LAJMI I FUNDIT:

Aksion në autoshkolla nën dyshimet për manipulime me patentë shoferë, tre të arrestuar në Prizren

Aksion në autoshkolla nën dyshimet për manipulime me patentë shoferë, tre të arrestuar në Prizren
Foto: Arkiv

Policia e Kosovës njofton se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike ka arrestuar tre persona, nën dyshimin për keqpërdorime për patentë shoferë.

Tre të arrestuarit dyshohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “Legalizim të përmbajtjes së rreme”.


Policia njofton se kishin informacion se zyrtarë të një klinike mjekësore lëshojnë certifikata mjekësore për kandidatët që paraqesin provimin për patentë shoferë, pa qenë fizikisht dhe pa kryer kontroll mjekësor.

Sipas policisë, dyshohet se klinika bashkëpunon me dy auto-shkolla, në Prizren dhe Malishevë.

“Hetuesit policorë nga Sektori për Hetime Financiare/Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK),  e kanë trajtuar informatën ku dyshohet se, zyrtarë të një klinike mjekësore me seli në Prizren,  lëshojnë certifikata mjekësore për kandidatet të cilët paraqesin provimin për patentë shofer, pa qenë fizikisht prezent në klinikë dhe pa ua bërë kontrollin mjekësor. Po ashtu, dyshohet se kjo klinikë bashkëpunon me dy auto-shkolla, njëra me seli në Prizren dhe tjetra me seli në Malishevë”, thuhet në njoftim.

Policia bën të ditur se dyshohet se edhe auto-shkollat kanë lëshuar vërtetime për aftësimin e  kandidatëve në pjesën teorike dhe praktike pa qenë kandidatët fare prezent në Kosovë.

“Kjo informate është trajtuar nga hetuesit policorë në bashkëpunim me Prokurorin Themelore Prizren, ku pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore  janë mbledhur provat fillestare që vërtetojnë dyshimin e bazuar në lidhje me pretendimet (dyshimet)  e lart-cekura. Sot, më 18.01.2024, nën dyshimin e përfshirjes në veprat penale: ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘legalizim i përmbajtjes se rreme, policia  ka arrestuar tre të dyshuar: I.G., (viti i lindjes 1962, mashkull kosovar), U.M., (viti i lindjes 1975, mashkull kosovar) dhe  L.B.., (viti i lindjes 1975, mashkull kosovar)”, thuhet më tej në njoftim.

Personat e dyshuar të cilët janë intervistuar me vendim të prokurorit  janë dërguar në mbajtje për 48 orë. /Telegrafi/