LAJMI I FUNDIT:

Ambicia që i nevojitet Evropës

Ambicia që i nevojitet Evropës

Presidenti francez Emmanuel Macron, së fundmi prezantoi platformën e tij për zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Evropian. Reagimet zyrtare ndaj qasjes së tij – të përshkruara në një koment të publikuar në të njëjtën kohë në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian – ishin kryesisht pozitive, madje edhe me kryeministrin euroskeptik të Hungarisë, Viktor Orban, dhe Liviu Dragnean e Rumanisë, duke miratuar agjendën e tij (për arsye taktike). Por, në mes të të gjithë këtij miratimi, një zë i dukshëm mungonte: Gjermania.

Anegret Kramp-Karrenbauer (e njohur si AKK) – udhëheqësja e re e Unionit Kristian Demokratik dhe pasardhësja e mundshme e Angela Merkel si kancelare e Gjermanisë – beson se vizioni i Macronit është tepër ambicioz dhe jo mjaftueshëm pragmatik. Përgjigjja e saj ndaj platformës së tij në mënyrë implicite sfidoi angazhimin e Francës për një Evropë më të centralizuar.


Së pari, ajo mbështet idenë që BE-ja të ketë një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara – një privilegj që, në Evropë, aktualisht e gëzon vetëm Franca dhe Mbretëria e Bashkuar. Së dyti, ajo theksoi nevojën për “heqjen e anakronizmit”, duke përfshirë edhe mbajtjen e takimeve të Parlamentit Evropian vetëm në Bruksel, në vend që të vazhdojë të mbajë seanca mujore në Strasburg.

Por, nëse ka ndonjë anakronizëm po dëmton Evropën, ai është angazhimi i Gjermanisë ndaj status quo-së. Përtej disa ideve për atë që Franca mund të sakrifikojë për Evropën, propozimet e AKK-së nuk sollën asgjë të re në tryezë – sigurisht që nuk kishte asnjë ide për atë që mund të ofrojë në këmbim Gjermania. Siç më tha një mik gjerman, i cili luajti një rol të rëndësishëm politik në vendin e tij në vitet 1990: “Ka shumë ide në anën franceze dhe shumë pak në atë gjermane.”

Çfarëdolloj arsyeje të përbashkët mund të ketë ekzistuar midis Francës dhe Gjermanisë më parë, ajo tashmë i ka lënë vendin një ndarjeje. Kjo është një përplasje jo vetëm e personaliteteve apo edhe e domosdoshmërive politike, por e nostalgjive: Franca dëshiron madhështinë e epokës Charles de Gaulle, ndërsa Gjermania kujton me dashamirësi stabilitetin e rehatshëm të Republikës së Bonit.

Në shtator 1989 – pak para rënies së Murit të Berlinit, kur komunizmi evropian tashmë kishte filluar të shpalosej – mora pjesë në një konferencë në Frankfurt, ku i thashë një audience bankierësh gjermanë se brenda pak vitesh Evropa dhe Gjermania do të të ribashkoheshin. Mosmiratimi i tyre ishte i dukshëm. Edhe nëse bashkimi ishte i mundur – nuk kishte gjasa, në sytë e tyre, pasi Bashkimi Sovjetik nuk do të pranonte kurrë – pse do të donte dikush të rrezikonte me historinë, duke ndryshuar një politikë që po funksiononte aq mirë, të paktën për Gjermaninë Perëndimore?

Ndërsa Gjermania ankohet për humbjen e stabilitetit të saj të rehatshëm, Franca mendon se nostalgjia e saj për madhështinë po përmbushet. Franca nuk mund ta rimarrë e vetme lavdinë e saj të mëparshme. Por, si një udhëheqëse e BE-së, ajo mundet. Çelësi është që Evropa të mbetet ambicioze – një domosdoshmëri që fiksimi i Gjermanisë me status quo-në vazhdon ta pengojë.

Çështja, natyrisht, është se cili vend po mbështet një qasje që i shërben Evropës në tërësi. Përgjigjja është e qartë: Franca.

Në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po përqafojnë izolacionizmin, Evropa nuk mund të mbështetet më te parteri i saj më i rëndësishëm ndërkombëtar. Ndërkohë, lojtarët që po (ri)lindin, sidomos Kina dhe Rusia, po punojnë shumë për të ndërtuar fuqinë dhe ndikimin e tyre.

Në përgjigjen e saj ndaj Macronit, AKK duket se i njeh sfidat që nënkupton kjo gjë. Ajo pyet, për shembull, “a duam ne që e ardhmja jonë të përcaktohet nga vendimet strategjike të Kinës apo Shteteve të Bashkuara, apo duam të luajmë një rol aktiv në formësimin e rregullave të bashkëjetesës së ardhshme globale?”

Ajo që AKK nuk arrin të kuptojë është se një Evropë ambicioze ka një shans shumë më të mirë për të konkurruar në këtë mjedis sesa një Evropë e amullt. Në këtë kuptim, Gjermania, dikur nxënësja më e mirë në klasën evropiane, po sillet si anëtarja e saj më përtace dhe më kokëfortë.

Për afro 30 vjet, evropianët kanë kërkuar një narrativë të re, një që është më pak për t’i rezistuar negatives sesa për të mishëruar pozitiven. Liderët e Evropës e kërkuan këtë te integrimi. Në kohën kur BE-ja zëvendësoi Komunitetin Ekonomik Evropian në vitin 1993, qëllimi i Evropës ishte të krijonte evropianë, të bashkuar nga vlerat, interesat dhe deri në një farë mase identiteti.

Programi Erasmus, i krijuar në vitin 1987, supozohej ta çonte përpara këtë qëllim. Në një darkë ku mora pjesë në mesin e viteve 1990, Kancelari gjerman Helmut Kohl ishte entuziast për planin. Ai besonte se shkëmbimet nga të rinjtë – ndarja e ideve dhe kulturave, së bashku me picën dhe birrën – do të krijonte një brez evropianësh. Ata do të krijonin familje evropiane, me fëmijë evropianë. Lufta midis tyre do të ishte e pakonceptueshme.

Pothuajse tre dekada më vonë, Evropa mund të mos kthehet dot nga e para pas këtij dështiimi, por sigurisht që po bën pas. Ndërsa Evropa e viteve 1950 ishte e dëshpëruar për të siguruar paqe dhe liri, e mbështetur nga sisteme dhe vlera liberale demokratike, Evropa e vitit 2019 po zgjedh partitë nacionaliste dhe populiste të cilat po e dëmtojnë në mënyrë aktive atë përpjekje. Ky nuk është një status quo që dikush duhet ta mbrojë. /Project Syndicate/BIRN/