rrëmben vetëm një që me jep besim. Kam qenë kaq e pasigurt kur isha më e re, për shkak se mendoja se duhet të isha unë gjithmonë perfekte. Është krejt ndryshe, duhet vetëm të jemi të ndershëm me njëri-tjetrin!

Pse ke zgjedhur që të mos flasësh për jetën tënde private? Nuk ka gjëra të reja dhe interesante apo është private dhe si e tillë e ruan me fanatizëm për vete?
Nuk dua të flas për jetën private. Ndryshe do quhej jetë kolektive.

Femra ‘role model’ për ty cila është?
Nuk kam një role model. S’më pëlqejnë modelet se përfundojnë në imitim. Por, një ide për gruan model do thoja që është një zonjë, që nuk bërtet, që flet qetë, që nuk shtiret si e ëmbël dhe pastaj bën grifshën. Sportive, dhe që mbron familjen e saj pa asnjë kusht!

Sa orë në ditë punon?
Pothuaj gjatë gjithë ditës tani! Por në përgjithësi më kanë qëlluar punë që duhet të punoja nga mëngjesi deri më darkë. S’ka orë për mua.

Sa e lumtur je në këtë periudhë të jetës tënde?
Jam mirë!

Karriera jote si është në këto momente?
Ju më keni zgjedhur për në kopertinë, besoj nuk do jem keq (qesh)

Miqësia për ty, zbulim apo thesar?
Të dyja bashkë shkojnë!

Sa rëndësi kanë paratë në jetën tënde?
Kanë shumë rëndësi, por nuk janë më të rëndësishmet e jetës.

Ambicia jote më e madhe?
Të plakem me shumë nipër e mbesa dhe të mos i kem larg…

Tre cilësitë që ju identifikojnë për personin që jeni sot?
E duruar, këmbëngulëse, pasionante!

Projektet që të presin…?
Ah, po, së shpejti do të jem pjesë e stafit kryeministror. Është një projekt ambicioz i Endri Fugës dhe më pëlqen shumë si tokë e re në jetën time profesionale.