Aeroplani i Lufthansa në Frankfurt përfundoi me hundën në tokë

Një incident i pazakontë ndodhi sot në aeroportin e Frankfurtit, kur një avion tip Boeing 787 i kompanisë ajrore Lufthansa pësoi shembje të trenit të përparmë të uljes ndërsa ndodhej në tokë.
Si pasojë, pjesa e përparme e avionit u ul deri në sipërfaqe dhe hunda e tij përfundoi në tokë.
Sipas kompanisë që menaxhon aeroportin e Frankfurtit, incidenti ndodhi rreth orës 12:45 dhe rrethanat e sakta janë ende nën hetim.
Raportohet se në momentin e aksidentit nuk kishte pasagjerë në avion, ndërsa po zhvillohej procesi i ngarkimit të bagazheve. Autoritetet po verifikojnë nëse ka persona të lënduar dhe çfarë e shkaktoi defektin teknik.
Modeli Boeing 787 Dreamliner përdoret kryesisht për fluturime të gjata ndërkontinentale dhe konsiderohet një nga avionët më modernë në flotën e Lufthansas.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë avionin të mbështetur me hundën në pistë, ndërsa ekipet teknike dhe të sigurisë kanë rrethuar zonën e incidentit. /Telegrafi/

































