Një aksident tragjik është regjistruar në rrugën e Kombit, në aksin Milot-Rrëshen.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet për katër viktima dhe një të plagosur.

Viktimat, shtetas të Kosovës, ndodhen në morgun e Spitalit të Rrëshenit, ndërsa mes të plagosurve është edhe një fëmijë, në gjendje kritike për jetën.

Dyshohet se viktima kanë mbetur prindërit me dy fëmijët, ndërsa fëmija tjetër, një 5-vjeçar, është nisur me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Aksidenti ka ndodhur në afërsi të qytetit të Rubikut, ndërsa janë përfshirë një automjet tip “Citroen” me targa të Kosovës dhe një kamion.

Njoftimi i Policisë:

Lezhë/Informacion paraprak

Në aksin rrugor Milot-Morinë, në afërsi të një karburanti në Rreshen, mjeti tip “Citroen” me të cilin udhëtonte një familje kosovare është përplasur me mjetin tip kamion me drejtues shtetasin I.I.,banues në Kosovë.

Për pasojë kanë humbur jetën drejtuesi i mjetit tip “Citroen” , bashkëshortja e tij dhe 2 fëmijët dhe është plagosur fëmija i mitur, i cili është transportuar në spitalin e Traumës Tiranë.

Grupi hetimor në vendngjarje punon për sqarimin e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes.