LAJMI I FUNDIT:

Abdullahu: Trajtimi i ujërave të zeza mbetet sfidë jo e vogël

Abdullahu: Trajtimi i ujërave të zeza mbetet sfidë jo e vogël

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal ”Prishtina”, Ilir Abdullahu ka deklaruar se trajtimi i ujërave të zeza do të mbetet sfidë jo e vogël dhe gjithsesi temë diskutimi në të ardhmen e afërt , derisa viti 2017 do e zë kryeqytetin dhe komunat e tjera të zonës së shërbimit me ujë 24 orë pandërprerë.

Ai këto komente i bëri gjatë vizitës së Vitezslav Pur, këshilltar i lartë i Ambasadës së Republikës Çeke në Prishtinë.


Qëllimi i kësaj vizite ishte diskutimi lidhur me Projektin: Ndërtimi i Fabrikës së Trajtimit të Ujërave të Zeza për fshatrat (Mramor, Busi dhe Sutjeskë).

“Ua kujtojmë se Ceremonia e vendosjes së gurëthemelit të Fabrikës së Trajtimit të Ujërave të Zeza është bërë më 28 prill 2015, në bregun lindor të liqenit të Badocit, afër fshatit Mramor. Ceremonia u realizua për të shënuar fillimin zyrtar të projektit “Përmirësimi i cilësisë së ujit në liqenin e Badocit përmes futjes në përdorim të sistemit adekuat për menaxhimin e ujërave të zeza” financuar nga Republika Çeke në kuadër të zhvillimit të bashkëpunimit në mes të Republikës Çeke dhe Republikës së Kosovës. Projekti ka filluar të implementohet nga kompanitë profesionale “Ircon” dhe “TopolWter” nga Republika Çeke dhe kompania Kosovare “Project Plus” Sh.P.K. Ndërtimi i Fabrikës së Trajtimit të Ujërave të Zeza, dukshëm do të përmirësojë cilësinë e ujit në liqenin e Badocit. Vlera e projektit të financuar nga donatori (Republika Çeke) është 650.000 euro”, thuhet në një komunikatë të Ujësjellësit.

Ky projekt është Memorandum Mirëkuptimi në mes të Agjensionit Çek për Zhvillim, Komunës së Prishtinës dhe Kompanisë Ujësjellësi Rajonal ”Prishtina. /Telegrafi/