"A ishte mamaja jote e lumtur aty?" - Bebe Rexha publikon fotografi të rralla nga dasma shqiptare e prindërve të saj por vëmendjen e marrin komentet e fansave

Bebe Rexha ka emocionuar ndjekësit e saj duke ndarë disa fotografi të rralla nga arkivat familjare, të cilat i përkasin ditës së martesës së prindërve të saj, Flamur dhe Bukurije Rexha.
Artistja shqiptaro-amerikane, e njohur për hitin "In The Name Of Love", publikoi fotografitë në rrjetin social X (ish-Twitter), duke i shoqëruar me një mbishkrim të shkurtër.
“Dasma e prindërve të mi shqiptarë”, shkroi ajo.
Fotografitë ngjallën menjëherë interes të madh, duke mbledhur mijëra pëlqime dhe komente nga ndjekësit e artistes nga e gjithë bota.
Megjithatë, vëmendjen më të madhe e morën komentet e fansave ndërkombëtarë, të cilët u habitën nga shprehja serioze në fytyrën e nënës së këngëtares në ditën e martesës.
“A ishte mamaja jote e lumtur që ndodhej aty?”, ishte një prej pyetjeve që u përsërit më shpesh në komentet e postimit.

Në fakt, shumë prej ndjekësve të Bebe Rexhës nuk ishin në dijeni të një tradite të kahershme shqiptare, sipas së cilës nusja në ditën e dasmës duhej të ruante një qëndrim serioz. Sipas zakoneve të dikurshme, ajo mbante sytë ulur, nuk qeshte dhe nuk duhej të shfaqte emocione apo entuziazëm të tepruar, si shenjë respekti dhe modestie ndaj familjes dhe ceremonisë.
Kjo traditë ka qenë e përhapur në shumë treva shqiptare dhe duket se është pasqyruar edhe në dasmën e prindërve të Bebe Rexhës, gjë që shpjegon pamjen serioze të nënës së saj në fotografitë e publikuara.

Bebe Rexha ka folur vazhdimisht me krenari për prejardhjen e saj shqiptare. Babai i saj, Flamur Rexha, është me origjinë nga Dibra e Maqedonisë së Veriut, ndërsa nëna e saj, Bukurije Rexha, vjen nga Gostivari.
Postimi është pritur me shumë nostalgji nga fansat shqiptarë, ndërsa njëkohësisht ka shërbyer edhe për të njohur ndjekësit e artistes nga vende të ndryshme të botës me një pjesë të traditave të vjetra të dasmave shqiptare. /Telegrafi/















































