12 kadetë diplomojnë si oficerë të FSK-së, Haxhiu e Kurti: Do të udhëhiqni ushtrinë e së ardhmes me përgjegjësi


Me betimin për t’i shërbyer Republikës së Kosovës dhe mes thirrjeve për integritet, profesionalizëm e lidership, 12 kadetë të gjeneratës 2026 u diplomuan sot si oficerë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në ceremoninë e diplomimit, udhëheqësit shtetërorë dhe drejtuesit e Akademisë së Mbrojtjes vlerësuan se oficerët e rinj marrin detyrën në një kohë sfidash të reja të sigurisë, duke i ftuar që të udhëheqin me nder, përgjegjësi dhe përkushtim ndaj shtetit.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se oficerët e rinj diplomojnë në një periudhë kur mjedisi ndërkombëtar i sigurisë përballet me sfida të shumta, duke theksuar se përgjegjësia e tyre shkon përtej bartjes së gradës.
Ajo shtoi se oficerët do të kenë përgjegjësi për mbrojtjen e integritetit territorial, sovranitetit dhe rendit kushtetues të Kosovës, ndërsa i ftoi të ruajnë besimin e qytetarëve dhe të forcojnë bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë.
“Ju po diplomoheni në një kohë kur siguria ndërkombëtare po përballet me sfida të reja. Konfliktet, kërcënimet hibride, sulmet kibernetike, dezinformimi dhe përpjekjet për ta dobësuar një shtet nga brenda na kujtojnë se paqja ruhet me përgatitje, me vigjilencë dhe aleanca të forta. Për këtë arsye, përgjegjësia juaj është shumë më e madhe, duke filluar nga mbrojtja e integritetit territorial, sovranitetit të vendit tonë, Kushtetutës së Republikës së Kosovës, rendit demokratik, lirisë dhe sigurisë së çdo qytetari në Republikën e Kosovës. Shërbimi juaj nis me vetëdijen se Republika nuk u dhurua, ajo u ngrit mbi përpjekjen shekullore për liri, mbi sakrificën e popullit tonë dhe mbi luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Heroizmi i Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe sakrifica e familjes Jashari mbeten përjetësisht simbol i guximit, i lirisë dhe i vendosmërisë së popullit tonë për t’i fituar liritë”, tha Haxhiu.
Në ceremoni, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se nga sot kadetët nuk janë vetëm oficerë të rinj, por edhe udhëheqësit e ardhshëm të ushtrisë së Kosovës.
“Nga sot, nuk jeni vetëm oficerë të rinj, por edhe udhëheqës të së ardhmes të ushtrisë sonë. Gjatë këtyre katër viteve, keni fituar dije, disiplinë dhe keni ndërtuar karakter ushtarak. Gjatë kësaj periudhe, jeni mishëruar me vlerat shoqërore, vlera këto të cilat do t’ju shoqërojnë në çdo detyrë që do ta realizoni në shërbim të Republikës. Të dashur oficerë, nga sot mbi supet tuaja vendoset një përgjegjësi e madhe. Ju do të udhëhiqni ushtarë, do të merrni vendime të rëndësishme dhe do të jeni shembull i integritetit, profesionalizmit dhe përkushtimit ndaj atdheut. Udhëhiqni gjithmonë me dijen që keni fituar, me guximin që keni, me drejtësi dhe me respekt duke u përkujdesur për secilin ushtar që do ta keni nën varësi”, tha Kurti.
Komandantja e Qendrës për Studime Universitare – Akademia e Mbrojtjes, majorja Mimoza Budeci, u tha të diplomuarve tri mesazhe kryesore, duke theksuar se uniforma ushtarake përfaqëson një mënyrë jetese dhe jo vetëm një profesion.
“Këshilla apo mesazhi im i parë do të jetë: Kadetë, ju vendosët të zgjidhni uniformën, ju nuk zgjodhët karrierë, ju nuk zgjodhët një profesion, ju zgjodhët një mënyrë jetese. Një mënyrë jetese e cila kërkon sakrificë deri në vetëmohim. Ju zgjodhët që të bëni interesat të tjerëve, nevojat e institucionit dhe të shtetit para nevojave dhe interesave tuaja personale. Prandaj, mos harroni, detyra, nderi, atdheu duhet të jenë udhërrëfyesi tuaj para çdo vendimi që do të merrni si drejtues të ushtrisë…”, tha Budeci.
Ajo theksoi se momentet e vështira ndërtojnë lidershipin dhe u kërkoi oficerëve të marrin përgjegjësi për vendimet e tyre.
“Mesazhi im i dytë për juve gjatë karrierës suaj, ju do të keni ditë të vështira, do të keni momente të vështira, do të keni edhe ditë të këqija, e fatkeqësisht këto nuk do të jenë të pakta. Ju do të thoni pse fatkeqësisht, sepse janë momentet e vështira, sfiduese ato që neve na rrisin si personalitete dhe na funksionojnë në karakter… Dhe porosia apo mesazhi im i tretë, që ndërlidhet me këtë të dytin, është djem edhe vajza sukseset do t’i ndajmë me të tjerët, por përgjegjësinë do ta mbajmë mbi supet tona vetë. Dhe mos harroni, askush siç do të ndodhë me ne, edhe për juve pas një kohe të caktuar njerëzit nuk do t’ju mbajnë mend as gradat që ju mbajtë, as përgjegjësitë që kishit, por do të mbajnë në mend ndikimin te njerëzit që ju udhëhhoqët dhe tek njësitë që komanduat”, u shpreh Budeci.
Pas marrjes së diplomave nga katedët, Dardan Syla u shpall kadeti më i dalluar i gjeneratës së kadetëve 2026.
Në fjalën e tij, ai tha se ata janë përgatitur për përgjegjësinë që i pret si oficerë të FSK-së, duke theksuar se liria e Kosovës është trashëguar së bashku me detyrimin për ta mbrojtur atë.
“Sot qëndroj para jush me një ndjenjë që është e vështirë të përshkruhet me fjalë. Katër vite më parë, erdhëm në këtë vend të gjithë, por edhe me shumë paqartësi. Nuk e dinim se çfarë na pret. E dinim vetëm një gjë: se kishim zgjedhur t'i shërbejmë vendit tonë. Këto katër vite na mësuan se uniforma nuk është thjesht një veshje, ajo është përgjegjësi. Është disiplinë për asaj që të tjerët të shohin, është karakter dhe vullnet në presion….. Të zgjidhem kadeti më i dalluar i gjeneratës është një nder që pranohet me modesti. Por, e di që ky vlerësim mban emrin tim, por nuk është vetëm i imi. Ai u takon familjarëve të mi, të cilët më mësuan të mos dorëzohem kurrë. U përket instruktorëve tanë, të cilët na sfiduan çdo ditë që të bëhemi versioni më i mirë i vetes. Dhe mbi të gjitha, u përket shokëve të mi të klasës 2024, sepse askush nuk ka arritur i vetëm. Në ditët më të vështira, kishim forcën dhe unitetin që na shtynte të ecnim përpara”, tha Syla. /Kp/







































