ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

"Gjithçka është e lejueshme në dashuri dhe luftë", thotë shprehja e njohur. Sipas gazetës britanike The Telegraph, kjo vlen edhe për Kupën e Botës.

Mediumi anglez ka publikuar një analizë me titull "31 truket e pista", ku pretendon se Argjentina përdori një sërë manovrash për të eliminuar Anglinë (2-1) në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.


"Nga ndërhyrjet e vonshme te përplasjet jashtë topit dhe përpjekjet për të nxjerrë me karton të kuq Harry Kane, mjeshtrit e 'arteve të errëta' nga Amerika e Jugut i qëndruan besnikë reputacionit të tyre në gjysmëfinalen e Kupës së Botës", shkruan mediumi presitgjioz The Telegraph.

"Humbja e Anglisë u shoqërua nga përpjekje të vazhdueshme të ekipit të Lionel Scalonit për të destabilizuar skuadrën e Thomas Tuchelit", shton mediumi.

Më poshtë janë 31 episodet e evidentuara nga The Telegraph.

Minuta e 1-të

Që në sekondat e para të ndeshjes, Alexis Mac Allister shtyu Elliot Andersonin, vetëm 19 sekonda pas fillimit, duke treguar menjëherë intensitetin e përballjes.

Minuta e 2-të

Jude Bellingham u rrëzua pasi u shty nga prapa nga Leandro Paredes, në momentin kur kishte larguar tashmë topin.

Minuta e 3-të

Përplasja e parë e ndeshjes. Enzo Fernández goditi Elliot Andersonin në pjesën e pasme të qafës me krah. U akordua faull, por jo karton i verdhë.

Minuta e 6-të

Giuliano Simeone ndërhyri ndaj Elliot Andersonit për ta ndalur një kundërsulm të Anglisë. Gjyqtari Ismail Elfath akordoi vetëm goditje dënimi.

Minuta e 11-të

Enzo Fernández kreu një tjetër faull ndaj Andersonit pa u ndëshkuar. Më pas të dy lojtarët u përfshinë në një përplasje në tokë.


telegrafi.com

Minuta e 11-të

Po në të njëjtën minutë, Morgan Rogers u rrëzua nga Nicolás Tagliafico. Pas një tjetër përplasjeje mes lojtarëve, loja rifilloi me top neutral në favor të Argjentinës.

Minuta e 13-të

Giuliano Simeone mbajti topin për të vonuar rifillimin e lojës. Jordan Pickford shkoi ta merrte dhe situata përfundoi me sulmuesin argjentinas të shtrirë në tokë.

Minuta e 16-të

Leandro Paredes u rrëzua duke prekur topin për të ndalur kundërsulmin e Jude Bellinghamit. Nuk u akordua faull dhe më pas pati përplasje mes dy lojtarëve.

Minuta e 16-të

Anthony Gordon tentoi të rifillonte shpejt lojën, por u pengua nga Giuliano Simeone. U akordua vetëm faull.

Minuta e 24-t

Giuliano Simeone dhe Jordan Pickford shkëmbyen shtytje gjatë një goditjeje nga këndi, pasi argjentinasi tentoi t'i bllokonte rrugën portierit anglez. Gjyqtari i paralajmëroi të dy.

Minuta e 28-të

Një përplasje mes Reece James, Morgan Rogers, Alexis Mac Allister dhe Lisandro Martínez përfundoi me dy lojtarët anglezë të shtrirë në tokë dhe rivënie anësore për Argjentinën.

Minuta e 31-të

Jude Bellingham u rrëzua pas një ndërhyrjeje të Enzo Fernández. U akordua faull, por nuk pati karton të verdhë.

Minuta e 33-të

Giuliano Simeone goditi me kokë Marc Guéhin gjatë një dueli. Edhe në këtë rast nuk pati ndëshkim me karton.

telegrafi.com

Minuta e 35-të

Nahuel Molina ndërhyri ndaj Bellinghamit pranë zonës së penalltisë. U akordua faull.

