eksperti-banner

Shumë shpejt dhe mjaft sigurt, Kosova po rrëshqet teposhtëzes së zvetënimit kombëtar, ndërsa shqiptarët, me apo pa vetëdije, po i japin shtyrje këtij zvetënimi në tatëpjetën që ka përgatitur bashkësia ndërkombëtare. Teposhtëzja është bërë edhe më e pjerrët që kur këta “miqtë” ndërkombëtarë na e shpallën pavarësinë. Harruan se pavarësia na duhej neve, ngase neve na mungonte ajo, ndërkaq që ata e shpallën për vete. Mbase edhe atyre u duhej pavarësia mbi Kosovën. Për këtë arsye “miqtë” tanë ndërkombëtarë shpallën pavarësinë e Kosovës nga Serbia, në mënyrë që të mos pengohen prej Serbisë gjatë sundimit mbi Kosovën. Normalisht, këtë e bënë ne emër të popullit të Kosovës.

Gjithçka bëhet në emër të popullit. Mirëpo, megjithatë, Serbia sërish nuk po ua njeh këtë pavarësi që kanë shpallur mbi Kosovën. Shih për këtë, ndërkombëtarëve u duhet shpeshherë të marrin leje në Beograd për disa punë që duan t’i kryejnë në disa pjesë të Kosovës. Në ato vende në Kosovë ku Serbia sundon akoma, faktori ndërkombëtar nuk e ka vënë sundimin dhe, rrjedhimisht, nuk e ka pavarësinë e plotë. Ndërsa në pjesën tjetër Atje vetëm japin urdhra, të cilët do të zbatohen gjithsesi.


Procesit të zvetënimit kombëtar i nënshtrohen vetëm shqiptarët. Serbët jo. Ata u dashka të mbeten ‘serbë’ kudo që të ndodhen. Tash po duan t’ia vënë drynin edhe Institutit Albanologjik! Aspak e habitshme. Ka kohë që këtij instituti ia kanë vu syrin. Çfarë u duhet Instituti Albanologjik kosovarëve multietnikë?!

Zbehja

Sa më shumë që i largohemi ditës së shpalljes së pavarësisë, aq më tepër i largohemi vetë pavarësisë. U ankuan disa se si shënimi i 12-vjetorit të

Epopesë së UÇK-së na qe më i zbehur sivjet se viteve të mëparshme. Por nuk është se vetëm Epopeja e UÇK-së është duke shkuar drejt zbehjes, por gjithçka që ka të bëjë me shqiptarët dhe për shqiptarët. Në mënyrë të veçantë, gjithçka që ka të bëjë me UÇK-në. Përvjetori i Epopesë së UÇK-së vetëm sa e dëshmon këtë më së miri.

Përvjetori i Epopesë së UÇK-së na siguron dhe na bind përfundimisht, madje edhe ata që akoma nuk janë bindur, për kahun e kësaj rruge të mbrapshtë Që kur na e kanë zbehur flamurin, gjithçka ka filluar të zbehet. Zbehja ka filluar në krye të institucioneve më të larta dhe po vazhdon gjithnjë e më shumë nëpër degë e nivele tjera të këtyre institucioneve, e deri edhe nëpër kompani e dyqane private.

Në janar të vitit të shkuar, Komuna e Kaçanikut botoi vjetarin e parë për vitin 2008, i cili ishte dizajnuar me kapakë të kuq, shkruar me shkronja të zeza, kurse vjetari i sivjetmë për vitin 2009 është me kapakë të kaltër e me shkronja të bardha. Brenda një viti është zbehur vjetari i një pushtetari në një komunë të Kosovës, në të cilën,
prej afro 40 mijë banorëve, vetëm 4 prej tyre nuk janë shqiptarë. Por zbehja më e madhe ndodhi, megjithatë, në shënimin e përvjetorit të Epopesë së UÇK-së, ku edhe sfondi në stendën ku ndodhej imazhi i Adem Jasharit, ishte plotësisht i zbehur. As rreshtimi i “Gardës së Nderit” me pushkët pa fishekë, as parakalimi i funksionarëve të lartë politikë, as fjalimet e tyre tepër të kujdesshme, as mysafirët e nderit që qenë aty, asgjë, më në fund, nuk mund ta plotësonte zbrazëtinë që ka shkaktuar ajo pamje për pjesëmarrësit në atë manifestim.

