Aksion në Viti, arrestohen 11 persona për bixhoz të kundërligjshëm

Njëmbëdhjetë persona janë arrestuar gjatë një aksioni policor të zhvilluar në fshatin Pozheran të Vitisë, nën dyshimin për përfshirje në organizimin e bixhozit të kundërligjshëm.
Sipas Policisë, hetuesit e Stacionit Policor në Viti, pas pranimit të informatave relevante dhe zhvillimit të veprimeve hetimore në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë realizuar një bastisje më 4 qershor 2026 në një lokacion ku dyshohej se zhvillohej veprimtari e paligjshme.
“Më 04.06.2026 janë realizuar një bastisje në një lokacion në fshatin Pozheran, komuna e Vitisë, nën dyshimin se në këtë lokacion po zhvillohej veprimtari e kundërligjshme që ndërlidhet me veprën penale ‘Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të kundërligjshëm’”, thuhet në njoftim.
Gjatë aksionit policor janë arrestuar 11 persona të dyshuar.
“Gjatë bastisjes janë arrestuar njëmbëdhjetë persona të dyshuar. Po ashtu në vendin e ngjarjes janë sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me veprën penale të lartcekur, të cilat do të shërbejnë si dëshmi në procedurën penale”, njofton Policia.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti është proceduar në Prokurorinë Themelore në Gjilan për procedurë të rregullt gjyqësore. /Telegrafi/

