Minuta e 36-të

Elliot Anderson mori kartonin e parë të verdhë të ndeshjes pas një ndërhyrjeje ndaj Lionel Messit.

Minuta e 37-të

Pas kartonit ndaj Andersonit shpërtheu një tjetër përplasje. Argjentinasit protestuan për ndërhyrjen ndaj Messit, ndërsa anglezët u ankuan pse kartoni i parë i ndeshjes iu tregua lojtarit të tyre.

Minuta e 42-të

Lisandro Martínez ndali Morgan Rogersin me faull dhe mori kartonin e parë të verdhë për Argjentinën.

Minuta e 45+1

Reece James tentoi të ekzekutonte shpejt një rivënie anësore, por një top i hedhur nga stoli i Argjentinës hyri në fushë dhe e ndërpreu lojën.

Minuta e 45+3

Leandro Paredes ndërhyri ndaj Reece James me këmbën e ngritur në lartësinë e gjoksit.

Pushimi

The Telegraph kritikon faktin që disa lojtarë argjentinas rrethuan gjyqtarin për të protestuar në fund të pjesës së parë. Sipas mediumit, Messi vazhdoi protestat edhe gjatë rrugës drejt tunelit.

Minuta e 48-të

Pas një dueli, edhe pse topi del jashtë, Messi vazhdoi ta mbante Bellinghamin derisa anglezi përfundoi në tokë.

Minuta e 51-të

Cristian Romero mori karton të verdhë pasi ndali Bellinghamin duke e kapur qartë me të dy krahët.

Minuta e 53-të

Djed Spence pretendoi se u godit me shuplakë në fytyrë nga Giuliano Simeone, por gjyqtari kishte akorduar më parë faull për Argjentinën.

Minuta e 58-të

Cristian Romero pengoi Jordan Pickfordin gjatë një aksioni në zonë, me portierin anglez që përfundoi i rrëzuar mbi mbrojtësin argjentinas.

Minuta e 73-të

Pas një rivënieje anësore për Anglinë, Messi shtyu lehtë Djed Spencen.

Minuta e 85-të

Pas golit të barazimit të Enzo Fernándezit, Cristian Romero nuk shkoi të festonte me bashkëlojtarët, por vrapoi drejt Jordan Pickfordit për të festuar para tij.

Minuta e 88-të

John Stones mbeti i shtrirë në tokë pas një dueli ajror. Ndërkohë, Rodrigo De Paul, Gonzalo Montiel, Nicolás Otamendi dhe Cristian Romero rrethuan gjyqtarin duke protestuar pse loja ishte ndërprerë.

Minuta e 90+2

Argjentina ndali një aksion të Jude Bellinghamit dhe menjëherë pas kësaj Gonzalo Montiel festoi përballë mesfushorit anglez.

Një tjetër përplasje pas ndeshjes

Edhe pas vërshëllimës së fundit tensionet nuk u shuan. Portieri rezervë i Anglisë, Dean Henderson, shtyu Lautaro Martínezin gjatë festimeve, ndërsa Morgan Rogers u përfshi në një tjetër përplasje me lojtarët argjentinas.

Më pas, Jude Bellingham goditi me shuplakë Valentín Barcon, pasi ky i fundit festoi golin e dytë të Argjentinës pranë futbollistëve anglezë.

Flamuri që shkaktoi polemika

The Telegraph e mbyll analizën duke përmendur edhe festën e lojtarëve argjentinas pas ndeshjes, gjatë së cilës disa prej tyre shfaqën një banderolë me mbishkrimin "Falklandet janë argjentinase".

Sipas mediumit britanik, FIFA kishte ndaluar më parë shfaqjen e flamujve ose banderolave me referenca politike për Ishujt Falkland brenda stadiumit.

Mbetet e paqartë nëse FIFA do të ndërmarrë ndonjë masë disiplinore për këtë veprim. /Telegrafi/

telegrafi sport app