Doan Dani

Pjesë e celebrimit të pesëqind vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar, që i shërbente regjimit të Enver Hoxhës si mekanizëm legjitimues dhe konsolidonte te masa një memorie kolektive (të vetmen e lejuar) të standardizuar, nuk mund të mos ishte kodifikimi historiografik i Skënderbejadës, duke e analizuar atë fazë nga plane të ndryshme dhe filtra të njëjtë e natyrisht duke shqipëruar disa burime të kohës.

Koço Bozhori në 1967 dhe Selami Pulaha një vit më vonë sollën në shqip, me ndihmën e disa bashkëpunëtorëve, fragmente nga një sërë burimesh osmano-bizantine të fokusuara në shek. XIV-XV. Që prej punës së palodhur të dy studiuesve nuk është bërë më asnjë hap në pajisjen me një aparat kritiko-analitik sado minimal të këtyre burimeve, të cilët vijojnë të citohen si Fjalë e Shenjtë nga kushdo që ka akses e mund të ndjehet i zanatit sepse ka gjetur kutinë e lodrave të historianit, ndërsa shfleton ose transporton copy-paste materiale të formatuara kryekëput për nevoja ideologjike, për më tepër me metoda shkencore anakronike.

“Qëllimi ynë është të bëjmë të njohur lexuesit dhe studiuesit me të dhënat faktike si dhe me mënyrën se si i kanë parë feudalët turq luftërat e popullit shqiptar për të mbrojtur lirinë e pavarësinë e vet kundër pushtimit osman”, shkruan Pulaha në parathënien e kolazhit të rrëfimeve osmane, duke evidentuar filtrin përzgjedhës të burimeve.

Pas konsideratave rreth armiqësisë dhe përçmimit ndaj shqiptarëve të përshkruara në këto burime, Pulaha gjithashtu nxjerr në pah edhe një mënyrë leximi specifike teksa pohon se “fjalët fyese të përdorura nga këta autorë janë në të vërtetë lëvdata më e madhe për popullin shqiptar”, sepse konfirmojnë heroizmin dhe martirizimin.

Në harmoni me titullin e librit dhe me metodën historiografike dominuese, edhe Bozhori e konsideron rëndësinë e burimeve duke përdorur dhunën dhe konfliktin në përgjithësi si parametra përcaktuese, dhe kapitujt vërtiten rreth emërtimeve të tilla si “disfatë” – e sulltanëve natyrisht – “invazion”, “barbarizëm”, “masakër”, “pushtim”. Përshkrimi i dhunës merret si fakt i pakontestueshëm, kurse prania e saj propozohet si njësi matëse identitare e Vetes kolektive dhe e Tjetrit.

Pra, thënë ndryshe, fokusi i historiografisë shqiptare, i shprehur përmes këtyre përkthimeve, duhet të jetë qëndresa, dhe, kuptohet, çdo gjë e lidhur me të, nga dhuna tek urrejtja, prej ku ndërtohet imazhi i Tjetrit. Për të pasur një panoramë koherente të Tjetrit nevojitet një mpiksje e rrjedhës historike, duke e shndërruar dinamizmin e kohës në çastin e fiksuar nga fotografia, mundësisht me sfond, personazhe, simbologji e mesazhe përherë të njëjta.

