LAJMI I FUNDIT:

Ag Apolloni: Shkrimtari e ka shtëpinë mbi Vezuv

Ag Apolloni: Shkrimtari e ka shtëpinë mbi Vezuv

Kur po luhatej besimi i lexuesve për vlerat letrare të të gjitha zhanreve, doli djaloshi nga Stagova e Kaçanikut, me botimet e tij në prozë, poezi, dramaturgji, eseistikë dhe, sikur e ktheu lexuesin e tij besnik

Veprat “Zomb”, “Ulurima e ujkut”, “Hamleti sipas Horacit”, “Mesjeta ime”, “Sandalet e Senekës”, “Koferi i Konicës”, “Zazen”, “Një fije shpresë, një fije jetë”, i shquan dimensioni dramatik, trajtimi filozofik dhe qëndrimi kritik.


I lindur më 13 qershor 1982, Ag Apolloni studioi shkencat filozofike dhe dramaturgjinë, ku aktualisht është Doktor i Shkencave Filologjike dhe ligjëron në Universitetin e Prishtinës. Ai ka fituar dy herë çmimin e MKRS për roman dhe librin me ese, çmimin “Rexhai Surroi” e çmime të tjera.

Për të gjitha këto, ndiqni intervistën dhënë ekskluzivisht për portalin Telegrafi.

Intervistoi: Shaqir Foniqi

Telegrafi: Po e nisim me një pyetje që u është bërë shumë shkrimtarëve: pse shkruani?
Ag Apolloni: Shkruaj për ta vërtetuar ekzistencën time. Më duhet një dëshmi. Kur nuk shkruaj, më duket sikur nuk jam. Krijimin e shoh si një lloj dëshmie mbi të qenët, si një dokument të ankthit të qenies, por edhe si një lloj alkimie nëpërmjet së cilës lartësoj, në radhë të parë, veten. Pra, nuk shkruaj vetëm për ta përpunuar stilin, por edhe për ta përpunuar veten. Nuk shkruaj thjesht për të treguar një histori, por për të reflektuar mbi një histori.

Telegrafi: Derisa Kadare për t’u bërë shkrimtar, pikënisje e kishte patur “Hamletin”, ju a keni pasur ndonjë roman-referim?
Ag Apolloni: Aq sa ishte i rëndësishëm Seneka për Shekspirin, është Shekspiri për mua. Por libri që ma ka hapur qiellin si një pergamenë është “Fausti” i Goethes. Ai është libri që e kam lexuar më së shpeshti dhe që e ka kalitur karakterin tim faustian, një karakter kërkues, i paparashikueshëm, që ka një nostalgji të mjegullt për antikën dhe një vizion të qartë për të ardhmen.

Telegrafi: A i besoni lumturisë?
Ag Apolloni: I besoj, si çdo i dëshpëruar.

Telegrafi: Besoni në botën e përtejme dhe ç’raporte keni me Zotin?
Ag Apolloni: Më lehtë e kanë të mos besojnë në botën e përtejme ata që kanë lexuar vetëm librat e shenjtë sesa ne që e kemi lexuar Platonin. Kur e shohim shkurtësinë e jetës, e lakmojmë vargun platonian të Traklit: “shpirti është një i huaj në tokë”.

Telegrafi: Ju shkruani në të gjitha gjinitë letrare. Ku e gjeni veten më shumë?
Ag Apolloni: Sikur ta dija përgjigjen, do të shkruaja vetëm në njërën gjini.

Telegrafi: Për krijimtarinë tuaj keni marrë shumë shpërblime. A shkruan krijuesi për shpërblime dhe a iu gëzohet atyre?
Ag Apolloni: Natyrisht, shkrimtari nuk shkruan për shpërblime, por si njeri që është, gëzohet kur nderohet.

Telegrafi: Thuhet se shkrimtarët janë gënjeshtarë që e thonë të vërtetën. A pajtoheni me këtë?
Ag Apolloni: Trillimi s’është as gënjeshtër, as e vërtetë, por diçka që shtrihet mes të dyjave.

