133 auditime gjatë 2025-ës, raporti Vjetor i Performancës së ZKA-së i dorëzohet Kuvendit

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, i ka dorëzuar Kuvendit të Kosovës, Raportin Vjetor të Performancës të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2025, duke paraqitur të arriturat dhe sfidat kryesore të institucionit gjatë këtij viti.
Në fjalën e saj, Spanca theksoi se ZKA ka ushtruar mandatin me standarde të larta profesionale.
“Edhe gjatë vitit 2025 ZKA-ja ka ushtruar mandatin e saj me pavarësi të plotë, integritet të lartë profesional dhe përgjegjësi institucionale”, u shpreh ajo.
Ajo shtoi se përmes auditimeve të pavarura, institucioni ka ndikuar në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në sektorin publik.
“Përmes vlerësimeve të pavarura, objektive dhe të ndershme, ZKA kontribuoi në informimin e publikut dhe palëve të tjera të interesit, duke forcuar transparencën dhe inkurajuar një kulturë më të avancuar të llogaridhënies në sektorin publik”, deklaroi Spanca.
Sipas saj, realizimi i Planit Vjetor të Auditimit për sezonin 2024/2025 është dëshmi e kapaciteteve të institucionit.
“Ky angazhim është reflektuar qartë edhe në realizimin e plotë të Planit Vjetor të Auditimit për sezonin 2024/2025, ku janë përfunduar 133 auditime, prej të cilave104 financiare/të pajtueshmërisë, 14 të performancës, 12 të pajtueshmërisë dhe tre auditime me nivel të informacionit të klasifikuar. Ky rezultat dëshmon jo vetëm kapacitete të larta profesionale, por edhe pjekuri institucionale”, theksoi ajo.
Megjithatë, raporti evidenton edhe sfida të vazhdueshme në menaxhimin financiar dhe kontrollin e brendshëm.
“Niveli i zbatimit të rekomandimeve mbetet nën pritshmëritë, prandaj nevojiten mekanizma më të fortë dhe më efektivë të përgjegjësisë institucionale”, u shpreh Spanca.
Ajo ngriti shqetësimin edhe për ndikimin e mosfunksionimit të Kuvendit gjatë vitit 2025. Sipas saj, kjo ka ndikuar në ritmin e shqyrtimit të raporteve të auditimit dhe në funksionimin e plotë të ciklit të llogaridhënies demokratike.
Në fund, Spanca theksoi se pavarësisht sfidave, ZKA ka arritur të ruajë stabilitetin dhe të avancojë më tej.
“ZKA vazhdon të fuqizohet dhe të prijë në rajon si institucion i besueshëm dhe me ndikim në jetën e qytetarëve”, deklaroi ajo.
Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2025 e gjeni këtu. /Telegrafi/




















