Përkundrazi, në vend të analizës së teksteve, informacionet përqendrohen rreth autorëve. Si Pulaha ashtu edhe Bozhori japin disa të dhëna të thukëta rreth tyre, duke mos kursyer nënvizimin e përkatësisë klasore dhe njëanshmërisë. Fundja, as për Marin Barletin, burimi më i cituar rreth epopesë së Skënderbeut, përveçse më i njohuri e njëkohësisht më i huaji – ndryshe nuk shpjegohet arsyeja e histerisë kolektive sa herë që heroit i vihen në dukje plaçkitjet, të cilat vepra barletiane i paraqet me detaje – nuk është regjistruar ndonjë hermeneutike cilësore, për të mos thënë pastaj se parathënia analitike e Stefan Priftit, përkthyesit të Skënderbeut barletian, megjithëse relativisht e vëllimshme, është dogmatike dhe synon ta certifikojë veprën si objektive e jo ta analizojë: “Nuk kemi ndërmend të merremi me punën e vlerës historike të të dhënave të Barletit në mënyrë të hollësishme”, shkruan Prifti, sepse “e para, s’është kollaj të shpikësh një Skënderbej […]; e dyta, sepse Skënderbeu jeton ende i gjallë […]; e treta, sepse ne e pamë që Barleti udhëhiqet nga parimi i të vërtetës […]; e katërta, sepse, në qoftë që Barleti e tepron […], kjo nuk do të thotë se ai shpik apo gënjen». Në këtë mënyrë ajo do t’i funksionojë madhërimit të qëndresës, martirizimit dhe barbarizmit të pushtuesit”.

Nuk shmanget aspak prej këtij objektivi citimi i memorieve të Kostandinit, jeniçerit serb nga Ostrovica, në Skënderbeun e Aurel Plasarit. Pasi i ka përshkruar osmanët ekskluzivisht si shkatërrimtarë të etur për zjarr, gjak e seks, Plasari ironizon: “Ky të jetë qytetërimi ‘i ri’, madje ‘më i përparuari’, që pushtuesit turq sillnin në viset e Evropës juglindore?! Ejani e kuptojeni, po qetë të zotët”.

Në fakt s’mund të jesh i zoti, ka të drejtë, sepse vetë materiali i ofruar për gjykim, aq më tepër në përfundimet e librit, është përzgjedhur ekskluzivisht për të zhdukur çdo hije qytetërimi. Por, nëse objektivi ka qenë gjykimi mbi realitetin e shek. XV, atëherë panorama duhej të ishte më e plotë, dhe i cituari jeniçer nga Ostrovica e krijon këtë mundësi, siç ka vënë re Franz Babinger, i cili i vlerësonte Memoriet si shumë të vyera në lidhje me situatën perandorake të viteve 1451-1463, sepse qëllimi i Kostandinit ishte përshkrimi sa më i detajuar e real i organizimit osman, në mënyrë që të lehtësohej sulmi ndaj tyre: “Në fillim duhet të dihet se perandori [Mehmeti II] i mban nën zotërim të sigurt të gjithë kështjellat e tokave të tij përmes garnizoneve të jeniçerëve […]. Nëse doni të përgatiteni kudër turqve mos u rëndoni me armë”.

Me fjalë të tjera, autori rreket të prodhojë një “hartë” kulturore, politike, sociale e institucionale të perandorisë në ngritje, duke pohuar që në krye të shënimeve se ai është i krishterë dhe qartazi antiosman: “Siç besojmë, ashtu marrim Pagëzimin e shenjtë në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë. Dhe nga Krishti quhemi të krishterë, për nder të Zotërisë sonë. Prandaj, e adhuruara Trini e Shenjtë, lutemi për mëshirën tënde të shenjtë, denjo t’i ndihmosh të krishterët e tu dhe largoji paganët [osmanët] e mallkuar. Amen”.

Kësisoj, Memoriet rezultojnë potencialisht më afër realitetit – aq sa mund ta njihte përçuesi i tyre – në fragmentet narrative të “hartës”, pikërisht pjesët e ndëshkuara me indiferencë në traditën historiografike shqiptare, dhe jo rastësisht lexuesi i Skënderbeut të Plasarit do rastisë në Kostandinin si referencë i ndonjë fushate ose i pabesisë sulltanore të nënkuptuar si qytetërimore, siç është rasti i vijues, ku i propozohet Bosnjës armëpushimi e njëkohësisht dërgohet një ushtri për ta nënshtruar: “Një ditë jeniçeri ka vajtur në depon ku ruhen thesaret e oborrit të sulltanit, tek shërben vëllai i tij, kur aty ia mbërrijnë papritmas dy këshilltarët e sulltanit, Mahmut Pasha dhe Is’hak Pasha. I hequr m’anësh për të mos rënë sy, jeniçeri dëshmitar mban vesh bisedën e dy dinjitarëve të lartë të ulur këmbëkryq në sixhade, teksa kuvendojnë për Bosnjën”.