Telegrafi: A keni idol në letërsi?
Ag Apolloni: Kam dashur shumë shkrimtarë, nga antika deri sot, e shumë prej tyre vazhdoj t’i lexoj me kënaqësi, por janë pikërisht ata që më kanë mësuar të mos u besoj idhujve.

Telegrafi: A ka simulime në jetë?
Ag Apolloni: Po, këtë e thonë edhe Bibla, edhe Bodriari.

Telegrafi: A i rri krijuesit petku i politikanit?
Ag Apolloni: Ajo çka quani ju “petk i politikanit”, e që nënkupton postin apo funksionin zyrtar, mendoj se nuk i shkon fare krijuesit, apo artistit. E kuptoj që në kohë krizash të mëdha, njerëzit drejtojnë sytë kah ata që kanë mend, që i kanë mahnitur me mendjen e tyre, pra nga artistët (dhe nga shkencëtarët, do të shtoja), veçse artisti duke qenë njeri me botë të veten, botë më vete, mund t’i lërë para një ankthi të madh, që vjen si rrjedhojë e vizionit të tij. Qoftë utopik, qoftë distopik, vizioni i tij mund të jetë shqetësues.

Telegrafi: Stefan Zweig për librin “Asketika” të Nikos Kazantzakis thotë se është libër për tërë njerëzimin. Unë mendoj se librat tuaj e meritojnë këtë epitet, mos u bëni shumë modest!
Ag Apolloni: Ju falënderoj për konsideratën e tepruar.

Telegrafi: Unë jam mrekullisht i tmerruar, sidomos me librin tuaj më të ri “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, sidomos me tragjizmin epik. Duket se këto tema i trajtoni në mënyrë specifike, sepse jeni njohës i shkëlqyer i tragjizmit grek, por edhe atij makbethian?
Ag Apolloni: Para se ta shkruaja atë vepër, druaja se nuk duhej ta shkruaja, për shkak të distancës së madhe nga koha e luftës. Mendoja se askujt nuk do t’i interesonte një roman mbi luftën, apo edhe mbi pasojat e luftës. Edhe pasi i shkrova faqet e para, mendova të hiqja dorë. Por, papritur ndodhi diçka që ma ktheu në detyrim moral mbarimin e kësaj vepre. Isha pjesë e një komisioni në një mbrojtje masteri të një kandidateje të talentuar. Një anëtare e komisionit e uroi e para kandidaten dhe, duke buzëqeshur, i tha se tash mund të shkonte ta festonte me familjen. Kandidatja heshti pak, pastaj tha: nuk kam familje. Familjen ia kishin masakruar. Atë moment mora një shtysë të re për ta vazhduar atë roman, një pjesë të madhe të të cilit, përfshirë linjat kryesore, e kam shkruar në salla të fakultetit, gjatë mbajtjes së provimeve. Kërkoj ndjesë publike, por nuk arrija të shkëputesha nga romani.

Telegrafi: Kujt i drejtoheni me veprat tuaja?
Ag Apolloni: Gjithmonë kur shkruaj kam para vetes tre lexues: njërin që më kupton, tjetrin që s’më kupton dhe të tretin që më keqkupton. Me të parin jam në paqe, ndërsa me dy të tjerët jam në hall.

Telegrafi: Në ambientin tonë letrar ka shumë prurje, shpesh pa i plotësuar as kriteret elementare. Si e vlerësoni këtë vërshim, ku secili dëshiron të bëhet krijues, me çdo çmim?
Ag Apolloni: Vala e vërshimeve sjell gjithçka, por sita e kohës nuk pranon gjithçka. Lexuesi duhet të ketë durim, koha është gjykatësi më i mirë.

Telegrafi: Thuhet se vdekja nuk i merr njerëzit e mëdhenj?
Ag Apolloni: Nëse aludohet në pavdekësinë e veprës, po, ashtu është.

