LAJMI I FUNDIT:

LODHJE

LODHJE

Poezi nga: Fernando Pessoa
Përktheu: Maks Rakipaj

Brenda meje kam shumë gjëra por, sidomos kam lodhje,
jo për këtë a për atë,
për gjithçka a për asgjë:
thjesht lodhje dhe kaq,
lodhje.
Mprehtësi e ndjesive të kota,
pasione të fuqishëm dhe përse? për çka? kot fare…
dashuri të vrullshme për çka mund të marrë me mend ndokush,
të gjitha këto gjëra-
kjo është çka në to përjetësisht mungon-
gjithçka jep lodhje,
këtë lodhje,
lodhje.
Padyshim është ndokush që e do pafundësinë,
padyshim është ndokush që të pamundurën dëshiron,
dhe patjetër, dhe ndonjëri që s’dëshiron asgjë do të jetë-
tre tipa idealistësh, dhe unë asnjë prej tyre s’jam:
sepse unë dua pafundësisht çka ka marrë fund,
sepse unë dua pamundshmërisht çka është e mundur,
sepse dua gjithçka, ose dhe më shumë, po qe e mundur,
por edhe po s’qe …
Dhe përfundimi?
Për ata një jetë e jetuar a e ëndërruar,
për ata një ëndërr e ëndërruar a e jetuar,
për ata mesatarja midis gjithçkaje dhe asgjësë, jeta pra …
për mua vetëm një e madhe, e thellë,
ah, sa lumturi, një lodhje shterpë,
një lodhje sipërore …. ore, ore, ore,
lodhje.