LAJMI I FUNDIT:

Aldrich Ames, agjenti i dyfishtë më i dëmshëm në historinë e ShBA-së

Aldrich Ames, agjenti i dyfishtë më i dëmshëm në historinë e ShBA-së
Aldrich Ames

Nga: Myles Burke / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Në vitin 1985, agjentët sovjetikë që punonin për CIA-n, papritmas zhdukeshin. Një nga një, këto burime të inteligjencës perëndimore u kapën nga shërbimi sovjetik i sigurisë, KGB-ja, u morën në pyetje dhe shumë shpesh u ekzekutuan.

Oleg Gordievsky ishte një nga këta agjentë të dyfishtë. Si shef i stacionit të KGB-së në Londër, ai kishte punuar për vite me radhë fshehurazi për shërbimin britanik të inteligjencës së jashtme, MI6. Por, një ditë e gjeti veten në Moskë, i droguar, i rraskapitur pas pesë orësh marrje në pyetje, dhe përballë mundësisë reale të vdekjes nga skuadra e pushkatimit. Gordievsky shpëtoi pasi MI6 arriti ta nxirrte fshehurazi nga Bashkimi Sovjetik, në bagazhin e një makine.

Më pas, Gordievsky përpiqej të kuptonte se kush e kishte tradhtuar. “Pothuajse për nëntë vjet kam menduar kush ishte ai njeri, kush ishte burimi që më tradhtoi, dhe nuk kisha asnjë përgjigje”, i tha ai gazetarit të BBC-së, Tom Mangold, në një intervistë për Newsnight më 28 shkurt 1994. Dy muaj më vonë, Gordievsky do ta merrte përgjigjen kur veterani i CIA-s, Aldrich Ames, u shfaq në një sallë gjyqi në ShBA dhe pranoi se kishte kompromentuar “pothuajse të gjithë agjentët sovjetikë të CIA-s dhe të shërbimeve të tjera amerikane e të huaja që njihja”.

Lexo po ashtu:
Historia e një prej spiunëve më të mëdhenj të Luftës së Dytë Botërore: Prishtinasi “Cicero”!
Anglezi që ndryshoi botën e spiunazhit
Jeta e agjentit më dinak të shekullit XX, Kim Philby: Pse e ndihmoi Enver Hoxhën dhe pse thoshte se përmes Shqipërisë e parandaloi Luftën e Tretë Botërore?
Spiuni sovjetik që mashtroi edhe “nënën” e vet
Heroina që spiunoi për Britaninë, sfidoi nazistët dhe nuk u kthye kurrë më në Francë
Spiuni i harruar britanik i cili u infiltrua në rrethin e ngushtë të Hitlerit
Historia e spiunit që siguroi suksesin e zbarkimit në Normandi

Më 28 prill 1994, Amesi pranoi se kishte zbuluar identitetin e më shumë se 30 agjentëve që spiunonin për Perëndimin, dhe kishte kompromentuar mbi 100 operacione të fshehta. I njohur për KGB-në me emrin e koduar Kolokol (“Zilja”), tradhtia e Amesit kishte çuar në ekzekutimin e të paktën 10 bashkëpunëtorëve të CIA-s, përfshirë gjeneralin Dmitri Polyakov, një zyrtar i lartë i inteligjencës ushtarake sovjetike i cili kishte dhënë informacion për Perëndimin për më shumë se 20 vjet. Amesi, spiuni i KGB-së, më shkatërrimtari në historinë e SHBA-së, u dënua me burgim të përjetshëm, pa mundësi lirimi me kusht.

Ashtu si zbulimi i viteve ’60 të shekullit XX që tronditi sistemin britanik, se Kim Philby ishte spiun sovjetik, “tani ishte radha e Uashingtonit të përballej me përmasat e dëmit të shkaktuar nga Amesi”, ka thënë Mangold në vitin 1994.

Ishte pikërisht roli i Amesit si drejtues i departamentit të kundërzbulimit sovjetik në CIA, ajo që i mundësoi të shkaktonte dëme kaq të mëdha. Ai kishte qasje pothuajse të pakufizuar në informacion të klasifikuar mbi operacionet e fshehta të ShBA-së kundër Bashkimit Sovjetik dhe, ç’është më e rëndësishmja, në identitetet e agjentëve në terren. Pozicioni i tij nënkuptonte gjithashtu se ai mund të ishte i pranishëm në marrjet në pyetje që kryheshin nga shërbimet e tjera perëndimore të inteligjencës. Kështu ndodhi që spiuni më i vlefshëm i Britanisë, Gordievsky – një kolonel i KGB-së që u jepte informacione jetike dy shërbimeve britanike, MI6 dhe MI5 – të vinte në kontakt me të. Këto takime krijuan një situatë të jashtëzakonshme, ku, siç u shpreh Mangold, “dëmtuesi më i madh i KGB-së po merrej në pyetje nga spiuni më i lartë i KGB-së në CIA”.

