Një psikolog për mbi 1 mijë nxënës, Prishtina me mungesë të tyre në shkolla


Në gjimnazin “Ahmet Gashi” në Prishtinë, ku mësimin e ndjekin rreth 1200 nxënës, shërbimi psikologjik po përballet me ngarkesë të madhe për shkak të numrit të lartë të kërkesave nga nxënësit për ndihmë profesionale.
Në këtë shkollë është e angazhuar vetëm një psikologe, ndërsa çdo ditë 4 deri në 6 nxënës kërkojnë këshillim apo trajtim psikologjik, kryesisht për probleme të ankthit, vështirësi emocionale dhe raste të bullizmit.
Psikologia e shkollës, Albina Gashi, ka theksuar se kërkesat janë të shumta dhe shpesh e pamundësojnë ndjekjen e rregullt të rasteve.
“E mira ish kanë që nëse një herë e merr një nxënës me marr edhe javën tjetër, çdo javë nga një seancë. Por është e pamundur për shkak të kërkesave të shumta, sidomos në klasat e 10-ta…”, ka deklaruar Gashi.
Sipas saj, problemet më të shpeshta te nxënësit lidhen me çështje socio-emocionale, marrëdhënie familjare jo të shëndetshme dhe bullizëm në rrjetet sociale, ndërsa një pjesë e rasteve referohen edhe tek shërbimet psikiatrike për fëmijë në QKUK.
“Janë probleme socio-emocionale, probleme familjare, marrëdhënie shoqërore jo të shëndetshme dhe bullizmi përmes rrjeteve sociale. Kemi raste të shumta të ankthit social… disa raste i referojmë në psikiatrinë e fëmijëve në QKUK”, ka shtuar ajo.
Edhe drejtori i gjimnazit, Haxhi Metaj, ka theksuar se një psikolog për mbi një mijë nxënës është i pamjaftueshëm dhe krijon ngarkesë të madhe në trajtimin e rasteve.
“Gjimnazet që i kanë mbi 1 mijë nxënës është dashur të kenë dy psikologë, për shkak se kërkesat janë shumë të mëdha. Nuk është si më herët, tash për çdo problem kërkojnë trajtim”, ka deklaruar Metaj për RTVDukagjini.
Sipas të dhënave komunale, në 52 shkolla fillore dhe të mesme në Prishtinë janë të angazhuar gjithsej 37 psikologë, prej të cilëve 27 në shkolla fillore, 7 në të mesme dhe 2 në çerdhe.
Drejtori i Arsimit në Prishtinë, Arianit Elshani, ka thënë se institucionet po synojnë rritjen e numrit të psikologëve në shkolla për të ulur raportin mes nxënësve dhe stafit mbështetës.
Në nivel vendi, sipas Ministrisë së Arsimit, janë të angazhuar gjithsej 192 psikologë në institucionet arsimore.





































