LAJMI I FUNDIT:

Abrashi e Muhaxheri nënshkruan memorandum bashkëpunimi për investime në Pejë

Abrashi e Muhaxheri nënshkruan memorandum bashkëpunimi për investime në Pejë

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi dhe kryetari Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për financimin e disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore në këtë komunë.

Abrashi tha se investimet infrastrukturore në Pejë do të shërbejnë më së shumti për zhvillimin e turizmit, duke lidhur fshatrat e kësaj komune në mes veti.


Ai theksoi se kompletimi i infrastrukturës së komunave ka ndikim në zhvillimin e turizmit dhe bujqësisë, duke krijuar edhe vende të reja të punës.

Ndërsa, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se memorandumi i nënshkruar sot ka një mori përfitimesh në zhvillimin e komunës, veçanërisht në rritjen e turizmit.

Muhaxheri tha se realizimi i këtyre projekteve ka qenë më se të nevojshme për Pejën, duke përmirësuar edhe më shumë infrastrukturën rrugore.

Memorandumi parasheh asfaltimin e disa rrugëve në Komunën e Pejës në vlerë prej 1 milion e 400 mijë eurove.

Projektet infrastrukturore komunale janë në kuadër të investimeve të reja që i ka parapa Ministria e Infrastrukturës në vitin 2021, që janë gjithsejtë 33 projekte të reja.​ /Telegrafi/