LAJMI I FUNDIT:

24 marsi, data e mirënjohjes kombëtare ndaj ShBA-së dhe NATO-s

24 marsi, data e mirënjohjes kombëtare ndaj ShBA-së dhe NATO-s

Mbrëmjen e 23 marsit 1999, misionari i paqes, ambasadori mirënjohur Richard Holbrooke, u kthye nga Beogradi në Bruksel, i refuzuar brutalisht nga Millosheviqi në përpjekjen diplomatike për të ndalur gjenocidin si dhe për të evituar ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë. Në ditën tjetër, pra më 24 mars (për herë të parë nga krijimi saj më 1949) fuqia ajrore e ShBA/NATO-s u angazhua në një luftë historike në Evropë, jashtë nenit 5, pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por që e legjitimoi NATO-n si Aleancën e lirisë, paqes, shpresës dhe besimit te vlerat demokratike në mbarë botën!

Kështu, 24 marsi 1999, simbolizon jo vetëm përvjetorin e një ngjarjeje të lavdishme për historinë gjeopolitike të NATO-s, por meriton të skalitet në përjetësi nga mbarë shqiptarët edhe si data e mirënjohjes kombëtare ndaj fuqisë ushtarake të ShBA/ NATO-s, si dhe ndaj vlerave perëndimore.


Përveç kësaj, kjo datë konfirmoi vendosmërinë e Perëndimit për të gjunjëzuar një kriminel lufte si Millosheviqi dhe me gjithë përpëlitjet e ariut të plagosur/Rusisë, kjo ngjarje ndryshoi përjetësisht hartën gjeopolitike të rajonit, në favor Aleancës Euroatlantike si dhe të kombit shqiptar.

Edhe në situatën aktuale, 24 marsi mbetet një ngjarje me mesazhe të forta shprese për fundin që e pret Rusinë putiniste e cila mbas mbi dy vjet lufte barbare nuk e pushtoi dot as me valle, tanke dhe raketa Ukrainën martire. Ndërsa, përkundër fitores, ka humbur me turp 50 për qind të territoreve të pushtuara, iniciativën strategjike të luftës, si dhe betejën për të sfiduar rendin e sigurisë globale, kohezionin, interesat dhe fuqinë e pakonkurrueshme ushtarake të NATO-s. Tashmë nuk ka mbetur asnjë dilemë, as për mendjet e ndryshkura jo vetëm në Beograd, që pikërisht për shkak të kësaj lufte Kremlini gjendet sot më i diskretituar se asnjëherë me parë (p.sh., vetëm Kim Jongu, Vuçiqi e uruan për vetëmandatimin me bajoneta); rrezikon përjashtimin nga pesëshja vendimmarrëse e KS të OKB-së, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare ka lëshuar “urdhër arresti për krime lufte” ndaj Putinit dhe listën e zullumqarëve rreth tij.

Së dyti, shpreh keqardhjen për mungesën delirante të mirënjohjes institucionale në ushtrimin e përgjegjësive shtetërore nga pushtetarët e Prishtinës, përkundër domosdoshmërisë jetike që ka Kosova në forcimin e bashkëpunimit me partnerët strategjikë – ShBA-në, NATO-n dhe BE-në!

E gjej zhgënjyese që për herë të parë mbas 25 vjetëve në liri, kryeçlirimtarët e Kosovës, pra Uashingtoni zyrtar, ka ngritur një zhgënjim serioz: “Ne, ShBA-ja jemi të shqetësuar për faktin se qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partnerë, nuk po konsultohet dhe nuk po punojnë me ne për sigurinë rajonale”!

Shpreh revoltën për të mos thënë neverinë strategjike jo vetëm për vendimmarrjet e pakonsultuara me ShBA-në, por veçanërisht për riciklimin e kokëfortësisë bolshevike dhe të sovranitetit folklorik nga të gjithëpushtetshmit e Kosovës, ndaj politikanëve dhe opinionistëve mendjendryshkur në Prishtinë, Tiranë etj..

Duke përsëritur përuljen ndaj të rënëve, dëshmorëve të atdheut, si dhe nderimin më të thellë ndaj sakrificave për pavarësi të luftëtarëve dhe popullit të Kosovës në shekuj, mbas 25 vjetëve besoj edhe më fortë se në koshiencën kombëtare dhe institucionale të jetë përjetësisht e skalitur që çlirimi i Kosovës nga pushtuesit serbë gjithsesi nuk u arrit as nga luftërat, as nga qëndresat dhe as nga sakrificat e popullit të Kosovës. Për shkak të së vërtetës shpresoj ta pranojmë fisnikërisht se vetëm falë ndërhyrjes së fuqisë ajrore të NATO-s, Millosheviqi nënshkroi kapitullimin dhe tërheqjen e forcave pushtuese (ushtarake dhe policore) deri në kufijtë e përcaktuar nga rezoluta 1244 dhe të shenjtëruar në flamurin e Kosovës dhe nga presidenti Ibrahim Rugova. Për këtë, mjafton të sjellim qetësisht në vëmendje që në Marrëveshjen e Kumanovës, UÇK-ja nuk ishte as palë nënshkruese, as vëzhguese, edhe pse aty u vendos shkrirja dhe shndërrimi në Forcat e Sigurisë së Kosovës, ndërsa siguria territoriale iu ngarkua KFOR-it me mbi 37 mijë forca këmbësorie nga 36 vende, anëtare të NATO-s dhe jo vetëm.

