LAJMI I FUNDIT:

Amaneti i bjerrun i Mark Shllakut të pafaj…

Amaneti i bjerrun i Mark Shllakut të pafaj…

(Me m’i marrë eshtnat e me m’i çu në nji varr. Kam me vedi një teneqe me emnin tem, me té mundesh me më njoftë. Hallall të gjithëve dhe ty të pares. Po vdes si një shqiptar i mirë dhe i ndershëm”)

Kanë kaluar tri ditë. . . dhe tani pakkush flet më për letrën e Mark Shllakut. Ajo letër që është nxjerrë së fundi nga e bija, Juli prej dhimbjes së saj “të mpiksur”, dhimbje që zen fill shtatëdhjetë vjet më parë e me përlotjen ende të pa tharë është ulë paqë në kujtesën e ca njerëzve. Disa njerëzve, të cilëve ende ju gjallojnë ato shqisat që përcjellin dhimbjen, nderimin, respektin, e pikëllimin për vdekjen e trishtë, ndjesi këto të njerëzishme që i kanë ende do prej tyre… E ato disa janë shumë, besoj unë, por që nuk janë assesi kujtesa jonë kolektive. Se sa për kujtesën kolektive as bëhet fjalë. Është kështu dhe nuk është ndryshe, sepse ashtu si gjithherë e gjithmonë e si për çdo gjë, edhe për ato gjëra a akte që do të rrinin si gur i rëndë fort në ndërgjegjen e vendeve të emancipuara, gur i rëndë që ata nuk do ta mbartnin kurrë, këtu ndër ne zgjasin… vetëm tri ditë. Tri ditë, aq sa ç’mund të zgjasë për shembull lajmi për grumbullimin e më pas lëshimin rrugëve të qenëve të rrugës nga Bashkia e Tiranës… Se kujtesa kolektive për refuzimin e së keqes ka shembëllyer, se tek ne ende nuk ekziston e jo më të jetë institucion si në vendet e demokracive të mira e të mëdha.


Letra e shkruar për të shoqen dhe dy vajzat prej Mark Shllakut të lidhur këmbësh e duarsh në orët e mbrame para se me mërrijtë te skuadra e pushkatimit, na tregon se sa rëndë është dëmtuar ndjesia e reagimi ynë kolektiv. Gjithfarë makabriteti që ka ndodhë në këtë vend e ndër këta njerëz, sado e rëndë të ketë qenë e sido bukur të tregohet… zgjat pra vetëm tri ditë. Madje, vetë përmendja ngjall vetëm bezdi e indiferencë, përgjithësisht tek prijësat e këtushëm. Tek ata të cilët përditë e më shumë janë urryesit e vlerave morale të shoqërisë sonë… Po, për fat të keq edhe e shumta e “laboratorëve” të opinionit publik kështu. Medie që e kanë deformuar keqas pozitën e tyre. Nga shërbestarë të publikut kanë zatetë (zënë vend) në pozitën e shërbestarëve të prijësve. Teksa bën dallimin ajo pjesa e çlirëshme e medieve sociale, që kësaj here, për hir të së vërtetës u përhap në një valë që po zgjat…

Po kush ishte Mark Shllaku dhe çfarë ndodhi me të?

Mark Shllaku, një djalë shkodran, mësues, burgoset në vitin 1949 me akuzën e “rëndomtë” të asaj kohe, që rregjimi i dhunshëm e i përgjakshëm i sapoinstaluar e lëshonte për shumëkënd, që kishte dhënë edhe shenjat sadopak të dallueshme të kundërshtarit të rregjimit “si me kenë tu hanger bukë e djathë”. U dënua me pushkatim, për agjitacion e propagandë dhe për angazhim në një celule të një partie socialdemokrate që po shfaqej si një përbashkim i forcave kundërshtare të rregjimit të instaluar tashma në Shqipëri.

Mark Shllaku ishte vetëm 31 vjeç kur mësoi se po shkonte drejt pushkatimit. Në shtëpi kishte lënë bashkëshorten Angje dhe dy të bijat. Juli, vajza e madhe, ishte vetëm tetë vjeçe në atë kohë. Me nxitjen e së ëmës, Juli u detyrua e shkoi, së bashku me té, t’i lutej kryetarit të degës së Punëve të Brendëshme që të mund ta lejonte të shihte babanë për herë të fundit. Pak ditë para se të pushkatohej, Juli dhe e ëma e takuan për pak minuta Markun. Atë ditë Marku i tha Angjes, se kur t’i merrte sendet e tij personale pas pushkatimit, atje do të gjente një letër me disa informacione të rëndësishme…

O Zot, ku fillojnë e ku mbarojnë kufijtë e qëndresës së njeriut !…

“E dashtuna Angje e fëmijë!

Më kanë nda nga shokët për me më ekzekutu. Nuk po më dhimet jeta vetëm se ju po ma mërzisni shpirtin. Amanet mos u mërzit për mue, por shikjo fëmitë. Mos u mërzit për mue vetëm mi rrit fëmijët me hir të Zotit. Amanet babën e mos i trego për mue. Borgj i kam Halitit për tjegullat dhe në ardhtë dita, jepja për mue.

E dashtuna Angje!

Jam lidh kamsh e duersh. Edhe pak orë me kanë mbet me jetue. Mëndjen e kam te ti e fëmija që nuk mujta më ju gëzue. Tashti më kanë pikëllue shumë fytyrat tuaja që më dalin parasysh e s’më lanë me dekë… banu e fortë. Marku!

Angje! Ne tu mbushtë mëndja me u martue e ke lejen teme, por mos me më harrue. Por, amanet fëmijët. Të kam dasht me shpirt deri tash në çasen e mrame të jetës teme. Edhe në atë jetë do të lutem për ty. Amanet mos u mërzit për mue por shikjo fëmitë. Ju puth me mall për herë të fundit. Marku.

E dashtuna Angje!

Të lutëm me mi ba hallall vuajtet që të kam shkaktue.

Të lutem me m’u interesue për eshtnrat të mos më harrojsh për kurdoherë. Me m’i marrë eshtrat e me m’i çu në një varr. Kam me vedi një teneqe me emnin tem, me të mundësh me më njoftë.

Hallall të gjithëve dhe ty të pares. Po vdes si një shqiptar i mirë dhe i ndershëm”

“Kjo letër në mënyrë obligatore duhet të bëhet pjesë e librave të këndimit të shkollës shqiptare. Mundësisht e detyrueshme për t’u mësuar përmendësh. Kjo letër është e mira të përkthehet në gjuhë të huaja e të përhapet nga kush të mundet dhe ngado, sepse kjo letër na bën krenar dhe me turp në të njëjtën kohë”, këlthet megjith fuqinë e shpirtit e të mendjes shkrimtari e profesori Stefan Çapaliku. Po këlthet në nji vend shurdhash, ku ata që duhet nuk ndigjojnë. Asht një popull i tanë me veshë e ndijim të bllokuar (mpimë).

Amaneti i mbramë i Mark Shllakut , jetëmarrun pa faj është bjerrë. As eshtrat nuk i janë gjetë e as varr për ta nuk ka. E ata jetëmarrësit, jo mâ pak pikëllim, po as pendesën më të vogël nuk e kanë shfaqë… Se edhe nuk jua kërku kush xhanëm. Udhëheqësia jonë ka gati tridhjetë vjet, që më shumë druhet se mos “dogonis” [lëndon] jetëmarrësit sesa të kërkojë të vendosë drejtësinë për martirët e sublimitetin e tyre.

E kujtesa jonë kolektive… pushon në paqe.