LAJMI I FUNDIT:

AAK: Rritja prej 100 për qind e çmimit të rrymës është mashtrim i radhës nga Qeveria

AAK: Rritja prej 100 për qind e çmimit të rrymës është mashtrim i radhës nga Qeveria

Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë ka mbajtur sot një konferencë për media lidhur me seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës për propozimin e ZRRE-së për rrymën.

Deputeti Besnik Tahiri ka thënë se për AAK-në është i papranueshëm rekomandimi i ZRRE-së që të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike.


“AAK-ja në debatin e thirrur ditën e nesërme, një ndër temat kryesore do të ketë raportimin që është bërë dhe propozimin që ZRRE ka bërë për rritjen dhe dyfishimin e çmimeve. Për ne është e papranueshme që dikush që ka paguar 58.52 cent të paguajë me tarifën e re 109 euro e 42 cent, 100 për qind më shumë. Dikush që harxhon deri në 800 kWh që ka paguar 47.19 euro të paguaj 74.17 euro”, ka thënë Tahiri.

Ai foli edhe për kërkesat që i kanë për nesër në seancë. Tahiri tha se do të kërkojnë anulimin e rekomandimit të ZRRE-së.

“Nesër në këtë debat presim dy çështje. Presim fillimisht nga shumica parlamentare, nga VV-ja që të reflektojë dhe të votojë Rezolutën tonë që kërkon nga ZRRE-ja dhe Qeveria, pra që obligon Qeverinë dhe ZRRE-në që të mos shtrenjtojë energjinë elektrike. Pra që të anulohet rekomandimi dhe që ky vendim të mos hyjë në fuqi”, u shpreh ai.

Propozimi i ZRRE-së për tarifat e reja të rrymës – sa pritet të rritet çmimi i faturave të energjisë?
Lexo po ashtu Propozimi i ZRRE-së për tarifat e reja të rrymës – sa pritet të rritet çmimi i faturave të energjisë?

Më tutje, Tahiri tha se ky vendim i prek rreth 200 mijë familje.

“Sipas të dhënave dhe raportimeve diku mbi 200 mijë familje afektohen. Që nënkupton rreth 700 mijë banorë të Kosovës. A është analizuar kjo pjesë. Kë po e mbron kjo qeveri, qytetarin që i ka premtuar mirëqenie apo korporatën”, tha ai.

Ndërkaq, deputeti Pal Lekaj tha se e kanë ngritur këtë çështje dhe e kanë paralajmëruar Qeverinë dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli që të kenë kujdes sepse do të ketë probleme me energjinë elektrike.

Sipas tij, propozimi i ZRRE për rritje 100 për qind të energjisë elektrike është mashtrim i radhës nga Qeveria pasi edhe në këtë rast mundohen që me arsyetime të kota të mashtrojnë qytetarët se vetëm një kategori do të preken nga kjo rritje. /Telegrafi/