LAJMI I FUNDIT:

Alarm te Franca: Momentalisht janë pesë lojtarë të lënduar apo sëmurë para finales kundër Argjentinës

Alarm te Franca: Momentalisht janë pesë lojtarë të lënduar apo sëmurë para finales kundër Argjentinës

Përfaqësuesja e Francës është tashmë në finale, por para ndeshjes së diel kundër Argjentinës, do t’i duhet të shpëtojë edhe një pengesë të fundit, problemet me virusin që ka rrënuar përqendrimin prej disa kohësh.

Së pari u ‘rrëzua’ Marcus Thuram, sa ishin ende në fazën e grupeve, pastaj Adrien Rabiot dhe Dayot Upamecano, të cilët tashmë janë me grupin për stërvitje, por tani janë sëmurë dy qendërmbrojtës, Raphael Varane dhe Ibrahima Konate, plus Kingsley Coman, i cili nuk mund të luante më kundër Marokut të mërkurën.


As Aurelien Tchouameni nuk ishte i pranishëm në stërvitjen e të premtes pasdite, me një goditje në ijë siç raportohet nga Federata Franceze dhe as Theo Hernandez, me një goditje tjetër në gju pas përplasjes së tij me Sofian Boufal, në një nga momentet më të përfolura të gjysmëfinales.

Pavarësisht se tashmë gjithçka duket një lajm i keq, Franca shpreson të rikuperojë të gjithë lojtarët. Virusi ishte tema më e debatuar në konferencën për shtyp para stërvitjes, ku folën Rangal Kolo Muani dhe Ousmane Dembele.

“Ne nuk kemi frikë dhe nuk shqetësohemi. Jam i sigurt se do t’i kthejmë të gjithë”, deklaroi Kolo Muani, i cili shënoi për rezultatin 2-0 kundër Marokut.

“Unë u kam dhënë nga një filxhan çaj me mjaltë dhe ata janë më mirë”, komentoi Dembele në konferencë, duke tentuar ta ndal alarmin për Francën.

Sipas Federatës Franceze, tre të sapo prekurit kanë një ftohje të thjeshtë dhe nuk ka shumë shqetësim, por duke pasur parasysh infektimin e përsëritur, mjekët kanë izoluar çdo lojtar në dhomën e tyre për një kohë sa herë që shfaqet ndonjë simptomë.

Deschamps paralajmëroi

Vetë Didier Deschamps dha alarmin në konferencën e shtypit pasi mundi Marokun. Ai konfirmoi humbjen e Coman për shkak të një ftohjeje dhe bëri të qartë diçka që nuk i pëlqente:

“Temperaturat kanë rënë, por klimatizimi është ende shumë i fortë. Ka gjendje të ethshme. Jemi të gjithë të kujdesshëm. Marrim masa paraprake. Gjithçka që është virale është e transmetueshme. Ne kemi marrë masa paraprake që të mos ketë kontakt me Dayot dhe Adrien”, deklaroi trajneri francez.

E vërteta është se problemet shëndetësore kanë qenë padyshim konstante në përqendrimin e Francës që pak para nisjes për në Katar. Lojtarë si Paul Pogba, N’Golo Kante, Prensel Kimpembe nuk arritën të rikuperohen me kohë, ndërsa më pas erdhi dëmtimi i rëndësishëm i Christophet Nkunku, Karim Benzema dhe në ndeshjen e parë kundër Australisë ai i Lucas Hernandez.

Deschamps kishte telefonuar tashmë Marcus Thuram përpara se të udhëtonte në Katar dhe me humbjen e Nkunku solli Kolo Muanin. Megjithatë, për Benzemën nuk u ftua askush për ta zëvendësuar.

Nëse Varane dhe Konate nuk rikuperohen me kohë, përveç Upamecanos, trajneri ka në dispozicion edhe William Saliba dhe Axel Disasi, të cilët zëvendësuan Kimpembe në atë kohë. /Telegrafi/