LAJMI I FUNDIT:

Aleksandri i Madh dhe Afganistani

Aleksandri i Madh dhe Afganistani
“Martesa e Aleksandrit të Madh me Roksanën”, vepër e punuar në vitin 1519 nga Giovanni Antonio Bazzi

Nga: Daut Dauti

“Jam angazhuar në tokën e luanëve dhe popullit trim ku çdo hap është mur i çeliktë me të cilin ballafaqohen ushtarët e mi. Ti e ke sjell vetëm një Aleksandër në këtë botë, por në këtë vend çdo nënë e ka sjell nga një Aleksandër”.


Ky është një citat nga letra e Aleksandrit të Madh që ia dërgoi nënës së tij, Olimbias, nga Afganistani. Territoret që shtriheshin nga Maqedonia e deri në Afganistan, Aleksandri i pushtoi brenda një kohe të shkurtër. Por, në Afganistan iu desh që të luftonte katër vjet për ta nënshtruar këtë vend ku qëndroi edhe dy vite tjera. Aty ai u martua me princeshën afgane të quajtur Roksana, për të cilën thuhej se ishte femra më e bukur në botë. Roksana i pëlqente shumë Aleksandrit.

Kur afganët u nënshtruan, iu bashkuan ushtrisë së Aleksandrit dhe shkuan me të deri në Indi. Aleksandri, edhe pse bëri luftë të përgjakshme, afganët e çmuan dhe nuk u ngritën kundër tij sa ishte gjallë. Aleksandri i detyronte ushtarët maqedonas që të martoheshin me gratë afgane, perse dhe të tjera aziatike. Aleksandri kishte një kualitet të prijësit që nuk u përsërit pas tij, as deri sot. Pasi i nënshtronte vendet, të gjithë i trajtonte njësoj sepse i refuzonte dallimet e racës, religjionit apo ndonjë ‘pengesë’ tjetër. Me këto masa barazie, Aleksandri i bëri për vete afganët.

Në Afganistan ai përmendet edhe sot me respekt. Shumë vendbanime mbajnë emrin e tij, përfshirë qytetin Kandahar – nga Iskandar apo qyteti i Aleksandrit.

Aleksandri ishte martuar edhe me Barsinën, bijën e Darios, mbretit të Persisë dhe me kushërirën e saj, Paristaisen. Në momentin kur vdiq Aleksandri (323 p.e.s.) Roksana i vrau këto dy gra. Roksana ishte shtatzënë dhe këtë e bëri që ta ruante vijën e sundimit që tashti do të kishte gjakun meqedono-afgan.

Afganët patën dhembje të madhe kur vdiq Aleksandri, i cili ishte i vetmi që i nënshtroi por e deshën për shkak se ua kishte pushtuar zemrat. Veprimet e Aleksandrit nuk u përsëritën kurrë më në histori dhe kjo e bëri të ishte i Madh. /Telegrafi/