Telegrafi: Sekush e thotë me gojën plot se qëllimi i jetës është vdekja?
Ag Apolloni: Po, këtë e thotë dikush që ia ktheu lavdinë letërsisë greke, dhe ka të drejtë, sepse qëllimi është drejtimi kah ecim, e ne ecim drejt vdekjes.

Telegrafi: Duket se ju e njihni vdekje, por frikën jo?
Ag Apolloni: Kur isha i vogël, te gjyshi vinte një shok i tij që tmerrohej vetëm nga përmendja e vdekjes. Sapo të niste dikush të fliste për vdekjen, ai ngrihej dhe shkonte. Megjithatë, pak vite më vonë vdiq edhe ai që frikësohej aq shumë, edhe gjyshi që më dukej se s’frikësohej fare. Pra, tutës apo trim, nga vdekja s’ke shpëtim. Por, natyrisht, unë kam vendosur që të mos vdes përditë sikur ai shoku i gjyshit. Mund të them, duke perifrazuar Niçen, se me vetëdije të plotë e kam ndërtuar shtëpinë mbi Vezuv.

Telegrafi: Jeni ithtar i së vërtetës.
Ag Apolloni: Ka shumë të vërteta: artistike, filozofike, shkencore, juridike, religjioze… E vërteta është zbulim (zbulohet diçka që ka qenë mbuluar), kurse arti është shpikje (krijohet diçka që s’ka ekzistuar). Prandaj, ja ku merr kuptim prapë ajo thënia: “kemi artin për të mos vdekur nga e vërteta”.

Telegrafi: A identifikohet krijuesi me personazhet e tij?
Ag Apolloni: Herë po, herë jo. Kjo është një nga lojërat më interesante me maska. Madje, edhe atëherë kur krijuesi thotë se po shkruan pa maskë, nuk flet me fytyrën e tij të vërtetë. Fjala “lule” e shkruar në letër, nuk ka aromën e lules në livadh.

Telegrafi: Dihet se në ‘laboratorin’ e krijuesit nuk ka asnjë ditë bosh? Çka mund të presim nga ju, së shpejti?
Ag Apolloni: Nulla dies sine linea. Janë disa vepra që prej vitesh presin të përfundohen, ndërkohë që këto ditë jam kapluar nga tema më e marrë: marrëzia. Mund të dalë një vepër komplet e çmendur.

/Telegrafi/

Në trend

Më shumë
U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

Lajme
Joseph: Supriza e KS-së ishte se Kosova dhe Rusia u pajtuan për rëndësinë e fushatës ajrore të NATO-s, Putin e ka hedhur Serbinë nën autobus

Joseph: Supriza e KS-së ishte se Kosova dhe Rusia u pajtuan për rëndësinë e fushatës ajrore të NATO-s, Putin e ka hedhur Serbinë nën autobus

Lajme
Osmani ia tha të gjitha në sy Vuçiqit, por një detaj me domethënie i presidentes mori të gjithë vëmendjen

Osmani ia tha të gjitha në sy Vuçiqit, por një detaj me domethënie i presidentes mori të gjithë vëmendjen

Magazina
Nënat e Srebrenicës falënderojnë presidenten Osmani: Një fjalim i tillë do të mbahet mend ndër breza

Nënat e Srebrenicës falënderojnë presidenten Osmani: Një fjalim i tillë do të mbahet mend ndër breza

Lajme
Shkëlqeu me paraqitjet e tij, Real Madridi e shpërblen me kontratë të re veteranin e ekipit

Shkëlqeu me paraqitjet e tij, Real Madridi e shpërblen me kontratë të re veteranin e ekipit

La Liga
Publikohet biseda e gjyqtarit me dhomën e VAR-it për golin ‘fantazmë’ të Lamine Yamal

Publikohet biseda e gjyqtarit me dhomën e VAR-it për golin ‘fantazmë’ të Lamine Yamal

La Liga
Kalo në kategori