Prandaj, as ligjëratat marksiste, as bejtet patriotike mbi sovranitetin dhe të drejtat sovrane nuk do të munden kurrsesi të errësojnë rolin përcaktues të çlirimtarëve të vërtetë (ShBA, NATO, Mbretëri e Bashkuar) të Kosovës nga pushtimi serb dhe as peshën kritike që prej një çerekshekulli vijojnë të mbajnë për paqen, stabilitetin dhe ardhmërinë euroatlantike të Kosovës.

Thënë këto, data 24 mars meriton të skalitet jo vetëm si data e mirënjohjes mbarëkombëtare ndaj ShBA-së dhe NATO-s, por edhe si dita e falënderimeve ndaj 36 vendeve dhe ushtarakëve të KFOR-it që për 25 vjet vijojnë mbrojnë paqen në Kosovë dhe rajon.

Së treti, për shkak të funksioneve që kam ushtruar në 25 vjetët e fundit, kam ndjekur me vëmendje të shtuar situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon. Sigurisht, kam bërë detyrën që vlerësimet dhe rekomandimet strategjike për stabilitetin dhe sfidat euroatlantike të Kosovës, i kam prezantuar në NATO dhe në forumet më të larta të sigurisë, në konferenca, panele etj., si dhe mijëra faqe të publikuara në kryeqytetet e rajonit.

Shqetësimet strategjike mbi armatosjen deri në dhëmbë dhe shpërdorimin e Beogradit nga Kremlini i kam adresuar si pyetje të thjeshta/publike ndaj Vuçiqit dhe gjeneralëve të tij: Përse shpenzon më shumë se një miliard euro në vit për armatosjen nga Rusia me tanke, aeroplanë, helikopterë luftimi, raketa etj.? Përse tri të katërtat e strukturave dhe fuqisë ushtarake ofensive i ka dislokuar në kufijtë shtetërorë të Kosovës? Nga cili vend apo Aleancë rrezikohet tërësia territoriale e Serbisë? Apo, integritetin e cilit vend sovran, përveçse Kosovës, kërcënon Serbia?

Nga ana tjetër, nuk kam asnjë mëdyshje që 25 vjetët pas çlirimit të Kosovës apo 25 muajt e luftës gjakatare në Ukrainë, qëndrimet dhe veprimet e Beogradit Zyrtar i gjej të sinkronizuara me ëndrrat dhe interesat gjeopolitike të Rusisë në Ballkan. Gjithsesi, Rusia putiniste ka dështuar për të ndezur një front të ri lufte në rajon, duke frymëzuar dhe armatosur grupet kriminale në veri të Kosovës si dhe ekstremistët e tipit të Millorad Dodikut, për të mbajtur ndezur frymën antiperëndimore apo duke e diskretituar Beogradin deri me agresion ushtarak jo vetëm ndaj sovranitetit territorial të Kosovës, por edhe kundër prezencës së shtuar të KFOR-it në terren.

Thënë këto, më duhet ta përsëris qartë, përfshirë për gjeneralët dhe mendjet putiniste në Beograd (dhe jo vetëm) si dhe për sovranistët folklorikë të Prishtinës: Për sa kohë të ketë prezencë të ShBA-së dhe NATO-s në terren, agresioni ushtarak kundër tërësisë territoriale të Kosovës, përveçse aventurë vetëvrasëse e Serbisë, mbetet një mision tërësisht i pamundur (zero)!

Në shtesë, në vijim gjeni përmbledhje me pesë rekomandime strategjike” për sigurinë afatgjatë, dialogun konstruktiv, bashkëjetesën paqësore për ardhmërinë euroatlantike të Kosovës dhe Serbisë:

– Përderisa për 25 vjet, fatkeqësisht, dy palët nuk po i zgjidhën dot mosmarrëveshjet ndërshtetërore dhe ndërkufitare, Serbia dhe Kosova duhet të tregohen seriozë për të zhvilluar dialogun konstruktiv, masat e mirëbesimit reciprok dhe bashkëjetesës paqësore mes popujve, duke u dhënë njëkohësisht besim partnerëve euroatlantikë;

