LAJMI I FUNDIT:

Ahmeti: Nëse nuk zgjidhet çështja e autobusëve, do të përfundojë në protesta të qytetarëve

Ahmeti: Nëse nuk zgjidhet çështja e autobusëve, do të përfundojë në protesta të qytetarëve

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në një konferencë të mbajtur për media, ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke e penguar pajisjen e kryeqytetit me 51 autobusë.

Sipas tij, Ministria e Financave, respektivisht ministri Avdullah Hoti, ka 13 muaj që nuk po e nënshkruan garancionin për marrjen e kredisë për blerjen e autobusëve, nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).


“Rrezikon të dështojnë procedurat e tenderimit, ku më pas duhet që përsëri të përsëritet i njëjti tender, ku më së shumti do të dëmtohen qytetarët e Prishtinës. Koncepti i tyre është i keq, sepse synojnë me ia dështu projektet Komunës së Prishtinës”, ka thënë ai.

Ahmeti ka theksuar se komuna të cilën e drejton ai i ka kryer të gjithë obligimet që bien mbi të, dhe se krejt problemi është te Qeveria e Kosovës, si garantuese e kredisë për blerjen e autobusëve. Ai  tha se Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë kurrfarë përgjigje, duke e prolonguar qëllimisht këtë çështje.

“Qysh po shkon kjo punë, unë mendoj se do të përfundojë në protestë të qytetarëve të Prishtinës,.  Nëse nuk ju përgjigjen kërkesave të qytetarëve, ata do të jenë politikisht humbës. Ma mirë më bo këtë projekt, e ne me tregu që edhe ata kanë ndihmu këtë projekt”, ka shtuar Ahmeti . /Telegrafi/