LAJMI I FUNDIT:

Agim Bahtiri reagon nga Brukseli për Trepçën, kërkon miratimin e Ligjit të ri

Agim Bahtiri reagon nga Brukseli për Trepçën, kërkon miratimin e Ligjit të ri

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka reaguar ndaj neglizhencës së Qeverisë së Kosovës e cila nuk e ka miratuar ende Ligjin e ri për Trepçën, që mund të ketë pasoja të mëdha për këtë ndërmarrje më 2 nëntor 2016.

“Qeveria e Kosovës duhet t’i merr të gjitha veprimet e nevojshme, që deri në afatin e përcaktuar me vendimin e Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme të miratohet në Kuvendin e Kosovës ligji i ri për Trepçën. Ndryshe kjo mund të ketë pasoja të paparashikueshme, pasi që Mitrovica nuk do të rrijë duarkryq përballë kësaj situate”, thotë kryetari Bahtiri për Veriu.info nga Bukseli, ku gjendet si pjesë e delegacionit kosovar për dialogun me Serbinë.


I pari i Mitrovicës se thotë Trepça është krenaria e Mitrovicës dhe Kosovës, dhe se Qeveria nuk duhet të luaj me zjarr, sepse nuk ka forcë që mund ta lejoj Trepçën të shkoj në likuidim.

“Ligji i ri për Trepçën që do ta ndryshoj statusin e kësaj ndërmarrje, ku do t’i kthehet në menaxhim Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve të saj, ku me punën, aktivitetin dhe zhvillimin që do ta ketë ndërmarrja Trepça, përfitues do të jenë të gjithë, por më së shumti qytetarët e Mitrovicës. Ai në fund kërkon nga Qeveria e Kosovës t’i mbajë premtimet e dhëna, por njëkohësisht porosit qytetarët e Mitrovicës që të rrinë të qetë”, thotë Bahtiri.

Ndryshe, procesi i hartimi të Ligjit të ri për Trepçën ka nisur në fillim të vitit 2014 dhe nëse deri më 1 nëntor 2016 ligji i ri për Trepçën nuk publikohet në gazetën zyrtare, kjo do ta dërgonte automatikisht “Trepçën” në likuidim, e pastaj për “Trepçën” vendosin të tjerët. /Veriu.info/Telegrafi/