– Beogradit zyrtar i duhet t’i harrojë kërcënimet neo-staliniste në gojën e gjeneralëve delikuentë për rikthimin e flamurit serb në vendin e krimeve kundër njerëzimit, si dhe riciklimin e fushatave të përgjakshme ndaj integritetit territorial të Kosovës dhe popullit shqiptar. Për të mirën e Serbisë, të mos shpenzoj kot një miliard euro në vit nga mundi i popullit serb, pasi ka zero, aftësi ose këllqe të përballet me fuqinë ushtarake të NATO-s dhe FSK-së në Kosovë; të heq dorë nga ëndrrat për të pirë nga tri nëna (Moska, Brukseli dhe Uashingtoni) apo luajtur me disa porta jomiqësore me NATO-n. Vuçiqi të mos riciklojë oshilacionet e Millosheviqit dhe as të bëjë trimin e tërbuar të Putinit duke kërcënuar Perëndimin (ose me Serbinë ose me Kosovën!), por as viktimën dhe as të irrituarin, pasi, siç është konfirmuar nga ekspertët e Pentagonit, edhe 246 raketat ‘Javelin’ të miratuara nga ShBA-ja për FSK-në, nuk janë kapacitete sulmuese, por vetëm për të ushtruar të drejtën sovrane të vetëmbrojtjes së tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës nga çdo armik potencial, që në fakt mbetet vetëm Serbia, apo jo?

– Prishtina zyrtare, pa u konsultuar me partnerët strategjikë, kurrsesi nuk do duhej të marrë vendimmarrje me impakte strategjike që minojnë themelet e besimit me çlirimtarët të cilët prej 25 vjetëve vijojnë të mbajnë peshën kritike për sigurinë dhe ardhmërinë euroatlantike të Kosovës. Për më shumë, do t’i këshilloja vëllazërisht akterët mendjehapur të Prishtinës që çlirimi nga pushtuesit serbë më 1999, si dhe riciklimi i kërcënimeve ushtarake të Beogradit ndaj integritetit të Kosovës, të mos i konsiderojnë me triumfalizëm populist, por si përgjegjësi e lartë shtetërore për të ndërtuar Kosovën moderne prezencës së NATO-s (që nuk do të jetë e përjetshme); vendin ku, qytetarët, pavarësisht përkatësive etnike, fetare dhe politike të ndihen të barabartë para ligjit, si dhe faktorizimin e Kosovës nga konsumatore në kontribuuese për sigurinë si dhe integrimin e rajonit në NATO dhe BE!

– Tirana dhe Prishtina zyrtare e kanë përgjegjësi të lartë kombëtare dhe fisnike të demonstrojnë mirënjohje ndaj ShBA-së dhe NATO-s. Ndërsa, përkundër vendimmarrjeve të pakonsultuara dhe kakofonisë për protagonizëm internacionalist, e çmoj si emergjencë kombëtare ngritjen e një Grupi të Urtakëve me personalitete të gjithëpranuara, që përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme dhe interesave kombëtare, për t’i dhënë jetë një platforme të përbashkët: dy shtete sovrane, një komb i vetëm, duke garantuar partnerët strategjikë se kjo platformë e vonuar do të kontribuojë si balancë racionale për paqen afatgjatë në rajon. Sigurisht që projekt nuk ka kurrsesi lidhje me dalldisjen bolshevike që vjen nga fuqia elektorale e mbipushtetit dhe as me pushtetarë kusarë që presin (duke u dridhur) radhën në SPAK; as me pluralizmin fasadë dhe as me mjerimin e opozitës të pushtuar nga sekserët; por as me aguridhet 50 milionë euroshe të ish-kryetarit të ushtrisë së vdekur si dhe një grushti egocentrikësh të sëmurë, që si kamikazë të lidhur pas karrigeve blinduan dyert dhe mbajnë çelësat e depos së kashtës duke përmjerrë mbi institucionin e PD-së që u ka dhuruar kolltukë, llokma dhe ofiqe.

– Ndërsa, partnerëve strategjikë, akterëve dhe ekspertëve në rajon, Uashington, Bruksel etj., do t’u risugjeroja se perspektivën e paqes dhe stabilitetin e rajonit ta parakushtëzojnë me rikthimin e dy masave të mirëbesimit reciprok nëpërmjet të cilave Serbia imponohet që: (1) do të ruajë balancat e fuqisë ushtarake duke mos kërcënuar integritetin territorial të Kosovës; (2) nuk do të vendosë instalime dhe as aktivitete ushtarake (25 kilometra distancë ajrore dhe 10 kilometra tokësore) në kufijtë shtetërore mes vendeve, dy kushte që gjithsesi do të duhen të monitorohen nga ShBA-ja, NATO dhe BE e që mbeten faktorë kritikë për paqen në rajon.

Në përmbledhje, përkundër riciklimit të urrejtjes dhe gjakderdhjes shekullore, besoj edhe më fortë se 24 marsi 1999 do të mbetet një kambanë alarmi për të mbajtur zgjuar kujtesën e popujve të rajonit, pasi paqja mbetet misioni i vetëm në interes të sigurisë së jetës, pronës, mirëqenies së qytetarëve, si dhe ardhmërisë euroatlantike të Kosovës, të Serbisë, si dhe katër vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.