Episodi, i cili sfidon edhe serialin Ertuğrul, kondenson pjesët e një formati narrativ klishe – ‘një ditë’, ‘në depo’, ‘papritmas’, ‘këshilltarët’, ‘rënë në sy’, ‘mban vesh’, ‘këmbëkryq’, ‘sixhade’, ‘kuvendojnë’ – që nuk mjafton për t’i zhvlerësuar, megjithëse një hije e fortë dyshimi duhej të ishte alarmuese për çdo studiues, për më tepër të një vepre të deklaruar përçmuese që në hapje: dy dinjitarë të lartë (këshilltarë) «kuvendojnë» të ulur në “sixhade”, brenda në një “depo”, dhe aty, ata, ashtu, vendosin fatet e ushtrive dhe të politikës perandorake.

Nga njëra anë kemi përherë Skënderbeun që merr vendime, dhe maksimumi këshilltarët e tij shërbejnë si dekor, nga ana tjetër kemi perandorinë trashëgimtare të Bizantit, një superfuqi e kohës në të gjitha aspektet, të cilën perandori-sulltan e udhëheq personalisht në betejë, por fijet e historisë i lëvizin ca këshilltarë nëpër depo. Në formë e përmbajtje të krijon përshtypjen e ngjashmërisë me secilën nga ato karikaturat narrative të Orientit të cilat Said-i i ka shkëputur prej personaliteteve të shumta të trajtuara prej tij, madje, në disa aspekte, është tekstualizimi i pikturës së Giuglio Rosati-t (Arabët duke luajtur tavllë) që Feltrinelli ka përzgjedhur si kopertinë për edicionin italian të Orientalizmit, dhe ka të gjitha tiparet e riciklimit të një orientalizmi që dikur zgjatej nga Perëndimi për t’u banalizuar në publicistikën shqiptare të viteve ’20-’30 e cila në mediokritetin e sotëm është kthyer në fetish të një pjese të ligjërimit publik, si për të konfirmuar se jetojmë intelektualisht në fillimet e shek. XX e mos edhe më tutje.

E, teksa për barbarin e përhershëm zhdoganohet çdo burim me kushtin që e certifikon si primitiv dhe informacionet e tjera nga të njëjtat burime anashkalohen tërësisht, sapo diçka prezantohet kundër dogmës në përshkrimin e Vetes kolektive, (1) ose merr status lavdërimi, siç e gjykonte Pulaha, (2) ose shpallet armiqësore e për rrjedhojë duhet ndëshkuar, siç kërkonte Kristo Frashëri nga shteti, në formë mospunësimesh apo pushimesh nga puna (dhe këto metoda, për ta kulmuar ironinë, valëviten prej atyre që postojnë në Facebook shkeljet e lirisë në Turqi), (3) ose nis e merr jetë një refuzim “kritiko-analitik” i burimit, siç përpiqet të bëjë Plasari kur çmonton pretendimin se Skënderbeu ka qenë prej “çunave” të abuzuar seksualisht nga Murati II (dhe kjo pasi vetë Plasari i ka prezantuar sulltanët minimumi si perversë të pakufi), duke arritur në përfundimin se referuesi i këtij “fakti”, Halkokondili (i cili sigurisht ka më autoritet se Barleti), prirej “për ta lexuar termin greqisht ‘παιδικα’ jo ‘favorit’, ‘benjamin’, ose ‘kanakar’, por me ngjyresë ‘pezhorative’”.

Pra, kur nevojitet, zbulohet se ekzistojnë ngjyresa “pezhorative” në të njëjtat burime që, përkundrazi, nuk qenkan (apo nuk duhet të jenë) asnjëherë të tilla kur përshkruajnë osmanët. Tani, vërtetë «ejani e kuptojeni, po qetë të zotët», se çfarë ka historiografike produkti i legjitimuar nga kjo lloj analize burimore e kodifikuar gjatë regjimit dhe e zvarritur pas tij.