LAJMI I FUNDIT:

Ahmeti: Vonesat e punimeve në rrugët magjistrale po ju shkaktojnë dëme të mëdha veturave të qytetarëve

Ahmeti: Vonesat e punimeve në rrugët magjistrale po ju shkaktojnë dëme të mëdha veturave të qytetarëve

Zvarritjet e punimeve në rrugët magjistrale në Kosovë nuk janë raste të rralla. Mirëpo, këto vonesa po ju shkaktojnë dëme të konsiderueshme edhe vetë qytetarëve të cilët çdo ditë i frekuentojnë ato rrugë.

Punimet në këto rrugë nuk po mund të finalizohen për shkak të problemeve të ndryshme duke filluar që nga shpronësimet e pronave private e deri tek ngritja e çmimeve të derivateve në Kosovë.


Bekim Ahmeti njohës i komunikacionit i tha Telegrafit se vonesat në rrugët magjistrale në Kosovë ekzistojnë qysh prej vitit 2009.

“Kjo vonesë ka ekzistuar qysh prej vitit 2009. Pjesë e projektit të rrugës kam qenë edhe unë, prej pompës së benzinës Isa Petrol, deri në hyrje të Mitrovicës në fshatin Kqiç. Kurse këtë pjesën e rrugës Prishtinë-Podujevë, e kam projektuar prej Bërrnicës së Poshtme e deri te rruga për Besi”, tha Ahmeti.

Sipas tij, vonesat për finalizimin e këtyre punimeve po bëhen për arsye nga më të ndryshmet, siç ishte në fillim me problemet e shpronësimeve, të pronave private.

“Si ka ndodhë në vitin 2009 kur është projektuar rruga deri më tani nuk ka realizim apo përfundim të punimeve. E arsyet janë të shumta që po ngecin këto punime, njëra prej arsyeve ka qenë edhe problemet me prona,  pra deri janë kryer shpronësimet e pronave private”, theksoi ai.

Vazhdon ngecja e punimeve në magjistralen Prishtinë-Podujevë, mbesin pa ujë të pijshëm banorët e disa fshatrave
Lexo po ashtu Vazhdon ngecja e punimeve në magjistralen Prishtinë-Podujevë, mbesin pa ujë të pijshëm banorët e disa fshatrave

Po ashtu, ai deklaron se vonesat po shkaktohen për shkak të rritjes së çmimeve të derivateve.

“Tash së fundmi qëndron kjo që janë rrit dukshëm çmimet e derivateve dhe i çdo produkti tjetër e cila e finalizon një rrugë. Qe besa ka qenë edhe një kërkesë, të cilën nuk e di a e kanë bërë zyrtare apo jo që të pezullohen punimet për një afat të pa caktuar kohorë deri në zbritjen e çmimeve për arsye që operatorët ekonomik janë ankuar që në pamundësi të realizimit të punëve krahas rritjes së çmimeve enorme të çdo artikulli ushqimorë dhe ndërtimorë, do të pezullohen punimet deri në uljen e këtyre çmimeve”, deklaroi për Telegrafin Ahmeti.

Zvarritja 10 vjeçare e punimeve në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, qytetarët thonë se kjo është e papranueshme
Lexo po ashtu Zvarritja 10 vjeçare e punimeve në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, qytetarët thonë se kjo është e papranueshme

Eksperti i komunikacionit në fund ai deklaron se përveç këtyre shkalla e shpenzimeve te vozitësve është shumë më e madhe, duke ia bashkangjitur këtu edhe dëmtimin e veturave.

“Përveç dëmtimit të makinave ka edhe vonesa kohore, ku dikush nuk e ka luksin e pritjes në kolona të trafikut. Unë vetë erdha prej Mitrovicës në drejtim të Prishtinës, ku pritëm diku 30 minuta në kolonë, në qoftë se e kishim pas një punë për ta kryer një punë në kohë do ta kisha të pamundur me arrit në kohë. Problemi tjetër është edhe bë shpenzimet e karburanteve të cilët janë te ngasësit, mirëpo dëmtime ka edhe në amortizerat e veturave kur rruga është me gropa, dëmtohet shkalla e amortizatorëve por edhe shkalla e shpenzimeve rritet shumë”, përfundoi ai. /Telegrafi/