LAJMI I FUNDIT:

AKB e Viva Fresh Store me marrëveshje për të mirën e prodhuesve vendorë

AKB e Viva Fresh Store me marrëveshje për të mirën e prodhuesve vendorë

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me pronarin e Viva fresh Store, Xhevdet Rexhepi, me qëllim të realizimit të promovimit, shijimit e blerjes së prodhimeve vendëse në rrjetin e marketeve Viva fresh store në gjithë vendin.

Shahini tha se kjo marrëveshje realizohet në kuadër të fushatës “Javët e Biznesit Kosovar 2018” për të gjashtëmbëdhjetin vit nga AKB-ja me moton “Unë Konsumoj produkte Vendore, Po Ju?“ .


Ai shtoi se AKB dhe Viva Fresh Store për të mirën e prodhuesve kosovar nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit për të gjithë sektorët prodhues Made in Kosova, që do të kenë mundësi ti promovojnë prodhimet e tyre kualitative nëpër të gjitha pikat e këtij zinxhiri të shitjes më të madh vendor‘. Ku si pilot projekt do të fillojnë edhe në së paku tri pika: Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe me mundësi të zgjerimit edhe me pika tjera në të ardhmen.

“Kjo do të jetë vendi dhe rrjeti më i madh i shitjes me pakicë, ku mund të ekspozohen e promovohen prodhimet vendore tek konsumatorët që supozohet se janë mbi 2.5 milionë në tërë Kosovën“, tha kryetari i AKB-së.

Xhevdet Rexhepi, pronar i Viva fresh store, tha se me kënaqësi po nënshkruan këtë marrëveshje bashkëpunimi dhe të anëtarësimit me AKB-në për ti dhënë edhe një mundësi më të madhe të gjithë prodhuesve vendor të cilët kanë kualitet e cilësi për të prezantuar para konsumatorëve të‚ Viva fresh Store në më shumë se 57 pika të shitjes e që kemi më shumë se 1.5 milionë konsumatorë dhe më shumë se 1 milion të huaj.
Kjo marrëveshje realizohet edhe në kuadër të shënimit të festës së 28 nëntorit-Ditës së Flamurit si një mundësi e madhe dhe e re për prodhuesit gjithë shqiptarë.
“E vlerësojmë lartë angazhimin dhe punën e AKB-së, si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen dhe për të ardhmen që do jemi bashkë për bizneset e ndryshme tregtare ato shërbyese dhe prodhuese në gjithë Kosovën“, tha Rexhepi.

Ndryshe të enjten më 29 nëntor AKB-ja dhe Viva Fresh Store do të promovojnë prodhimet e Kosovës në pikën e shitjes në Veternik nga ora 12.00. /Telegrafi/