Tek varri i Adem Jasharit me flamurin e Ahtisaarit

Megjithatë, pamja më e trishtuar, më e dhimbshme dhe më skandaloze njëkohësisht, është të shohësh grupe njerëzish duke shkuar tek varret e Jasharajve në Prekaz me flamuj
të Ahtisaarit në duar. As shkuarja e personaliteteve publike e politike, të cilët për së gjalli e për së vdekuri kanë qenë kundër tyre, nuk më trishton më tepër, ngase, them me vete, në qoftë se deri dje nuk qenë pajtuar me ta, tani mund të jenë penduar dhe e kanë kuptuar se vërtet ata paskan pasur të drejtë, dhe për këtë meritojnë lavdinë (unë nuk dua të besoj se ata mund të shkojnë për motive tjera më të ulëta), pra as këta të këtij soji, nuk më bëjnë të ndihem i trishtuar sa të parët.

A thua a mund të nderohet Adem e Hamëz Jashari me flamurin e Ahtisaarit?! Prandaj do të doja shumë që ata që shkojnë, dhe kurdo që të shkojnë tek Jasharajt, dhe jovetëm, por tek të gjitha varret dhe lapidarët e dëshmorëve të kombit, në qoftë se nuk mund ta marrin flamurin kombëtar, le të shkojnë duarthatë, nëse jo me lule, sepse nuk do të koriten. Së paku, mos t’i lëndojmë atje ku janë.

FSK-ja e gjorë

Shpejt u pa se FSK nuk është as Forcë, as e Sigurisë dhe as e Kosovës. Në krejt meselenë e KFOR-it me FSK-në, mua m’u duk domethënëse një gjë: lufta e madhe që pozita dhe opozita bënë se kush më parë dhe më mirë e më dëgjueshëm se tjetra do të shtrijë qafën para faktorit ndërkombëtarë për “incidentin” me armë. Kryefjala e të gjitha reagimeve të opozitës ishte “kërkimfalja” si kusht i përmirësimit të marrëdhënieve mes FSK-së dhe KFOR-it, pas së cilës gjithsesi vjen betimi “kurrë më nuk do të gabojmë ngjashëm”, e pse jo edhe pangjashëm. Ndërkaq që pozita, jo që e kishte problem këtë çështjen e “betimit”, por e kishte problem më të madh se si ta arsyetonte këtë “gabim”, sa para opozitës aq edhe ndaj një pjesë të atyre që mendojnë si opozita. Jam habitur se si qe e mundur që këta politikanë të bëjnë kësi lloj “gabimi”.

Ata, në raport me ndërkombëtarët, janë tepër të kujdesshëm, dhe si të tillë rrallë “gabojnë”, por, edhe në qoftë se ndodh të “gabojnë”, tepër shpejt e përmirësojnë “gabimin” e bërë, duke dhënë menjëherë ndonjë shembull të gatishmërisë për ecje të saktë rrugës së urdhëruar. Më së shumti në këtë rast mu dhimbs FSK-ja, e cila, asgjë s’po merr vesh në këtë mjegull që po krijon faktori ndërkombëtar bashkë me këtë vendor: dikush i thotë se je ushtri; tjetri I thotë dale se nuk je; një herë i thonë mund të marrësh armët; pastaj i thonë merr armët por jo fishekët; dhe krejt në fund i thonë s’të kemi thënë të marrësh as armët; e kështu me radhë! Kësaj i thoshin, hip se t’vrava - zbrit se t’vrava!