LAJMI I FUNDIT:

Një miliardëshi, suksesi madhor i Doganës së Kosovës

Një miliardëshi, suksesi madhor i Doganës së Kosovës

Dogana e Kosovës ka arritur që për vitin 2016 të mbledhë mbi 1 miliardë euro. Kjo shumë është vlerësuar si rekord që kur është themeluar dogana 17 vite më parë.

Në krahasim me vitin e kaluar, dogana në vitin 2016 ka mbledhur 88 milionë euro më shumë.


“Dogana për herë të parë që nga themelimi (17 vite më parë) ka arritur një rekord ku ka tejkaluar 1 miliard euro. Gjatë këtij viti ne kemi mbledhë mbi 1 miliard euro ende pa përfunduar viti, derisa vitin e kaluar kishim 915 milion euro pra tani kemi 88 milion më shumë”, ka thënë për “Indeksonline”, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.

Ai ka sqaruar se dogana më së shumti është ballafaquar me kontrabandim të mallrave, ku gjatë vitit ka arritur të kapë mbi 300 kilogramë narkotikë.

“Problemet kryesisht me kontrabandim të mallrave, por sidoqoftë dogana është duke u profesionalizuar çdo ditë e më shumë prandaj edhe kemi këtë performance të lartë”, është shprehur ai.

Ndryshe, ministri i Financave, Avdullah Hoti, javë më parë kishte deklaruar para medieve se viti 2017 do të jetë një vit sfidues për Doganën e Kosovës. Ai kishte treguar se pritet që një projeksion për doganën të kapë shumën prej 1 miliardë e 108 milionë euro. /Telegrafi/