LAJMI I FUNDIT:

“Aeroplani i apokalipsit” që kudo ndjek pas “Air Force One”, mbron presidentin në rast të sulmit bërthamor (Foto/Video)

“Aeroplani i apokalipsit” që kudo ndjek pas “Air Force One”, mbron presidentin në rast të sulmit bërthamor (Foto/Video)

Ekuipazhi i aeroplanit presidencial “motër” i njohur si “Air ForceOne”, “Aeroplani i apokalipsit”, kanë pranuar të japin një intervistë të rrallë duke shpalosur disa nga sekretet e kësaj fluturake.

Bëhet fjalë për një nga katër aeroplanët e modifikuar Boeing 747, brenda të cilit mund të “strehohen” zyrtarët e lartë qeveritar në rast të ndonjë sulmi bërthamor, transmeton Telegrafi.


Ekuipazhi i këtij aeroplani ka shpalosur disa nga kapacitetet derisa Sekretari i Mbrojtjes, Patrick SHanahan, po hipte në aeroplanin E-4B në bazën ajrore Andrews në Maryland të SHBA-ve, për të udhëtuar për në Azi.

Fluturakja ndryshe e njohur si Qendra Operative Kombëtare në Ajër,  do t’i dërgojë Shanahan dhe stafin e tij në Havai, Indonezi, Singapor, Kore të Jugut dhe Japoni.

“Shpesh e keqkuptojnë, pasi ky aeroplan nuk ka ekrane të ndjeshëm në prekje brenda kabinës së pilotit apo kudo tjetër. Është i paraparë të fluturojë në sistemin analog, pasi teknologjia dixhitale do të shkrumbohej gjatë luftës bërthamore”, ka deklaruar një anëtar i ekuipazhit.

Kjo i bën imunë këta lloj të aeroplanëve nga pulset elektromagnetike të gjeneruar nga katastrofa bërthamore.

“Është një lloj Pentagoni në ajër. Ekziston gjithmonë një aeroplan në gjendje gatishmërie që mund të ngjitet në ajër në çdo kohë – 24 orë në ditë, apo shtatë ditë të javës”, ka shtuar anëtari i ekuipazhit për CNBC.

“Nëse e shihni në këtë aspekt, aeroplani praktikisht është qendra komanduese në ajër”, ka thënë një zyrtar i Pentagonit derisa ishte brenda këtij aeroplani.

“Aeroplani i apokalipsit” E-4B ndjek pas presidentit e SHBA-ve gjatë udhëtimeve të tij, qofshin ato brenda apo jashtë SHBA-ve. Ai për herë të parë është futur në përdorim në vitin 1970 dhe pritet të jetë operacional deri më 2039.

Fluturakja transporton pajisje të veçanta dhe ka kapacitete të komunikoj me këdo, kudo nëpër botë, dhe të përkrah analistët dhe strategët në luftë. Ky aeroplan gjithashtu mund të mbushet derisa është në ajër dhe të qëndrojë në ajër pa zbritur në tokë për më shumë se 35 orë.

E-4B vëzhgohet nga Komanda e Forcave Ajrore dhe Skuadrilja 59, dhe vazhdimisht koordinohen me Komandën Strategjike të Shteteve të Bashkuara që janë të stacionuar në afërsi të Omahas në Nebraska.

Kur presidenti është në Shtetet e Bashkuara, “Aeroplani i apokalipsit” vazhdimisht qëndron i ndezur dhe i gatshëm të ngritet në ajër. E kur presidenti udhëton jashtë vendit, atë e ndjek pas E-4B, shkruan Politico.

E në raste emergjente, një nga katër aeroplanët e këtij lloji është i gatshëm së bashku me Air Force One të ngritet në ajër. Aeroplani është i dizajnuar që t’i bëjë ballë pulseve elektromagnetike, kjo për faktin se përdor teknologjinë analoge. “Aeroplani i apokalipsit” ka kapacitete të operoj me numër të madh të ekuipazhit brenda cilësdo fluturake të forcave amerikane ajrore.

Gjithashtu është i pajisur me antenë që i mundëson presidentit të jetë në kontakt të vazhdueshëm me flotën e nëndetëseve bërthamore, edhe nëse komunikimi me tokë shkatërrohet. Për herë të parë ishte futur në përdorim gjatë viteve të ’70-ta në kohën e Luftës së Ftohtë.

Në vitin 2006, qarkullonin thashetheme se flota e E-4B do të pensionohet në vitin 2009 me urdhër të Sekretarit të Mbrojtjes, Donald Rumsfeld. Megjithatë, vetëm një nga katër aeroplanët është pensionuar në shkurt të vitit 2007. E kur Robert Gates mori postin e Sekretarit të Mbrojtjes në maj të vitit 2007, ai tërhoqi këtë vendim dhe riktheu në përdorim flotën e këtyre aeroplanëve. /Telegrafi/

‘It’s like a backup Pentagon’: Inside the E-4B ‘doomsday plane’ from CNBC.