“Amerikanët ishin shumë të saktë dhe me të vërtetë shumë të mirë në marrjet në pyetje”, tha Gordievsky. “Unë isha entuziast. Më pëlqenin amerikanët. Doja të ndaja dijet e mia me ta, dhe tani kuptoj se [Amesi] ndodhej aty. Që do të thotë se gjithçka, të gjitha përgjigjet e reja të informacionit tim, ai me siguri ia kaloi KGB-së”.

Amesi u ekspozua ndaj botës së spiunazhit që në moshë të re. I ati ishte analist i CIA-s dhe e ndihmoi të birin të siguronte një vend pune në Agjenci pasi ky kishte braktisur kolegjin. Por, vendimi i mëvonshëm i Amesit për të tradhtuar shërbimin e inteligjencës u motivua më pak nga bindjet ideologjike dhe më shumë nga nevoja për para.

Fillimisht, Amesi tregoi potencial si oficer kundërzbulimi. Ai u emërua për herë të parë me bashkëshorten e tij, Nancy Segebarth – gjithashtu agjente e CIA-s – në Turqi në fund të viteve ’60 të shekullit XX, ku iu caktua detyra për të rekrutuar agjentë të huaj. Por, deri në vitin 1972, eprorët e tij e rikthyen në selinë qendrore të CIA-s, duke ndier se ai nuk ishte i përshtatshëm për punë në terren. Pasi u kthye në ShBA, studioi gjuhën ruse dhe iu ngarkua planifikimi i operacioneve kundër zyrtarëve sovjetikë.

Karriera e të atit në CIA ishte penguar nga problemet me alkoolin dhe, në mënyrë të ngjashme, edhe vetë Amesi filloi të kishte pengesa për shkak të konsumit të tepruar të alkoolit. Në vitin 1972, ai u kap nga një agjent tjetër, në gjendje të dehur dhe në një situatë kompromentuese me një punonjëse tjetër të CIA-s. Situata u përkeqësua më tej nga qëndrimi i tij shpërfillës ndaj punës – në vitin 1976 ai la një çantë plot me dokumente të klasifikuara në një metro.

Në përpjekje për të rikthyer karrierën në rrugë të mbarë, Amesi pranoi një emërim të dytë jashtë vendit, në Meksiko-Siti në vitin 1981, ndërsa gruaja e tij qëndroi në Nju-Jork. Por, sjellja e tij dhe vazhdimi i konsumit të tepërt të alkoolit bënë që të mos spikatej as atje si oficer i CIA-s. Në vitin 1981, ai u përfshi në një aksident trafiku në Meksiko-Siti dhe ishte aq i dehur saqë nuk ishte në gjendje t’u përgjigjej pyetjeve të policisë apo të njihte një zyrtar të Ambasadës amerikane që kishte shkuar për ta ndihmuar. Pas një debati të rëndë, me sharje dhe në gjendje të dehur – me një zyrtar kuban gjatë një pritjeje diplomatike në Ambasadë – eprori i tij rekomandoi që, pas kthimit në ShBA, CIA ta vlerësonte për varësi ndaj alkoolit.

Amesi gjithashtu vazhdoi të kishte lidhje jashtëmartesore, njëra prej të cilave do të rezultonte si pikë kthese në jetën e tij. Nga fundi i vitit 1982, ai nisi një marrëdhënie me një atashe kulturore kolumbiane, të rekrutuar për të punuar për CIA-n, Maria del Rosario Casas Dupuy. Marrëdhënia e tyre u bë gjithnjë e më serioze, derisa Amesi vendosi të shkurorëzohej nga gruaja e parë, të martohej me Rosarion dhe ta sillte me vete në ShBA.

Përkundër performancës së tij jo të lavdërueshme në CIA, Amesi vazhdoi të ngjitej në karrierë. Pas kthimit në selinë qendrore të Agjencisë në vitin 1983, ai u emërua shef i degës së kundërzbulimit për operacionet sovjetike, duke pasur qasje të gjerë në informacion të ndjeshëm mbi aktivitetet e fshehta të CIA-s.

Amesi kishte rënë dakord, si pjesë e marrëveshjes së divorcit me Nancyn, të paguante borxhet që kishin krijuar si çift, si dhe një pagesë mujore për të. Këtyre u shtuan edhe shijet e shtrenjta të gruas së tij të re, Rosario – pasioni i saj për blerje dhe telefonatat e shpeshta me familjen në Kolumbi. Problemet financiare të Amesit dolën jashtë kontrollit. Më vonë, ai do t’i thoshte senatorit të Arizonës, Dennis DeConcini, se ishin borxhet në rritje ato që e shtynë të mendonte për shitjen e sekreteve që kishte në dorë. “Ndjeja një presion të madh financiar, i cili, në retrospektivë, ishte diçka ndaj së cilës reagova në mënyrë të pamatur”, ka thënë Ames.

