Këngëtari nga Shqipëria Alban Skenderaj ka konfirmuar se do të rikthehet me një këngë të veçantë për të dashuruarit.

Ai përmes një postimi në Facebook ka treguar se kënga e re titullohet “Unë dhe Ti”, e cila do të bëhet edhe videoklip transmeton Koha.net. Alban Skenderaj ka thënë se këtë projekt e ka me të vërtetë për zemër.


“Kjo këngë i dedikohet të gjithë çifteve shqiptare kudo që ndodhen, që kanë ndarë një pjesë të madhe të jetës së tyre së bashku. Nëse kthen kokën prapa në 50 vitet e fundit shikon se emigrimi, shtypja, liria, luftërat, krizat ekonomike e shumë faktorë të tjerë kanë shoqëruar të gjithë shoqërinë shqiptare. Ndaj, çiftet që sot jetojnë një jetë të qetë e të plotësuar, shumë kanë përjetuar e shumë kanë për të rrëfyer”, ka thënë Alban Skenderaj.

Ai më tutje ka thënë se pjesë e videoklipit mund të jenë edhe çiftet, të cilët mund ta konsiderojnë si një hapësirë të dedikimit të tyre të dashurisë.

“Kam dëshirë të realizojë një videoklip sa më të vërtetë e sa më gjithëpërfshirës, ku çdo çift mund të bëhet pjesë e projektit. Mund të konsiderohet si një hapësirë dedikimi dashurisë suaj”, ka shkruar ai.

Kënga e re do të publikohet në ditën e Shën Valentinit.