LAJMI I FUNDIT:

Ambasadori britanik, për operacionin në veri: Veprim që kërkon konsultim me miqtë e palëkundur të Kosovës

Ambasadori britanik, për operacionin në veri: Veprim që kërkon konsultim me miqtë e palëkundur të Kosovës

Reagimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidhur me aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës në veri të vendit, ku u mbyllën pesë institucione paralele serbe, i është bashkangjitur edhe ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë.

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves, ka thënë se veprimet si ky i sotmi në veri të Kosovës kërkojnë konsultim me miqtë e palëkundur të Kosovës.

“Veprimet që ndikojnë në mënyrë të rëndësishme në mirëqenien e serbëve të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera jo-shumicë kërkojnë konsultime të kujdesshme me miqtë e palëkundur të Kosovës dhe partnerët e saj të sigurisë, në kontekstin e dialogut më të gjerë. Veprimet e sotme në veriun e Kosovës u ndërmorën pa këtë dhe rrezikojnë të nxisin tensione dhe të ndikojnë tek më të cenueshmit”, ka shkruar ambasadori Hargreaves, transmeton Telegrafi.


Ndryshe, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka thënë se është e “shqetësuar dhe zhgënjyer” me veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës të cilat pasqyrojnë rritjen e përkeqësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, pas mbylljes së pesë institucioneve paralele serbe në veri të vendit të premten.

Policia e Kosovës mbylli sot pesë institucione paralele serbe në veri të vendit, për të cilat u tha se vepronin nën udhëheqjen e Serbisë, duke e “cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Ambasada amerikane tha se është e shqetësuar se vendime të tilla të Qeverisë kosovare “vazhdojnë të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe negativ” ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë.

“Çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky veprim nuk ishte i koordinuar me asnjë element të bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.

Ambasada amerikane tha se SHBA-ja dhe partnerët e tyre ndërkombëtarë i kanë kërkuar vazhdimisht Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti të ketë prioritet koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe të mos ndërmarrë “veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

“Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave pasqyron një rritje të përkeqësimit real të partneritetit tonë”, tha ajo.

Ambasada amerikane përsëriti se “veprimet e pakoordinuara” të Qeverisë së Kosovës i vënë në “rrezik më të madh” qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, si dhe “përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme” tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar.

Ajo e kritikoi Qeverinë se po e përdor Policinë për të kryer “veprime të pakoordinuara”.

“Përderisa Qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm Policisë së Kosovës nga Qeveria për të kryer veprime të pakoordinuara që nuk janë në përputhje zotimet e Kosovës për ‘vazhdimin e konsultimit dhe koordinimit me komunitetin ndërkombëtar’”, tha ambasada amerikane.

Ambasada paralajmëroi se veprimet e Qeverisë se Kosovës do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit të SHBA-së me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës dhe elementët vartës të saj.

Edhe ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës në Kosovë, i janë bashkangjitur reagimit të Ambasadës amerikane

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë Gjermania i bashkohet Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë në shprehjen e shqetësimeve dhe zhgënjimit për veprimet e pakoordinuara.

”Kjo duhet të ndryshojë. Ne duam të heqim masat dhe të ecim përpara në lidhje me integrimin rajonal dhe evropian të Kosovës”, ka thënë Rohde, në një postim në “X”, transmeton Telegrafi.

Ndërsa ambasadori francez, Olivier Guerot, ka reaguar duke thënë se veprimet e njëanshme nuk sjellin zgjidhje të qëndrueshme.

“Veprimet që kanë ndikim të dëmshëm dhe pa dallim te pjesëtarët e një komuniteti, në këtë rast pjesëtarët e komunitetit serb, nuk janë të mirëseardhura. Njëanshmëria nuk sjell zgjidhje të qëndrueshme”, ka shkruar ambasadori Francez, në platformën “X”, transmeton Telegrafi.

Policia e Kosovës i ka mbyllur të premten pesë institucione paralele serbe në veri të vendit.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se institucionet paralele serbe kanë funksionuar nën udhëheqjen e Serbisë, duke e “cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

“Institucionet e Republikës së Kosovës ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ato janë adresa e duhur për të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë. Qytetarët pa asnjë dallim, kanë adresë të saktë ku mund t’i marrin shërbimet komunale dhe strukturat paralele e kanë të qartë se nuk mund të operojnë jashtë kornizës ligjore të Kosovës”, tha Krasniqi.

Ministri Krasniqi tregoi se institucionet e mbyllura janë Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë

"Kosova mbështetet në udhëheqjen e SHBA-ve", Osmani tregon se çfarë i tha Donlad Trumpit në Paris

Lajme
Bukë, ujë dhe pashtetë – Demhasaj publikon ushqimin e policëve në veri

Bukë, ujë dhe pashtetë – Demhasaj publikon ushqimin e policëve në veri

Lajme
Kontrolli në banesën e Veliajt, SPAK del me reagim zyrtar

Kontrolli në banesën e Veliajt, SPAK del me reagim zyrtar

Lajme
Aeroplani qeveritar ka defekt që nga 3 dhjetori, riparohet me pjesë të përdorura sepse më nuk prodhohen të reja për serinë “LearJet 60”

Aeroplani qeveritar ka defekt që nga 3 dhjetori, riparohet me pjesë të përdorura sepse më nuk prodhohen të reja për serinë “LearJet 60”

Lajme
Thaçi nuk komenton akuzat e reja, përmend zgjedhjet: Nuk paraqes rrezik politik për askënd

Thaçi nuk komenton akuzat e reja, përmend zgjedhjet: Nuk paraqes rrezik politik për askënd

Drejtësi
​Shqiptarët vazhdojnë përpjekjet për forcimin e pozitës së tyre në Ballkan

​Shqiptarët vazhdojnë përpjekjet për forcimin e pozitës së tyre në Ballkan

Lajme
Kalo në kategori