“Ishte për para dhe nuk besoj se ndonjëherë u përpoq seriozisht t’i bënte njerëzit të besonin se ishte për ndonjë arsye tjetër”, tha BBC Witness History në vitin 2015, agjenti i FBI-së, Leslie G. Wiser, i përfshirë në hetimin që çoi në arrestimin e Amesit.

Më 16 prill 1985, pasi kishte pirë disa gota për të mbledhur guximin, Aldrich Amesi hyri drejt e në Ambasadën ruse në Uashington. Sapo hyri, i dorëzoi recepsionistes një zarf që përmbante emrat e disa agjentëve të dyfishtë, dokumentet që tregonin kredencialet e tij si pjesëtar i brendshëm i CIA-s, dhe një shënim ku kërkonte 50 mijë dollarë. Ai pohoi më vonë, në një raport të Senatit, se fillimisht kishte besuar se kjo do të ishte marrëveshje e vetme sa për ta nxjerrë atë nga gropa financiare, por shumë shpejt e kuptoi se kishte “kaluar një vijë dhe nuk mund të kthehesha më pas”.

Për nëntë vjetët që pasuan, Amesi u pagua për t’i dhënë KGB-së një sasi të madhe informacioni tepër sekret. Ai merrte dokumente të klasifikuara – që përshkruanin gjithçka, nga pajisjet e përgjimit të lidhura me qendrën hapësinore të Moskës deri te teknologjitë e sofistikuara që numëronin mbushjet bërthamore të raketave sovjetike – i mbështillte në qese plastike dhe thjesht i nxirrte jashtë godinës së CIA-s. Pasi roli i tij përfshinte takime zyrtare me diplomatë rusë, ai mund të takonte shpesh agjentët e tij ndërlidhës, pa ngjallur dyshime. Po ashtu, ai linte paketa me dokumente të klasifikuara, në vende të fshehta të paracaktuara të quajtura dead drops.

“Nëse do të realizonte një takim [dead drop], më herët vendoste, për shembull një shenjë me shkumës në një kuti postare, dhe rusët e shihnin atë shenjë, duke kuptuar se dokumentet ishin dorëzuar”, ka thënë Wiser. “Më vonë, kur i merrnin dokumentet, shkonin dhe fshinin shenjën me shkumës. Kështu, ai e kuptonte se dorëzimi ishte bërë në mënyrë të sigurt dhe të suksesshme”.

Ndodhi që përmes rrjedhjeve të informacionit sekret nga Amesi, KGB-ja identifikoi pothuajse të gjithë spiunët e CIA-s në Bashkimin Sovjetik, duke shkatërruar efektivisht operacionet e fshehta amerikane atje. “Nuk jam në dijeni për ndonjë spiun apo ‘gjurmues’ [mole] tjetër në ShBA, që ka shkaktuar humbje kaq të madhe njerëzore në aspektin e burimeve të inteligjencës”, tha Wiser. Zhdukja e papritur e kaq shumë burimeve të CIA-s ngriti alarmin dhe nisi kërkimin për spiunin brenda Agjencisë në vitin 1986, por Amesi arriti të qëndronte i padukshëm për pjesën më të madhe të dekadës.

Dhe, ai u shpërblye bujarisht për tradhtinë e tij – duke marrë rreth 2.5 milionë dollarë nga Bashkimi Sovjetik. Amesi bëri pak përpjekje për të fshehur pasurinë e re. Megjithëse nuk kishte pasur kurrë një pagë më të lartë se 70 mijë dollarë në vit, ai bleu një shtëpi të re me vlerë 540 mijë dollarë, në para të gatshme, shpenzoi dhjetëra mijëra të tjera për riparime në shtëpi dhe bleu një makinë Jaguar. Ishte pikërisht stili i jetesës dhe shpenzimet e tij ekstravagante që e vunë në shënjestër dhe çuan në arrestimin e tij më 1994 nga ekipi i FBI-së i drejtuar nga Leslie G. Wiser.

Pasi u arrestua nga FBI-ja, Amesi bashkëpunoi me autoritetet. Ai rrëfeu shtrirjen e veprimtarisë së tij të spiunazhit, në këmbim të një marrëveshjeje që i siguronte një dënim më të lehtë për Rosarion e cila pranoi se kishte ditur për paratë dhe takimet e tij me sovjetikët. Ajo u lirua pas pesë vjetëve. Amesi, oficeri më i lartë i CIA-s i zbuluar ndonjëherë si agjent i dyfishtë, vazhdon të vuajë dënimin e përjetshëm në një burg federal amerikan në Tera Hot të Indianës.

Deri më sot, Amesi ka shfaqur shumë pak pendesë për veprimet e tij apo për vdekjet që ato shkaktuan. “Ai kishte një mendim shumë të lartë për veten”, tha Wiser për Amesin. “Pendohet që u kap. Nuk pendohet që ishte spiun”. /Telegrafi/